Tritoli te biznesmeni, gjykata i heq akuzën 15-vjeçarit të arrestuar

Jan 31, 2014 | 12:32
SHPËRNDAJE

Shpërthimi në banesë
SHKODER – Prokuroria nuk arriti të provojë akuzën ndaj 15–vjeçarit M.G. për vendosje të lëndës plasëse në banesën e tregtarit Edmond Çanga. Për kryesuesin e trupit gjykues Arbër Çela, ka mjaftuar fakti që në banesën e Gurit është gjetur një armë zjarri automatik pa leje dhe të vendosë masën e sigurisë “arrest me burg” ndaj të miturit. Dje Policia e Shkodrës ka bërë të mundur edhe arrestimin e personit të dytë që ishte në kërkim, 22-vjeçarit Shkëlzen Zveja. Ai është i dyshuar në lidhje me vendosjen e lëndës plasëse në banesën e 34-vjeçarit tri ditë më parë. Edhe gjatë seancës së djeshme, i mituri e ka mohuar faktin që të kishte lidhje apo dijeni për vendosjen e lëndës plasëse në banesën e Çangës. Prokurori i çështjes ka kërkuar masën e sigurisë arrest me burg për 15-vjeçarin për “vendosje të lëndës plasëse në bashkëpunim dhe dëmtim të pronës së tjetrit”, si dhe “armëmbajtje pa leje”. I mituri ka pohuar se nuk kishte dijeni për shpërthimin, ndërsa armën e kishte gjetur në një kosh plehrash dhe se prindërit e tij do ta dorëzonin në polici. Në fund të seancës, trupi gjykues e la në burg të miturin vetëm për armëmbajtjen pa leje, pasi nuk kishte prova për akuzën e vendosjes së tritolit. Pritet që i arrestuari i dytë, Shkëlzen Zveja të rrëfejë rrethanat e krimit, pasi sipas policisë ai është organizatori i vendosjes së tritolit për motive të dobëta në derën e biznesmenit të makinave në Shkodër.                                    r.d

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura