U dënua me 4 vite burg për ryshfetin 3.3 mln lekë për tenderin e MSH-së, Apeli i GJKKO-së merr vendimin për sekretaren Joana Duro dhe 3 të akuzuarit e tjerë

May 10, 2024 | 11:15
SHPËRNDAJE

Gjykata e Posaçme e Apelit ka lënë në fuqi dënimin me 4 vite burg të sekretares së Ministrisë së Shëndetësisë, Joana Duro e akuzuar për ryshfetin 3.3 mln lekë për tenderin e institucionit shtetëror.

joana-duro1

Joana Duro dhe biznesmeni Vladimir Topi kishin ankimuar vendimin e GJKKO-së për dënimin e tyre, por togat e zeza kanë lënë në fuqi vendimin.

Sekretarja e Ministrisë së Shëndetësisë është dënuar për korrupsion, por nga gjykimi i shkurtuar përfiton ulje me 1/3 duke u dënuar përfundimisht me 2.8 vite burg. Gjithashtu iu është hequr e drejta për të ushtruar funksione publike për 5 vite.

Biznesmeni Vladimir Topi ndërkohë është dënuar me 1 vit burg, por përfiton nga gjykimi i shkurtuar dhe dënohet përfundimisht me 8 muaj qëndrim në qeli.

Ndërsa inxhinieri Silvi Shehu dhe specialistja Laura Shteto janë dënuar po ashtu me nga 1 vit burg, por përfitojnë nga gjykimi i shkurtuar dhe dënohen përfundimisht me 8 muaj qëndrim në qeli.

Akuzat ndaj të tyre:

  1. Joana Duro, e akuzuar për veprën penale “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, parashikuar nga neni 260 i Kodit Penal.2. Laura Shteto, e akuzuar për veprën penale “Korrupsioni aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, në bashkëpunim, parashikuar nga neni 245 dhe 25 i Kodit Penal.

    3. Vladimir Topi, i akuzuar për veprën penale “Korrupsioni aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, në bashkëpunim, parashikuar nga neni 245 dhe 25 i Kodit Penal.

    4. Silvi Shehi, i akuzuar për veprën penale “Korrupsioni aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, në bashkëpunim, parashikuar nga neni 245 dhe 25 i Kodit Penal.

Njoftimi i Apelit të GJKKO-së:

Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues të përbërë nga gjyqtarët Miliana Muça (kryesuese), Dhimitër Lara (anëtar) dhe Engert Pëllumbi (anëtar), sot më datë 10.05.2024, shpalli vendimin lidhur me çështjen e regjistruar me nr. 22 akti, datë 18.03.2024 regjistrimi, mbi ankimin e paraqitur nga ankuesit/të pandehurit J.D., V.T., kundër vendimit nr. 75, datë 13.11.2023 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, që ka vendosur:

  • Deklarimin fajtor të të pandehurës J. D., për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose itë zgjedhurve vendorë”, parashikuar nga neni 260 i Kodit Penal dhe dënimin e saj me 4 (katër) vjet burgim.
  • Në aplikim të nenit 406 të K.Pr.Penale, uljen e dënimit me 1/3, duke e dënuar përfundimisht të pandehurën J.D. me 2 (dy) vjet e 8 (tetë) muaj burgim.
  • Në aplikim të nenit 35 të Kodit Penal, heqjen e të drejtës për të ushtruar funksione publike për të pandehurën J.D. për 5 (pesë) vjet.
  • Bazuar në nenin 33 të Kodit Penal si dhe nenin 15 të Ligjit nr. 81/2020 “Për të drejtat dhe trajtimin  e të dënuarve me burgim dhe të paraburgosurve”, vuajtja e dënimit për të pandehurën J.D. do të fillojë të llogaritet nga dita e arrestimit të saj dhe do të kryhet në një nga Institucionet për të dënuarit e rritur dhe të sigurisë së zakonshme.
  • Deklarimin fajtor të të pandehurit V.T., për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 245 e 25 të Kodit Penal dhe dënimin e tij me 1 (një) vit burgim.
  • Në aplikim të nenit 406 të K.Pr.Penale, uljen e dënimit me 1/3, duke e dënuar përfundimisht të pandehurin V.T. me 8 (tetë) muaj burgim.
  • Bazuar në nenin 33 të Kodit Penal si dhe nenin 15 të Ligjit nr. 81/2020 “Për të drejtat dhe trajtimin  e të dënuarve me burgim dhe të paraburgosurve”, vuajtja e dënimit për të pandehurin V.T. do të fillojë të llogaritet nga dita e ndalimit të tij dhe do të kryhet në një nga Institucionet për të dënuarit e rritur dhe të sigurisë së zakonshme.
  • Shpenzimet proceduriale të kryera gjatë fazës së hetimit paraprak, seancës paraprake dhe gjatë gjykimit, i’u ngarkohen të pandehurve në mënyrë solidare.
  • Kundër vendimit lejohet apel brenda afatit ligjor, në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar…”

Në përfundim, Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar vendosi:

  1. Ndryshimin e vendimit nr.75, datë 13.11.2023 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar si më poshtë:
  • Deklarimin fajtor të të pandehurës J.D., për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, e parashikuar nga neni 259, paragrafi dytë i Kodit Penal dhe dënimin e saj me 4 (katër) vjet burgim.
  • Në aplikim të nenit 406 të K.Pr.Penale, uljen e dënimit me 1/3, duke e dënuar përfundimisht të pandehurën J.D. me 2 (dy) vjet e 8 (tetë) muaj burgim.
  • Në aplikim të nenit 35 pika 1 të Kodit Penal, heqjen e të drejtës për të ushtruar funksione publike për të pandehurën J.D. për një periudhë prej 5 (pesë) vjetësh.
  • Deklarimin fajtor të të pandehurës L.Sh., për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, në bashkëpunim, parashikuar nga neni 244, paragrafi dytë, në lidhje me 25 të Kodit Penal dhe dënimin e saj me 1 (një) vit burgim.
  • Në aplikim të nenit 406 të K.Pr.Penale, uljen e dënimit me 1/3, duke e dënuar përfundimisht të pandehurën L.Sh. me 8 (tetë) muaj burgim.
  • Deklarimin fajtor të të pandehurit V.T., për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, në bashkëpunim, parashikuar nga neni 244, paragrafi dytë, në lidhje me nenin 25 të Kodit Penal dhe dënimin e tij me 1 (një) vit burgim.
  • Në aplikim të nenit 406 të K.Pr.Penale, uljen e dënimit me 1/3, duke e dënuar përfundimisht të pandehurin V.T. me 8 (tetë) muaj burgim.
  • Deklarimin fajtor të të pandehurit S.Sh., për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, në bashkëpunim, parashikuar nga neni 244, paragrafi dytë, në lidhje me nenin 25 të Kodit Penal dhe dënimin e tij me 1 (një) vit burgim.
  • Në aplikim të nenit 406 të K.Pr.Penale, uljen e dënimit me 1/3, duke e dënuar përfundimisht të pandehurin S.Sh. me 8 (tetë) muaj burgim.
  1. Lënien në fuqi të vendimit për pjesët e tjera të tij.
  1. Shpenzimet gjyqësore në apel i ngarkohen të pandehurve apelues solidarisht.

Sipas SPAK:

Nga aktet e administruara ka rezultuar se e pandehura Joana Duro, me funksionin e lartë shtetëror, Sekretare e Përgjithshme e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, ka përfituar në mënyrë të parregullt vlerën monetare prej 330.000 (treqind e tridhjetë mijë) mijë lekë për të favorizuar shoqërinë “Dricons” sh.p.k, e cila ka fituar fazën e parë të tenderit të shpallur nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale për LOT 1,”Supervizim për rikonstruksionin e disa Qendrave Shëndetësore në Qarqet Tiranë dhe Durrës, me fond limit 805.872 lekë”.

Nga hetimi me metoda speciale është dokumentuar fakti i dërgimit të shumës së parave prej 330 000 (treqind e tridhjetë mijë) lekë nga ana e të pandehurës Laura Shteto tek e pandehura Joana Duro, kjo e fundit me detyrë Sekretare e Përgjithshme në Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale. Kjo shumë parash i është dorëzuar të pandehurës Joana Duro në zyrën e saj në Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, ku dhe është bërë kapja në flagrancë e saj dhe sekuestrimi i kësaj shume monetare.

Nga hetimi ka rezultuar e provuar se se kjo shumë parash është dhënë si përfitim i parregullt nga i pandehuri Vladimir Topi, me detyrë administrator i operatorit ekonomik “Dricons” sh.p.k, i cili ka përfituar në mënyrë të paligjshme nga tenderi i zhvilluar në Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale. Gjithashtu, rezulton se i pandehuri Silvi Shehi, me detyrë inxhinier pranë operatorit ekonomik “Dricons” sh.p.k, pas komunikimit me administratorin e kësaj shoqërie, të pandehurin Vladimir Topi, ka marrë shumën e parave prej 330.000 (treqind e tridhjetë mijë ) lekë nga i pandehuri Vladimir Topi dhe ja ka dërguar të pandehurës Laura Shteto, e cila më pas i ka dërguar tek Sekretarja e Përgjithshme e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Joana Duro, kjo e fundit e kapur në flagrancë me shumën e vlerës monetare të përfituar në mënyrë të parregullt. Hetimet në lidhje me procedimin penal të ndarë vazhdojnë për fakte penale të tjera.

Skema e korrupsionit

Vladimir Topi dhe inxhinierin Silvi Shehi dyshohet se janë personat që ndërhynë duke i dhënë Joana Duros, 330 mijë lekë ryshfet që ajo të ndikonte për t’i shpallur fitues në tenderin për rikonstruktimin e qendrave shëndetësore. Fituesi i tenderit me fond limit 805 mijë lekë është shpallur në 1 qershor, ndërsa SPAK ka ndërhyrë në datën 2 qershor teksa u dha ryshfeti.

Prokuroria e Posaçme thotë se pas hetimeve, rezulton se ka qenë Vladimir Topi, i cili i ka dhënë Duros 330 mijë lekët që ta favorizonte në tenderin e hapur nga Ministria e Shëndetësisë. Sa i takon, inxhinierit të kompanisë, Silvi Shehi, ai ka marrë shumën prej 330 mijë lekë dhe ia ka dërguar Laura Shtetos, specialiste e Nivelit të Lartë në Agjencinë e Ofrimit të Shërbimeve Publike të Integruara. Shteto dhe inxhinieri i kompanisë ‘DRICONS’ kanë bërë lidhjen mes sekretares së Shëndetësisë dhe administratorit Vladimir Topi. Shteto pasi ka marrë lekët nga inxhinieri i kompanisë “DRICONS”, ia ka dërguar sekretares së përgjithshme të Ministrisë së Shëndetësisë

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura