Tri ligjet, Fyle vjen në Tiranë

Jan 31, 2013 | 12:00
SHPËRNDAJE

Ngërçi politik në Shqipëri do të sjellë sërish në Tiranë Komisionerin për Zgjerimin në Komisionin Europian, Stefan Fyle, i cili tashmë ka programuar vizitën zyrtare për ditën e hënë. Komisionari Fyle do të tentojë për të fundit herë arritjen e një kompromisi midis partive politike në Shqipëri, për plotësimin e tri kushteve të vendosura nga Komisioni Europian për të marrë statusin e vendit kandidat. Komisioneri për Zgjerimin në KE ka programuar takime me dy liderët kryesorë, Kryeministrin Sali Berisha dhe kryesocialistin Edi Rama. Gjatë takimeve me dy krerët kryesorë, Fyle do të tentojë të ndërmjetësojë për të arritur një kompromis të munguar deri më tani, për tri reformat e mbetura pezull që nga viti i shkuar. Dy ditë më parë, në Bruksel, duke folur në një konferencë për Ballkanin të organizuar nga e djathta europiane, komisioneri Fyle u shpreh se: “Do të ishte mëkat nëse kjo çështje nuk do të tejkalohej. Shqipëria ka një shans për ta marrë statusin në qershor, por brenda pranverës ajo duhet të miratojë tri reformat, në mënyrë që komisioni t’u paraqesë rekomandimin e tij vendeve anëtare”.
Misioni
Komisioneri Stefan Fyle do të bëjë një përpjekje personale për të çuar drejt kompromisit shumicën dhe opozitën në Shqipëri, në mënyrë që vendi të ketë një shans për të marrë statusin kandidat qershorin e ardhshëm. Vizita e tij këtë herë ka vetëm një objektiv, të mund të zgjidhë ngërçin që ka mbajtur të bllokuar avancimin e Shqipërisë në rrugën e integrimit europian. Tetorin e kaluar, Komisioni u rekomandoi vendeve anëtare dhënien e statusit Shqipërisë, me kusht që të miratohej reforma parlamentare, ndryshimet në ligjin për Gjykatën e Lartë dhe në atë të nëpunësit civil. Opozita e kushtëzoi një kompromis të mundshëm me zgjidhjen e çështjes së Qarkut të Fierit, ku ajo pretendon se shumica ka uzurpuar drejtimin e tij. Për shkak të kësaj përplasjeje në dhjetor, vendet anëtare të BE nuk morën dot një vendim për Shqipërinë, duke lënë të hapur mundësinë që të shqyrtojnë kërkesën e saj për anëtarësim sapo të ketë përmbushur detyrimet e përcaktuara nga Komisioni. Në Bruksel, gjatë një konference për Ballkanin, Komisioni Europian në pranverë, theksoi Fyle do të përgatisë raporte të reja mbi ecurinë e vendeve kandidate dhe potencialisht kandidate nga Ballkani, në mënyrë që shtetet anëtare të kenë kohë për të vlerësuar dhe marrë vendime para mbledhjes së Këshillit të Ministrave në qershor”.

Fation Binjaku

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura