Transferta trepikëshe, barazon vetëm Laçi

Oct 31, 2011 | 12:13
SHPËRNDAJE
Ndeshja Apolonia-Tirana 1-2

Kanë rezultuar fatsjellëse transfertat e djeshme për të paktën tri skuadra: Tirana, Teuta dhe Kamza, të cilat dolën me pikë të plota. Sakaq, vetëm Laçi nuk arriti të shkojë më shumë se një barazim në Peqin ndaj Shkumbinit. Tirana ka fituar me shumë vështirësi në Fier përballë vendësve të përgatitur gjatë gjithë javës nga Stavri Nica, por të dirigjuar në pankinë nga Dhimitër Papuçiu (Nica është i dënuar nga Komisioni i Disiplinës me 3 muaj pezullim). Të parët kaluan në avantazh vendësit falë një goditje dënimi të ekzekutuar mjaft mirë nga Julian Gërxho, megjithëse duhet thënë se një pjesë e konsiderueshme e fajit i takon edhe portierit të Tiranës, Ilion Lika, i cili nuk u vendos si duhet gjatë goditjes së dënimit. Por, Tirana asesi nuk mund të pajtohej me një rezultat të tillë, ndaj sulmet e shumta sollën disa minuta para përfundimit të pjesës së parë golin e barazimit. Duro shmang dy-tre lojtarë fierakë, pason në zonë për Gilman Likën, ky i fundit shkon në fundore dhe jep një top tokazi, i cili për fat të keq përplaset në këmbën e mbrojtësit të Apolonisë, Naçi dhe përfundon në rrjetë. Në pjesën e dytë, lojtarët e Apolonisë më shumë se për të shënuar menduan që të mbronin rezultatin, por në fund të takimit ishte Arian Pisha, i ardhur nga mbrojtja, që shënoi duke e mbajtur kështu Tiranën në krye të renditjes. Me pikë të barabarta me bardheblutë janë edhe durrsakët, të cilët fituan ndaj Tomorit në fushën asnjanëse të Vlorës. Dy gola, nga një për secilën pjesë, të shënuar nga Hyshmeri dhe Veliaj i dhanë “djemve të detit” fitoren e tretë në transfertë për këtë sezon. Sakaq, beratasit vazhdojnë me rezultate negative dhe për më keq, duke mos prodhuar as lojë. Ndërkohë, lojë dhe rezultat krijoi Kamza në Tiranë ndaj Dinamos. Dy herë Ziambnë pjesën e për mjaftuan për kamzalinjtë që të largoheshin nga “Qemal Stafa” me një fitore të rëndësishme, e para për këtë sezon në transfertë. Ndërsa Dinamo vazhdon të mbetet në minus 1 pikë, kjo edhe për shkak të dënimit nga ana e FIFA-s për çështjen Bodrusiç, por ajo që “vret” më shumë është fakti se kjo skuadër nuk ka as organizim dhe as fuqi për të zhvilluar një ndeshje ku minimalisht të mundë të rivalizojë në fushën e lojës. Problemet e shumta të këtij fillimisezoni po e çojnë këtë ekip parakohe drejt kategorisë inferiore, paçka se sapo është mbyllur vetëm java e 7-të. Ndërsa në takimin e fundit të zhvilluar dje, Shkumbini barazoi 1-1 me Laçin, në një ndeshje të ekuilibruar, ku që të dyja skuadrat patën shansin për të dalë me pikë të plota, nëse do kishin shfrytëzuar rastet që patën në dispozicion. Ndërkaq, java e 7-të do mbyllet sot me dy takimet e fundit: në Ballsh, Bylisi-Flamurtari (14:00) dhe në Korçë, Skënderbeu-Kastrioti (18:00).

Nica: Gjyqtarët na vodhën barazimin
Trajneri Stavri Nica ka qenë tepër i revoltuar me gjykimin. Sipas tij, ka qenë pikërisht arbitrimi që i penalizoi. “Jam i pakënaqur me gjykimin e ndeshjes, pasi ka qenë pikërisht ky shkaku i humbjes sonë. Në rastin e golit të parë, përpara se të shënohej, ka pasur një ndërhyrje të parregullt të Duros, por gjyqtari nuk e ka akorduar. Për të kaluar më pas te goli i dytë, ka qenë një faull në mesfushë që ka sjellë dhe finalizimin”, tha Nica.

SUPERIORE/ JAVA 7
TË SHTUNËN

Vllaznia-Pogradeci            1-0
Shënues: Sukaj 56′
DJE
Apolonia-Tirana            1-2
Shënues: Gërxho 10’/ Naçi 41 (autg), Pisha 89′
Tomori-Teuta                0-2
Shënues: Hyshmeri 43′, Veliaj 85′
Dinamo-Kamza            0-2
Shënues: Ziambo 13′, 45′
Shkumbini-Laçi            1-1
Shënues: Dervishi 30’/ Shazivari 20′
SOT
Bylis-Flamurtari            14:00
Gjyqtarë: Artan Taullaraj/ E.Barushi dhe R.Cokaj
Skënderbeu-Kastrioti            18:00
Gjyqtarë: Laver Alla/ D.Rexha dhe D.Agaraj

Klasifikimi
Nr.             ND    F       B    H    GSH    GP    P

1. Tirana       7    5        1     1     15     9     16
2. Teuta        7    5        1     1       7     3     16
3. Kastrioti     6   4        0     2     12     7      12
4. Flamurtari       6   4        0     2       8     5      12
5. Laçi      7   3        3     1       9     8      12
6. Vllaznia       7   3        1     3     10     8      10
7. Kamza      7   3        1     3       7        6      10
8. Shkumbini       7   2        3     2     12     11     9
9. Bylis      6   2        1     3     11     10     7
10. Skënderb. 6   1        4      1       4      3       7
11. Apolonia       7   2        1     4        5         8        7
12. Pogradeci 7   2        1     4       3     10     7
13. Tomori       7   1        1     5       5     13     4
14. Dinamo       7   0        2     5       1      8      -1
SHËNIM: Dinamo, minus tri pikë për shkak të dënimit nga FIFA për mosdhënien e rrogave
të kroatit Dario Bodrusiç.

Leonard Karaj

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura