Tryeza, PS-PD larg marrëveshjes

Mar 31, 2011 | 13:22
SHPËRNDAJE

Demokratët dhe socialistët ende janë larg marrëveshjes për zgjedhjet e 8 majit.Tryeza e dytë e partive parlamentare, e zhvilluar dje në ambientet e Kryesisë së Kuvendit pa praninë e mediave, nuk solli asnjë të re përveç faktit që tashmë palët kanë nisur të negociojnë. Socialistët nuk kanë rrëzuar asnjë nga 16 pikat e draft-marrëveshjes së propozuar nga Astrit Patozi, por kanë tentuar që t’i bashkëngjisin asaj katër nga propozimet e tyre që lidhen me transparencën postzgjedhore, por dhe identifikimin e kartave të identitetit. Mësohet se demokratët janë treguar më të hapur për të pranuar propozimet e socialistëve, por duke këmbëngulur që të mos pranojnë asnjë kërkesë që do të kërkonte ndryshime në Kodin Zgjedhor. Madje dhe ambasadori i OSBE-së në Tiranë, Eugen Wolfarth, ka ripërsëritur qëndrimin e tij të një dite më parë që rregullimet nën frymën e rekomandimeve të OSBE-ODIHR-it të mos prekin ndryshimet në Kodin Zgjedhor. “Jemi të hapur për ndryshime në Kod vetëm nëse propozimet e PS-së kalojnë filtrin e OSBE-ODIHR-it dhe Komisionit të Venecias”, është shprehur nënkryetari i PD-së, Astrit Patozi, dje gjatë tryezës. Por, përfaqësuesi i PS-së, Damian Gjiknuri, këmbënguli se vetëm një prej kërkesave të PS-së që kishte të bënte me transparencën postzgjedhore do të kërkonte ndryshime në Kodin Zgjedhor. Socialistët kanë shtuar në draftin e PD-së edhe kërkesën ndaj KQZ-së që të mundësojë vendosjen e pajisjeve të identifikimit elektronik të kartave të identitetit të paktën në disa qytete kryesore. Pritet që përfaqësuesit e Partisë Socialiste dhe të Partisë Demokratike të zhvillojnë konsultime me ekspertët e OSBE-së në Tiranë, të cilët ata vetë i kanë kërkuar si pjesëmarrës të kësaj tryeze. Palët kanë rënë dakord dje që të mblidhen ditën e premte për të vendosur nëse do të firmosnin ose jo një marrëveshje të përbashkët për zgjedhjet. Në takimin e djeshëm, i cili zgjati rreth një orë, mungonte kreu i Grupit Parlamentar socialist, Gramoz Ruçi dhe kreu i PBDNJ-së, Vangjel Dule, ndërsa ishin të pranishëm përfaqësuesit e PD, PR, LSI-së dhe PDIU.
Propozimet
Në krye të propozimeve të PS-së është transparenca postzgjedhore, si e drejtë e pakufizuar që duhet t’i garantohet pakicës. “… partitë bien dakord të bëjnë menjëherë ndryshimet e nevojshme ligjore menjëherë për garantimin e transparencës postzgjedhore të procesit, duke krijuar aksesin e duhur në të gjithë materialin zgjedhor për qëllime hetimore apo për çdo aspekt tjetër që ndikon në rritjen e transparencës ndaj publikut dhe autorëve të përfshirë në këtë proces. Gjithashtu, PS shprehet në propozimin e saj që “partitë politike t’i kërkojnë qeverisë që në bashkëpunim me KQZ të mundësojë vënien e pajisjeve të leximit për letërnjoftimet elektronike në qendrat e votimit, qoftë edhe vetëm në disa zona urbane për kohën e mbetur, me qëllim shmangien e votimit familjar apo fiktiv”. Tryeza pritet të mblidhet ditën e premte dhe dita e sotme do të shërbejë për të përcaktuar më mirë mes përfaqësuesve të PS dhe PD për të përgatitur variantin përfundimtar të marrëveshjes së partive parlamentare për zgjedhjet e 8 majit.

Bylykbashi: PS pranoi marrëveshjen tonë

Eksperti për çështjet zgjedhore në Partinë Demokratike, Oert Bylykbashi, tha dje se kërkesat e Partisë Socialiste nuk cenojnë Kodin Zgjedhor. “Partia Socialiste me sa duket i ka pranuar të gjitha propozimet që bëmë ne në marrëveshjen e djeshme, për shkak se nuk kanë bërë asnjë ndryshim nga teksti që ne kishim propozuar. Kjo vërteton se jo vetëm marrëveshja bazohet në mënyrë solide në rekomandimet e OSBE-ODIHR-it dhe në Kodin Zgjedhor, por është edhe plotësisht e zbatueshme me vullnet të mirë politik. Nga ana tjetër, ne do t’i shohim me kujdes të gjitha propozimet, kemi marrë kohën e përbashkët deri ditën e premte, për të gjykuar me kujdes përsa i përket aspektit të përfshirjes në mënyrë që këto kërkesa që ata kanë nuk janë të tilla që janë të pazbatueshme, ose që mund të cenojnë procesin”, tha Bylykbashi.

Topalli: Deputetët e opozitës të votojnë ligjet me dy të tretat

Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, i bëri thirrje dje sërish opozitës të votojë ligjet që kërkojnë 2/3. “Unë si kryetare e Kuvendit, e ftoj opozitën që t’i bashkohet me votat e saj votave të maxhorancës për të kërkuar dhe për t’i kaluar këto ligje nga të cilat varet procesi i avancimit të procesit të integrimit. Kujtoj që në 8 vite opozitë nuk mbaj mend një rast që si opozitare të mos kem votuar ndonjë ligj që kishte të bënte me integrimin. Në 100% të rasteve ne kemi votuar çdo ligj që kishte të bënte për integrimin”, tha Topalli gjatë një konference për shtyp me homologun hungarez Laszlo Kover. Zyrtari i lartë nga Budapesti tha se “në një vend ku 90% e popullsisë mbështet anëtarësimin në Bashkimin Europian, çdo politikan dhe çdo parti duhet të japë mbështetjen e vet për integrimin në Bashkimin Europian. Nëse dikush e bën këtë, atëherë kjo do të thotë që ose ai person, ose parti, nuk i ka të qarta rregullat e demokracisë, ose nuk është i interesuar për atë që aspiron shumica e popullsisë”.

Gjiknuri: Transparenca pas zgjedhjeve
Përfaqësuesi i Partisë Socialiste, Damian Gjiknuri, pas tryezës së djeshme e cilësoi si të rëndësishme çështjen e transparencës postzgjedhore. “Partia Socialiste, në funksion të tryezës së zhvilluar edhe dje, e nisur edhe nga qëllimi i mirë për të arritur një marrëveshje për ato pika esenciale që ne i kemi nxjerrë problem për zgjedhjet vendore, kemi bërë një sërë propozimesh te drafti që ka përgatitur Partia Demokratike, pra si një vullnet i mirë për të gjetur një zgjidhje para këtyre zgjedhjeve, pikërisht për ato kushte që ne i kemi quajtur esenciale për zgjedhjet vendore. Përveç pjesës që i takon transparencës postzgjedhore dhe që nuk ka efekte të menjëhershme në proceset e filluara, asgjë tjetër nuk ka të bëjë me Kodin, pra vetëm aspekti i transparencës postzgjedhore, gjë që fillon i shtrin efektet pas përfundimit të zgjedhjeve vendore”, tha Gjiknuri.

 

ARISTIR LUMEZI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura