Trangujt e infektuar, Shqipëria ndal importin e perimeve

May 31, 2011 | 12:54
SHPËRNDAJE

Shqipëria ndalon importin e perimeve. Kjo masë u mor pas alarmit që ka përfshirë ditët e fundit gjithë Europën nga trangujt e infektuar me bakterin E.Coli.”AKU ka njoftuar pikat e kalimit kufitar në të gjithë vendin për moslejimin e importit të produkteve që dyshohet se janë të ndotura me këtë bakter në territorin e Republikës së Shqipërisë”, bëri me dije dje Autoriteti kombëtar i Ushqimit. Sipas këtij institucioni, është në funksion sistemi i njoftimit 48 orë përpara mbërritjes për çdo produkti ushqimor që parashikohet të importohet. Përveç kësaj, në pikat e kalimit kufitar stafi i inspektorëve është i trajnuar dhe kryen të gjitha veprimet për kontrollin e produkteve konform rregullave që kanë dhe vendet e BE. “Deri më tani nuk ka pasur asnjë rast të infektimit me bakterin E.Coli. Eshtë shumë e rëndësishme të theksohet se vendi ynë nuk është importues i produkteve bimore të tilla, si kastraveci apo sallata jeshile nga vendet e BE, të cilat janë të prekura nga bakteri në fjalë”, sqaruan krerët e AKU. Ata u kanë bërë thirrje konsumatorëve për të zbatuar të gjitha masat e higjienës.
Ministria e shëndetësisë
Në gatishmëri pas shpërthimit të sindromit uremik-heolitik në Gjermaninë Veriore është vënë gjithashtu i gjithë sistemi shëndetësor shqiptar. Ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili, në një dalje për median theksoi se Shqipëria deri tani nuk ka asnjë rast të evidentuar apo të dyshuar me këtë sindrom. “Porosi e veçantë e gjithë sistemit është evidentimi dhe mosneglizhimi  i çdo shenje që ka lidhje me këtë sindrom”, tha Vasili. Ai u bëri thirrje qytetarëve (pjesës së biznesit dhe turistëve në veçanti që operojnë në këto vende) për një vëmendje të shtuar dhe respektim rigoroz të masave higjieno-sanitare. Sindromi uremik-hemolitik është një komplikacion i infektimit nga E. Coli enterohemoragjik. Ai shkakton insuficiencë renale, anemi hemolitike dhe trombocitopeni. Sipas specialistëve, paraprihet nga diarre, shpeshherë me gjak. Bakteri transmetohet direkt apo indirekt nga kafshët tek njeriu apo nga perime të infektuara. Rruga e transmetimit është fekalo-orale, kontakt me kafshët e infektuara (ose feçet), konsum i ujit apo ushqimeve të kontaminuara. Periudha e inkubacionit është 10 ditë. Periudha midis shfaqjes së simptomave gastro-intestinale dhe sindromit uremik-hemolitik është rreth 1 (një) javë. Disa nga masat për të evituar marrjen e bakterit janë larja e duarve, ambiente gatimi dhe konsum të ushqimeve të pastra. Ushqimet duhet të lahen me ujë të bollshëm, të rrjedhshëm para konsumit. “Gatimi në nxehtësi çaktivizon bakterin. Po kështu, ministri i Shëndetësisë këshilloi për të gjithë ata që kthehen nga një udhëtim jashtë shtetit, të paraqiten tek mjeku nëse kanë simptoma të tilla, si diarre me gjak, dhimbje barku me ose pa temperaturë, prekje të veshkave. Vasili kërkoi gatishmëri për shërbimet e sëmundjeve infektive, pediatrisë, shërbimeve të terapisë intensive (reanimacionit) dhe urgjencës për trajtimin e çdo rasti me SUH.

Pas Gjermanisë paniku në gjithë Evropën

Sipas mekanizmit të Rregullores Ndërkombëtare të Shëndetit, janë lajmëruar organet kompetente të vendeve anëtare të OBSH rreth një shpërthimi të sindromit uremik-hemolitik në Gjermani. Rastet e para janë konstatuar në javën e dytë të majit. Sipas burimeve kompetente në Gjermani, ECDC dhe OBSH, njoftohet që në Gjermani kanë vdekur 10 persona dhe janë konfirmuar rreth 1200 raste me sindrom uremik-hemolitik. Shumica e rasteve (87%) janë persona të moshës së re dhe të mesme. Raste janë konstatuar edhe në Suedi, Danimarkë, Holandë dhe Britaninë e Madhe, nga persona me histori udhëtimi në Gjermani. Studimet paraprake kanë dëshmuar një bashkëshoqërim midis sëmundjes dhe konsumit të trangujve, domateve dhe sallatës me fletë, të papërpunuar. Gjermanëve u është kërkuar të mos konsumojnë më tranguj, derisa analizat shkencore të identifikojnë burimin e shpërthimit të epidemisë vdekjeprurëse. Tranguj organikë të importuar nga Spanja besohet të jenë shkaku i sëmundjes, megjithatë testime të mëtejshme po kryhen për përcaktimin e saktë te origjinës se bakterit vrasës.

 

ZIRINA LLAMBRO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura