Tronditet Kombëtarja, Mavraj humb dy ndeshjet

Aug 31, 2013 | 13:50
SHPËRNDAJE

Tronditet Kombëtarja shqiptare në prag të dy ndeshjeve të rëndësishme kundër Sllovenisë dhe Islandës më 6 dhe 10 shtator. Qendërmbrojtësi Mërgim Mavraj ka pësuar një dëmtim në gju dhe ka munguar në takimin e djeshëm të Grojter Fyrthit përballë FSV Frankfurtit të Kapllanit dhe Roshit. Lojtari ka pohuar dje vonë se do të mungojë edhe në dy ndeshjet e përfaqësueses. “Po jam dëmtuar në gju dhe nuk do të mund të vij për dy ndeshjet e radhës të Kombëtares”, ka thënë dje Mavraj për të përditshmen kosovare “Koha ditore”.
Dëmtimi
Mavraj do t’i humbë dy ndeshjet e radhës sepse dëmtimi në gju është më shqetësues se sa pritet. Burime pranë FSHF-së, të cilat kanë pasur kontakte me lojtarin dje, pohojnë se dëmtimi ishte serioz. Në fillim shtypi gjerman pati njoftuar se Mavraj ishte dëmtuar në muskujt e kofshës së djathtë, por më pas u saktësua se qendërmbrojtësi i Shqipërisë ka probleme në gju pas një përplasjeje në stërvitje. Takimi përfundoi 1-1 dhe Kapllani luajti si titullar dhe u zëvendësua në minutën e 87-të, ndërsa Roshi u aktivizua në minutën e 66-të. Në derbin e shqiptarëve mungoi edhe Ilir Azemi, gjithashtu i dëmtuar.
Alternativat
Në rast se do të konfirmohet mungesa e qendërmbrojtësit kosovar, atëherë me shumë gjasë në vend të tij pritet të luajë një mes Telit, Currit dhe Osmanit. Kujtojmë se i dëmtuar është edhe qendërmbrojtësi tjetër i Shqipërisë, Ilir Berisha, i cili aktivizohet te skuadra suedeze e Orebros.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura