Trefishohet droga e sekuestruar

Apr 30, 2012 | 14:19
SHPËRNDAJE

Bernard Çaushaj, kreu i Policisë së Tiranës

Analiza, rritet besimi i qytetarëve te Policia, shtohet droga e bllokuar dhe goditja e krimeve kundër pronës.

Tiranë, 10 operacione më shumë kundër grabitësve se në vitin 2011.

Një analizë statistikore e treguesve të punës së Policisë së Tiranës tregon se gjendja e kriminalitetit ka ndryshuar në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Numri i telefonatave që mbërrijnë çdo ditë në Sallën Operative të Policisë, është rritur duke kapur një mesatare rreth 60 telefonata në 24 orë. Sipas të dhënave, aktualisht në polici bëhen 20 njoftime më shumë përmes Sallës Operative, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Ky tregues flet për rritjen e besimit të publikut tek Policia e Tiranës dhe si shembull konkret konsiderohet edhe rasti i arrestimit të Viktor Gushit. Telefonatat kanë rritur edhe volumin e informacionit që merret nga sektorët e hetimit. Në rastin e Sektorit Kundër Trafiqeve të Paligjshme, kryesisht në seksionin Kundër Drogës, rezulton të ketë një rritje të ndjeshme informacioni që vjen nga qytetarët. Sipas burimeve zyrtare, në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, gjatë tre muajve të fundit janë rritur me 70 për qind informacionet nga qytetarët për shpërndarjen e drogës në Tiranë. Kjo shifër përkthehet në një shenjë besimi që qytetarët kanë krijuar tashmë për Policinë, duke dhënë edhe rezultate mjaft të larta në goditjen e grupeve që shpërndajnë, por edhe atyre që trafikojnë lëndë narkotike. Shembull konkret i goditjes së trafikut të lëndës narkotike, që çoi në sekuestrimin e rreth gjysmë toni kanabis sativa, ishte rasti i bllokimit të një kamioni me bimë narkotike që kishte destinacion Zvicrën.
Analiza e kriminalitetit
Gjatë tre muajve të parë të këtij viti, Policia e Tiranës ka hartuar plane konkrete masash për goditjen e grupeve me tendencë vjedhjen e pasurisë së qytetarëve, parandalimin e vrasjeve, duke sekuestruar dhjetëra armë zjarri, si dhe goditjen e grupeve që shpërndajnë lëndë të ndryshme narkotike. Nga statistikat e Policisë për këtë periudhë që është analizuar, rezulton të jenë sekuestruar 1.630 kilogramë heroinë, ose 1.5 kilogramë më shumë se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Gjithashtu 677 kilogramë kanabis sativa, ose 300 kilogramë më shumë, 2.120 kilogramë kokainë, ose 2 kilogramë më shumë se e njëjta periudhë e vitit të kaluar. Gjatë kësaj kohe janë sekuestruar edhe 150 tableta substanca narkotike të llojit ekstazi, ndërsa vitin e kaluar nuk ka pasur raste të tilla. Në kuadër të luftës kundër drogës, Policia e Tiranës ka ndërmarrë një plan masash, që konsiston në bashkëpunimin mes nxënësve, qytetarëve e komisariateve, për parandalimin e shitjes e përdorimit të drogës në shkolla. Gjithashtu rezulton që gjatë këtyre tre muajve numri i rasteve të vjedhjes së pasurisë ka pësuar një rënie me 30 për qind në krahasim me vitin e kaluar. Policia e kryeqytetit ka realizuar 10 operacione për arrestimin e autorëve të përfshirë në vjedhje makinash, lokalesh, bastesh sportive, banesash, vjedhje me dhunë në rrugë, në një kohë që vitin e kaluar është realizuar vetëm gjysma e aksioneve të tilla.

STATISTIKA
60 telefonata në ditë në Sallën Operative, ose 20 më shumë se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar
1.630 kg heroinë, ose 1.5 kg më shumë
677 kg hashash, ose 300 kg më shumë
2.120 kg kokainë, ose 2 kg më shumë
150 tableta ekstazi, vitin e kaluar nuk ka pasur raste
70 për qind informacione më shumë nga qytetarët për shpërndarjen e drogës në Tiranë
30 për qind më pak vjedhje se vitin e kaluar
10 operacione për arrestimin e autorëve të përfshirë në vjedhje të pasurisë, dy herë më shumë se vitin e kaluar

ETLEVA DELIA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura