Tymnaja e Sulltanit të madhërishëm në Lezhë

Oct 2, 2015 | 12:08
SHPËRNDAJE

FRANO KULLIfrano-kulli

    I gjithë debati i ndezur këto ditë për një pllakë me mbishkrim arab të shekullit XVI, vendosur sipër njërës prej portave të Kalasë së Lezhës, ku pjesëmarrës janë njerëz të prirjeve e formimeve të ndryshme, interpretë të niveleve të dallueshme kulturore, historianë, por Edhe jo të tillë, kulturologë gjithfarësh e të përkatësive e të religjioneve të ndryshme. Siç rëndom ndodh kësi rastesh ndër ne. Ca hahen fort ndërmjet vedit, ca të tjerë ujdisen në mendime, rroftë “sebepi” e secili armohet e parzmohet për të bërë luftën e vet dhe kështu prej disa ditësh “zjarri” nuk fiket.

Në midis të zjarrit është hedhur pikëpyetja se a duhej vënë saktësisht aty ku është vënë ajo pllakë apo duhej vënë në një tjetër syprinë dere a në ndonjë cep murane të kalasë. Për të përmbushur një nder të harruar të Sulltanit të madhërishëm Sulejman, i cili e paska rindërtuar këtë kala në vitin 1522. E kështu është krijuar një tymnajë si çdo tymnajë që nuk ka thelb, por formë, madje edhe formë aspak të hijshme, po më shumë të pshtirëshme. …Ngjan se është hedhur një gur n’ujë e njëqind të tjerë pastaj… bëjnë ta nxjerrin”. Mirëpo, kësaj here është pak si ndryshe; “gurin” në ujë e ka hedhur e para e këtyre punëve, Ministria e Kulturës, zonja Kumbaro. Ceremonialin e vendosjes së pllakës, pllakë e cila, sipas këshillonjësve të saj qenka e rrallë në viset tona, e ka udhëhequr vetë Zonja ministre dhe unë mendoj se, nëse duhet të debatohet, debati zë fill këtu.

Por, për të shmangur keqkuptimin, do çekur në fillim se Zonja ministre nuk ka bërë ndonjë mëkat të pashlyeshëm në këtë rast, ë, fundja është njëra prej punëve të saj udhëheqëse të merret edhe me monumentet e kulturës (qoftë ai monument edhe një pllakë e shkruar në arabisht gati pesë shekuj më parë) dhe gjithë vlerat e trashëgimisë kulturore të Shqipërisë. Por a e ka zgjedhur mirë rendin e këtyre punëve në Lezhë, zonja ministre?…

Lezha ka një sit arkeologjik, nevoja për ekspolirimin e të cilit është jo vetëm e papërfunduar, po ai është edhe pak i mbrojtur prej agjentëve dëmtues të gjithësojshëm, në radhë të parë prej atyre urbanë. Lezha ka gjithashtu një begati të dallueshme të trashëgimisë kulturore; përpos Gjergj Kastriotit e vendvarrimit të tij, në rrënojat e Kishës së Shënkollit, pak më poshtë në atë areal, në Zadrimë janë vendlindjet e Frang Bardhit (1606-1643), hartuesit të Fjalorit të parë Latinisht–Shqip e Pjetër Zarishit (1806-1866), poetit të parë të letërsisë së re shqiptare, e asnjë pllakë , së paku si epitaf nuk gjendet në Blinisht, në fshatin e tij të lindjes.

Aty, fare pranë, në Fishtë është edhe vendlindja e Gjergj Fishtës-poetit kombëtar, shtëpia e fëmijërisë të së cilit po rrënohet dita-ditës; jo larg asaj kalaje, Hafiz Ali Ulqinaku (1853-1913), i cili ka qenë myfti i Lezhës aty, u mësonte shqip fëmijëve qytetës,  atëherë kur Perandoria Osmane qe akoma në këmbë dhe kjo gjë ishte akoma blasfemi. Në Kallmet ka qenë ipeshkëv Imzot Luigj Bumçi (1872-1945), që ka prirë delegacionin e rëndësishëm shqiptar në Konferencën e Paqes në Paris, duke mundësuar ndaljen e hemorragjisë së copëtimit të tokave shqiptare prej lakmisë së fqinjëve (grekë e italianë) siç ishin dy krahina të rëndësishme, si Korça e Gjirokastra dhe Vlora….

Dhe mund të vijojë lista e vlerave të trashëgimisë kulturore, siç ka në secilën krahinë të Shqipërisë lista të tilla të vlerta. Sigurisht ato janë fondamente të kulturës shpirtërore të shqiptarëve dhe, si të tillë, së paku mjaftueshëm janë në memorien tonë historike e kulturore. Por janë më shumë në mënyrë sporadike e rastësore; asnjëherë nuk ka pasë ndonjë strategji të mirëfilltë për mbarështimin e këtij thesari. Akoma edhe më keq është tani. Asnjë prej këtyre pikave, që secila më vete mund të ishte një qendër e meritueshme e pelegrinazhit kulturor, ku mund të shërbehej njohja me vlerat e kësaj trashëgimie nuk qaset si e tillë. Natyrisht, për t’u bërë këto duhet një strategji e mirëstudiuar, duhet vizion e dije, mbi të cilat hartohen politika të posaçme kulturore, po duhen edhe shërbestarë të zellshëm të kulturës. Ndryshe… merr e bëj ç’të të dalë përpara. Kësaj here doli një pllakë dhe …fap u vendos në hyrje të kalasë…

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura