Tri mesazhe në këtë përvjetor historik

Nov 30, 2012 | 11:45
SHPËRNDAJE

GENTI MIHO

Para një viti, profesoresha Deborah Hughes Hallett e quajtur ndryshe në Harvard Zonja e Matematikës, u kërkoi studentëve të analizonin statistikisht zgjedhjet e fundit në Tiranë, nëse ato ishin manipuluar. Studentët e bënë “ushtrimin” në mënyrë individuale. Ata vendosën unanimisht se mundësitë ishin më pak se një në tetëdhjetë mijë që numërimi i votave të ishte i ndershëm dhe i saktë, megjithëse statistikisht mundësia nuk përjashtohej. Dikush përmendi me shaka që probabilitet më të lartë ka një kometë të godasë planetin tonë, se numërimi i saktë i votave. Analiza statistikore e zgjedhjeve është bërë edhe më parë, por në këtë rast tetëdhjetë studentë që përfaqësonin më shumë se dyzet vende të botës, mes të cilëve ministra, drejtues korporatash shumëkombëshe apo diplomatë, dolën në të njëjtin përfundim, pa asnjë përjashtim.
Në prezantimin që vijoi në auditor fola për situatën politike në Shqipëri. U tregova kolegëve dhe shokëve të mi se kjo situatë mund të ndodhte pavarësisht nga forca politike në pushtet, kryesisht për mungesë të traditës dhe kulturës demokratike në vend. Fola edhe për popullin tonë të mençur dhe fuqinë e tij.
Tregova se si në vitin 1996, në Shkodër vota e popullit dënoi papritshëm Partinë Demokratike dhe arrogancën e saj duke i dhënë fitoren së Djathtës së Bashkueme Shkodrane, se si në vitin 2005 Shqipëria penalizoi Partinë Socialiste pas tetë vitesh të rehatshme në pushtet. Në zgjedhjet e fundit, dallimi në Tiranë ishte vetëm disa dhjetëra vota, edhe ato të kontestueshme. Në këtë përvjetor të pavarësisë shqiptarët festojnë kudo frytin e përpjekjeve të tyre historike që të jetojnë së bashku të lirë dhe në paqe, por i gëzohen edhe vullnetit të tyre të lirë që vendos përfundimisht në votime për të ardhmen e tyre.
Kjo situatë sjell pasiguri të tejskajshme për politikanët dhe karrierën e tyre politike, nganjëherë edhe dëshpërim. I detyron të majtët të varin shpresat për marrjen e pushtetit në metoda të habitshme si bojkotimi i Parlamentit. Nga ana tjetër, aleanca e fundit e të djathtëve me komunistët, e portretizuar si arritje politike, nuk ishte e tillë, as moskokëçarje apo mospërfillje. Përkundrazi. Ishte një stërmundim i vërtetë për të fituar zgjedhjet. Politikanët nuk i zë gjumi sepse standardet për të fituar besimin e shqiptarëve janë gjithnjë e më të lartë. Në këtë situatë vetëdijësimi i shqiptarëve për rëndësinë e votimit me vullnet të lirë është po aq vendimtar sa vota e tyre. Sa më të sofistikuar janë politikanët, aq më i rëndësishëm bëhet vetëdijësimi i popullit për të votuar me vullnet të lirë.
Megjithëse disa politikanë tërthorazi japin përshtypjen e rreme që rezultati përfundimtar i votimeve mund të kontrollohet nga të plotfuqishëm, faktet flasin ndryshe: shqiptarët e gjejnë mënyrën për të rrëzuar një parti politike kur dëshirojnë. Kjo tregon se sfidat kryesore me të cilat përballemi këta njëzet vjet nuk janë politike. Ato mund të jenë të sektorit privat. Edhe pse qeveri të ndryshme kanë pasur sukses të prekshëm ekonomik dhe të gjithë politikanët nuk rreshtin përpjekjet për të ndihmuar biznese të caktuara, progresi në sektorin privat mbetet i ngadaltë. Kompanitë e mesme dhe të mëdha shqiptare akoma nuk janë në gjendje të konkurrojnë denjësisht në arenën botërore me produkte e shërbime komplekse dhe me emra të njohur.
Suksesi i tyre është bërë i domosdoshëm për vetë kompanitë dhe faktor kyç për zhvillimin e vendit. Kompanitë rrezikojnë shumë duke mos e marrë seriozisht hyrjen në tregjet ndërkombëtare. Me përparimin e teknologjisë dhe rritjen e globalizimit, konkurrenca mund t’i detyrojë ato të shkojnë drejt falimentimit, krejt papritur, në shtëpi të vet, sado të mëdha e të fuqishme të duken. Për këtë arsye, rritja e transparencës për të akumuluar më shumë kapital dhe transformimi i bordeve të kompanive me profesionistë të specializuar në fusha të ndryshme janë të domosdoshme, mes të tjerash. Për ta realizuar, energjia potenciale e shqiptarëve në Ballkan duhet të kthehet në kinetike nëpërmjet strukturave organizative dhe krijuese që shikojnë përtej rolit të individëve dhe qëllimeve afatshkurtra. Ky objektiv nuk është vetëm idealizëm. Është e vetmja mënyrë e provuar deri tani për të zhvilluar bindshëm një shtet.
Kur kompanitë kanë sukses në rang botëror, fitimet rriten ndjeshëm dhe shpejt dhe roli i tyre bëhet më i rëndësishëm edhe për vendin. Kompanitë mund të financojnë kauza të ndryshme, jo vetëm për përfitim ekonomik apo për influencë politike. Me financimet e tyre krijojnë mundësi për pjesëmarrje më të gjerë në shoqërinë civile dhe përfaqësojnë indirekt mënyrën më të sigurt për konsolidimin e pavarësinë e institucioneve shtetërore. Janë edhe baraspeshë për politikanë të uritur kur ndërrohet pushteti. Sidomos zhvillimi i shoqërisë civile ka nevojë për fonde të cilat nuk mund të vijnë përjetësisht nga vende mike dhe nevojiten në shuma më të mëdha se sa mund të financojnë të huajt për një vend tjetër.
Për këtë diaspora duhet të luajë rol më të rëndësishëm. Përpara njëqind vitesh, diaspora në Amerikë, me fondet e saj lëshoi pasaportën e parë të shtetit të parë shqiptar. Sot, megjithëse shqiptarët përparojnë kudo në botë individualisht, nuk kanë një motiv gjithëpërfshirës si pavarësia e Shqipërisë apo e Kosovës, as një model pjesëmarrjeje për të bashkërenduar përpjekjet e tyre, të cilat mbeten iniciativa të izoluara. Ky fenomen nuk është për mungesë aktivizimi apo paaftësie për të punuar në grup, por për shkak të mungesës së hapësirës për veprim.
Kompanitë janë një nga platformat konkrete për të bashkërenditur përpjekjet e shqiptarëve jashtë dhe brenda vendit dhe për të krijuar mundësi të vazhdueshme për t’u përfshirë, jo vetëm në investime, por edhe për të ndarë eksperiencën nga vende të huaja që nuk gjendet në vend. Zhvillimi i teknologjisë, ulja e kostove të transportit dhe konsolidimi ekonomik i shqiptarëve ku ata jetojnë, po edhe hyrja e pritshme në Bashkimin Europian, krijojnë mundësi reale për një model të ri lidhjesh me vendin e tyre. Duke eksploruar mënyra të ndryshme në distancë apo qëndrime afatshkurtra nëpërmjet sektorit privat apo shoqërisë civile, diaspora mund të ruajë identitetin që ndihmon jo vetëm në planin kombëtar, por edhe atë personal, duke jetuar një jetë më të plotë, tani dhe në brezat që vijnë.
Rritja e vetëdijes së shqiptarëve për rëndësinë e votimit me vullnet të lirë, hyrja me vetëbesim në tregje ndërkombëtare dhe përfshirja e gjerë e diasporës në ndërtimin e vendit do të rihapin shtigjet që shqiptarët të japin kontributin e tyre edhe për përparimin e qytetërimeve botërore, siç kanë bërë tradicionalisht në shekuj, përsëri si luftëtarë të pashoq e të paepur dhe udhëheqës të natyrshëm e të sprovuar. Këtë radhë “lufta” nuk do të jetë në rolin e një perandori romak apo komandanti në Perandorinë Otomane, por për të përçuar forcën dhe vlerat më të mira të popullit tonë, pjesë e “veçantisë shqiptare”. T’u tregojë popujve të shtypur se si një vend që dëshiron lirinë me çdo kusht, mund t’u rezistojë kohërave dhe të fitojë, kundër të gjitha shanseve, si rrallë të tjerë; të jetë shembull se si një komb mund të krijohet natyrshëm në malet e veta për qindra vite para se të realizohet si shtet, ndërsa historia ka treguar se të tjerë krijohen si monarki dhe pas qindra vitesh akoma përpiqen të krijohen si kombe; se si fisnikëria dhe optimizmi i tij mbeten gjallë edhe pas një prej diktaturave më të ashpra të shekullit XX; se si trajtoi e ndihmoi njësoj të persekutuarit dhe pushtuesit gjatë Luftës së Dytë Botërore, me të njëjtën dhembshuri që Nënë Tereza ndihmonte njerëzit e varfër në të gjithë botën.
I madhi Fan Noli nxirrte në pah virtytet e larta të popullit shqiptar si i vetmi në botë me prift kryeministër, në një vend me shumicë myslimane, ndërsa Mbreti Zog pasonte me ndërrimin e emrit nga Ahmed në Ahmet për të qenë më afër edhe shqiptarëve të krishterë, jo vetëm myslimanëve. Këto mund të duken gjëra të vogla dhe është e vërtetë që për shqiptarët janë të tilla, por mbeten të pazgjidhura për vende të fuqishme dhe të zhvilluara. Në Lindje të Mesme shkaktojnë ende viktima të pafajshme dhe rrezik për paqen dhe rendin botëror, ndërsa shteti i porsakrijuar federativ i Europës do të ishte jashtë rrezikut dhe në ekuilibër sikur të mund të trajtonte njësoj jugorët me veriorët.
Shqiptarët mund të japin kontribut të vlefshëm në botë, por, njëherazi, duhet të përparojnë më shpejt ekonomikisht dhe të ndërtojnë institucione më të forta. Në këtë përvjetor të pavarësisë janë në pozitën më të favorshme të mundshme në histori dhe duhet të përfitojnë nga kjo mundësi e rrallë që përbën një “anomali” historike, për të siguruar një të ardhme më të sigurt. Shqiptarët e të gjitha vendeve duhet të bashkohen, në radhë të parë me dijet dhe aftësitë e tyre.

* Autori ka mbaruar studimet për “Master” në Administrim Publik në Harward Kennedy School në SHBA dhe “Master” në Administrim Biznesi në INSEAD (Francë dhe Singapor), dhe tani jeton në Washington DC. Lexuesit mund t’i shkruajnë në adresën [email protected]

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura