Trajtimi i të sëmurëve me kancer, Shqipëria merr përvojë nga Spanja

Jan 31, 2013 | 12:31
SHPËRNDAJE
Nga vizita e Tavos në Spanjë

Shkëmbim eksperiencash për trajtimin e pacientëve në fushën onkologjike mes Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” dhe Kompleksit Spitalor të Navarrës në Spanjë. Po kështu, mjekëve shqiptarë do t’u jepet mundësia për të qenë pjesë e trajnimeve dhe edukimit të vazhdueshëm në shërbimet e radioterapisë, transplantimeve dhe menaxhimit spitalor. Premtimi u mor gjatë vizitës që ministri i Shëndetësisë, Vangjel Tavo, zhvilloi në rajonin e Navarrës (Spanjë). Tavo, i cili shoqërohej nga përfaqësues të lartë të Ministrisë së Shëndetësisë dhe nga presidenti i Shoqatës së Gjinekologjisë, prof. Nikita Manoku, u prit nga Ministria e Shëndetësisë e rajonit të Navarrës, Marta Vera, si dhe nga drejtori i Përgjithshëm i Shërbimeve Shëndetësore të Navarrës, z. Ángel Sanz Barea.  Gjatë vizitës njëditore ministrit Tavo i është rezervuar një takim i veçantë dhe nga presidentja e rajonit, znj. Yolanda Barcina. Mes dy ministrave është folur mbi mundësinë e shkëmbimeve të ndërsjella në fushën e profesionistëve dhe trajnim të mjekëve, veçanërisht në fushat e onkologjisë, radioterapisë, transplantimeve dhe menaxherëve të shëndetit. “Është një fushë e re dhe me nevoja shumë të mëdha në sistemin tonë shëndetësor. Ndaj bashkëpunimi dhe shkëmbimi i eksperiencës me profesionistët tuaj do të ishte me shumë vlerë për mjekët shqiptarë”, tha Tavo gjatë takimit. Ai  vizitoi dhe Spitalin e Navarrës, një qendër e specializuar, veçanërisht në trajtimin e sëmundjeve onkologjike, dhe është njohur nga afër me mënyrën e menaxhimit dhe funksionimit të këtij spitalit. Mes autoriteteve të larta shëndetësore të rajonit të Navarrës dhe delegacionit shqiptar është diskutuar dhe mundësia e binjakëzimit të Kompleksit Spitalor të Navarrës dhe Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura