U njohu 2 mijë ha të afërmve, paditet. Çefa: Sulmi për shkak të detyrës në KLD

Jul 31, 2014 | 9:00
SHPËRNDAJE

Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave depozitoi dje një kallëzim penal në Prokurorinë e Tiranës ndaj nënkryetarit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Elvis Çefa. AKKP e ka paditur Çefën me pretendimin se në kohën kur ka qenë drejtor i Përgjithshëm i këtij institucioni, ka shpërdoruar detyrën. Kallëzim penal është bërë edhe për shtetasin Shefqet Preza, përfaqësues i trashëgimtarëve të familjes Preza, për konsumimin e veprës penale të falsifikimit të dokumenteve.

“Trashëgimtari ligjor i familjes Preza, Asim Haxhiallushi, nga verifikimet rezulton i afërm i familjes së ish-drejtorit të Përgjithshëm të AKKP-së, Elvis Çefa. Ish-drejtori, përmes veprimeve dhe mosveprimeve të tij, ka shkelur ligjin në fuqi për kthimin dhe kompensimin e pronës, duke sjellë pasoja negative për shtetin dhe duke i hapur rrugë abuzimit me pronën shtetërore”, njoftoi dje AKKP-ja.

Gjithashtu në deklaratë thuhet se është konstatuar zmadhimi i sipërfaqes së njohur në zonën e Ishmit, në pyllin e Manzës, me 330 hektarë, në favor të familjes Preza. Por jo vetëm në këtë pjesë të Ishmit, pasi sipas Agjencisë së Kthimit të Pronave janë zbuluar shkelje edhe për një sipërfaqe tjetër po në këtë zonë, për të cilën janë falsifikuar dokumentet e pronësisë. “AKKP konstaton zmadhim të sipërfaqes së njohur në pyllin e Muzhlit dhe në pyllin e Bizës, në zonën e Ishmit Durrës, ku përmes përdorimit të dokumenteve të falsifikuara kanë përfituar 1220 ha, nga 220 ha të vërtetuara me dokument origjinë prone. Parashikohet se sipërfaqja e njohur, e bazuar në dokumente të falsifikuara, të jetë 2000 ha dhe përllogaritet me një vlerë të përafërt 100 milionë euro”, deklaroi AKKP.

ÇEFA
Nënkryetari i KLD-së, Elvis Çefa, mohoi dje faktet e përmendura në kallëzimin e AKKP-së. Përmes një reagimi zyrtar, Çefa sqaroi se gjatë kohës që ka drejtuar AKKPnë, në periudhën 2009-2012, nuk ka dhënë asnjë vendim në favor të subjektit në fjalë. “Këtë akuzë, që në fakt ishte e pritshme, referuar zhvillimeve të fundit, e konsideroj një sulm për shkak të detyrës që aktualisht mbaj, sulm i cili vërteton më së miri qëllimin e vërtetë të ‘reformës’ në sistemin e Drejtësisë, e cila tashmë po synon ‘eliminimin e kokave’ në Këshillin e Lartë të Drejtësisë”, thuhej në reagimin e Çefës. Në vijim të reagimit, Çefa shprehej se mbetej i hapur për çdo kontroll të aktivitetit të tij në administratën shtetërore. 

PANORAMA 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura