Tri ligjet dhe gjimnazistët

May 31, 2013 | 13:05
SHPËRNDAJE

MENTOR NAZARKO

Parlamenti dje miratoi tri ligjet e famshme, të ashtuquajtura të integrimit, në kohën limit të funksionimit të vet, ndërsa fushata elektorale ka marrë tone të forta, agresive, madje dhe me sulme personale. Në këtë kuptim, edhe ligjet e famshme që kanë përmbajtje të caktuar u bënë pjesë e fushatës, aq sa askush nuk diskuton për risitë që sjellin ligjet në tekstet e tyre.
Njëri prej ligjeve lidhet me administratën publike, me garancitë në funksionimin e saj, i cili me shumë gjasë, i hartuar me asistencën e Bashkimit Europian, duhet të jetë ligj i plotë, e që reflekton problemet ekzistuese në qëndrueshmërinë e kësaj administrate. Por fushata, me egërsinë e saj, përveç këtij problemi, ka evidentuar lakuriq një problem tjetër të madh: politizimin dhe përdorimin banal të saj. Rasti më flagrant ishte ai i drejtoreshës së një gjimnazi, që në historinë e vet është elitar, por që me figura të tilla drejtuese, militante të egra, më shumë madje edhe se shefi i tyre, Kryeministër, druaj se ka mbetur i tillë. Fjala është për drejtoreshën e gjimnazit “Qemal Stafa”, e cila pa skrupujt ligjorë të Kryeministrit, i cili nuk ia përmendi emrin dhe vendin e punës, u përfshi në polemikë me kreun e opozitës. Janë disa mesazhe prej asaj polemike, që në dritën e ligjit të ri për administratën publike fiton një rëndësi të veçantë.
Së pari, si me afishimin e kësaj drejtoreshe në një intervistë, si me llojin e bisedës që ka bërë me kreun e opozitës, ashtu edhe me rastin e denoncuar prej Ramës te kjo zyrtare, ne kuptojmë sesa shumë të përfshirë në fushatën elektorale të qeverisë janë titullarët e gjimnazeve apo të shkollave të mesme. Në favor të kësaj teze, vijnë dhe fakte të tjera të pafundme, të denoncuara që nga “Fiks Fare”, ashtu dhe nga jeta e përditshme. Nxënësit e këtyre shkollave rekrutohen për anëtarësi në Partinë Demokratike, detyrohen të marrin pjesë në mitingjet e kësaj partie, lënë mësimin, manipulohen me provimet e humbura, me rezultatet në mësime etj, etj. Duke shtuar këtu edhe mbrojtjen e hapur që Kryeministri i bëri kësaj zonje, thirrjen e tij publike, të kundërligjshme, antikushtetuese, që “mësuesit të bëjnë propagandë në shkollë se nuk janë në laboratorë”, atëherë jemi përpara një rasti flagrant të dhunimit të lirisë së individit, apo të rinisë në një fazë delikate të jetës së tyre. Ndërsa mund të kuptojmë deri diku propagandën që bëhet në universitete, sepse subjektet apo viktimat e tyre janë të rinj që kanë kaluar moshën e zotësisë ligjore, ky dhunim i mendjes së të rinjve dhe lirisë së tyre për të zgjedhur është me të vërtetë shumë arrogant dhe i padurueshëm. Në favor të kësaj teze, të ngritjes së një sistemi të fortë, funksional të manipulimit të mendjes së rinisë në moshën e adoleshencës, vjen dhe thirrja  tjetër, që Kryeministri bëri në prag të fushatës, ajo që kërkonte votën e 16-vjeçarëve. Duket se informacionet që atij i vinin prej kësaj pjese të egër të fushatës së tij, pra asaj të orientuar në shkollat e mesme, ishin shpresëdhënëse për kreun e qeverisë, aq sa ai në stilin e vet të entuziazmit momental hodhi idenë e votës për 16-vjeçarët, një iniciativë tërësisht manipuluese, thuajse e paprecedentë në Europën Perëndimore.
Së dyti, fokusimi i fushatës te kjo pjesë e popullsisë, nëpërmjet përdorimit të administratës publike – gjegjësisht personelit mësimdhënës, lidhet me kërkimin e dëshpëruar të votës prej Qeverisë te votuesi i herës së parë. Në përpjekje për të përmbysur rezultatet në qarqe të caktuara, fitimi i votës shtesë te të rinjtë që sapo kalojnë moshën 18-vjeçare, moshë kur ata manipulohen më lehtë sesa në një moshë tjetër, ngjan se është objektiv primar i kësaj fushate. Kështu shpjegohet dhe përqendrimi intensiv i fushatës së Kryeministrit edhe publikisht te këto mosha, me mesazhe të orientuara drejt tyre, etj, etj.
Së treti, përdorimi i kësaj pjese të administratës publike, të personelit mësimdhënës në funksion propagandues, manipulues, madje dhe shtrëngues të vullnetit të rinisë, diçka që madje mund të dënohet edhe penalisht, tregon sesa mbrapa është Kryeministri në mentalitetin e vet prej njeriu që udhëheq shtetin për një kohë të gjatë. Qasja që ai ka në përgjithësi ndaj administratës publike, të parcelizuar mbi baza partiake (edhe prej paraardhësve të vet socialistë), marrja rob e kësaj administrate, në veçanti e mësuesve, të cilët për shkak të rritjes së rrogave që kanë njohur duhet t’i jenë mirënjohës kësaj partie, është e kohës së komunizmit, e sistemit monist të partisë-shtet.
Nisur nga këto elemente, përpara opinionit publik, shoqërisë civile qëndron si urdhëror kategorik denoncimi i këtyre rasteve të përdorimit të të rinjve, të gjimnazeve etj., duke i veçuar nga rastet e tjera të përdorimit të administratës publike, të fondeve publike, të celularëve publikë, të hapësirave publike të rrugëve, të pushtuara nga flamujt partiakë. Ky dhunim i lig, i turpshëm i lirisë për të cilën flet aq shumë Kryeministri, ky cenim barbar i shumë të drejtave elementare njëherësh, është një faqe e turpshme e politikës, që s’duhet lejuar më. Një reagim i fortë sot, do të parandalonte apo do bënte të mendohej çdolloj qeverisjeje nesër. Këto janë disa prej mesazheve që vijnë prej rastit të drejtoreshës, e cila edhe më militante se Kryeministri guxoi të dilte me zë dhe figurë përballë kreut të opozitës. Zoti Rama mund të ketë boll mëkate dhe nuk është kampioni i edukatës, por në atë rast, siç e tregonte përmbajtja e mesazheve, nuk dhunoi askënd. Ai thjesht zgjodhi, ndoshta në një mënyrë jo aq shumë elegante, të reagonte ndaj agresionit barbar që i bëhet rinisë së gjimnazeve nga ana e qeverisë, apo përdorimit ushtarak të mësuesve të tyre. Rruga më e drejtë do të ishte denoncimi publik i këtyre rasteve që na sjellin ndërmend sesa larg jemi nga Bashkimi Europian, pavarësisht miratimit të këtyre tri ligjeve. Opozita ndërkohë duhet të zotohet seriozisht se do të heqë dorë nga përdorimi i administratës, se do të respektojë ligjin dhe Kushtetutën ndaj saj. Nuk ka shtet modern pa administratë moderne. Një shtet që përdor administratën siç na tregoi “Qemal Stafa ”, është shtet kuazi monist, një regjim, dhe opozita duhet të japë garanci se do ta ndërpresë këtë lloj përdorimi, këtë lloj parcelizimi partiak të administratës, këtë dhunim të mendjes dhe lirisë së të rinjve.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura