Tre këshilltarë të PS shkojnë te LSI

Jan 31, 2013 | 12:58
SHPËRNDAJE
Selia e Partisë Socialiste në Sarandë

Largohen nga partia dhe nga të gjitha përfaqësimet e tjera politike të saj tre këshilltarë të PS-së në Këshillin Bashkiak të Sarandës, duke iu bashkuar LSI-së.
Delfin Hajno, Enkeleda Vasili e Hajri Goxhaj, këshilltarë të grupit socialist në Këshillin Bashkiak të Sarandës, përmes një deklarate drejtuar kryetarit të PSSHsë Edi Rama, kreut të PS-së së Sarandës Feruz Basho dhe Asamblesë së Partisë Socialiste dega Sarandë, kanë njoftuar vendimin për largimin e tyre nga PS-ja. “Iu bëjmë me dije largimin nga PS-ja nisur nga fakti se programi dhe udhëheqja aktuale e PS nuk përfaqëson më interesat dhe idetë e së majtës shqiptare”. Sipas tyre, PSja përfaqësohet nga grupe interesi që kanë për qëllim pushtetin dhe pasurimin e tyre. “Mungon demokracia në organizimin dhe funksionimin e strukturave brenda partisë. Në këtë parti nuk vlerësohet individi, nuk mbështeten vlerat, nuk mbështetet rinia dhe aq më pak femra, pavarësisht sloganit që ka kjo parti. Mungesa e frymës bashkëpunuese jo vetëm brenda strukturës partiake në Sarandë, por edhe në strukturat më të larta organizative të Partisë Socialiste, e kanë bërë të pamundur përfaqësimin tonë dhe aq më pak të qytetarëve që ne përfaqësojmë. Prandaj bëjmë me dije largimin tonë nga kjo parti dhe nga të gjitha përfaqësimet politike që ne kemi”, përfundon deklarata e tre anëtarëve të larguar. Pas largimit të tyre u mblodhën strukturat e PS-së dhe u vendos përjashtimi i tyre nga radhët e kësaj partie. Kreu i PS-së së Sarandës, Feruz Basho, pranoi dje largimin e tre anëtarëve. “Sot, përmes një deklarate të nënshkruar nga Delfin Hajnaj, Enkeleda Vasili e Hajri Goxhaj, jam sinjalizuar për largimin e tyre nga PS-ja e njëkohësisht edhe nga grupi i këshilltarëve socialistë në Këshillin Bashkiak të Sarandës. Personat që u larguan nga familja e madhe socialiste kanë me vete edhe ngarkesën e votave të elektoratit dhe, si të tillë, duhej të ishin treguar më të përgjegjshëm për hapin e gabuar që ata hodhën. Këta persona kishin disa muaj që kishin thyer në vazhdimësi vendimet politike të partisë”, u shpreh Basho. Në emër të forumeve të partisë, ai i kërkon ndjesë elektoratit socialist për zgjedhjen e gabuar të këtyre emrave si anëtarë të Këshillit Bashkiak pa përmbushur kriteret e nevojshme.

SARANDE/ SHPRESA DINE

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura