Tragjedia e Himarës, pista kryesore: Hutimi i shoferit

May 31, 2012 | 13:35
SHPËRNDAJE
Autobusi i studenteve pas aksidentit tragjik

Dhjetë ditë pas aksidentit me 13 viktima, Prokuroria i mëshon këtij shkaku.

Dhjetë ditë nga aksidenti i Himarës, Prokuroria e Vlorës mban si pistë kryesore të hetimit atë të humbjes së kontrollit nga ana e shoferit të autobusit.
Në pritje të konkluzioneve zyrtare, organi i akuzës ka dhënë përfundimet e para të tij. Paraprakisht nga grupi hetimor deklarohet se frenat e autobusit kanë funksionuar normalisht në kohën e aksidentit, gjithashtu dhe sistemi i drejtimit ka qenë në gjendje të mirë. “Shkaku kryesor i aksidentit mund të jetë humbja e vëmendjes dhe e kontrollit të automjetit nga ana e shoferit”, bëjnë të ditur burime të Prokurorisë mbi aksidentin fatal të 21 majit, nga i cili humbën jetën 11 studente, i fejuari i njërës prej vajzave të plagosura dhe drejtuesi i autobusit, Pëllumb Çela. Prokuroria e Vlorës, e cila drejton hetimin e ngjarjes së rëndë, kur ekspedita e studenteve të Elbasanit në Jug u ndërpre në mënyrë tragjike, është ende në pritje të raporteve zyrtare të secilit ekip pune.  Sipas burimeve, mësohet se pritet që të mbërrijnë raportet e specialistëve të qarkullimit rrugor, si dhe të inxhinierëve për përcaktimin e shkaqeve të rënies së autobusit me studentë në greminën e qafës së Vishës. Prokuroria e Vlorës u ka kërkuar ekspertëve mjekoligjorë (të cilët janë dy nga Tirana dhe një nga Fieri) përcaktimin e shkaqeve të vdekjes për të 13 viktimat e aksidentit tragjik. Pritet që ekspertiza e specialistëve të përcaktojë dhe faktin nëse rruga Vlorë-Himarë, pikërisht në qafën e Vishës, është me defekt, siç pretendohet dhe sa ndikim ka pasur ajo në daljen nga aksi dhe rënien në humnerë të autobusit. Policia e Shtetit bëri të ditur pak ditë pas aksidentit se shkaku sipas ekspertëve të saj për ngjarjen me 13 viktima ishte shpejtësia e drejtimit të automjetit nga ana e shoferit Pëllumb Çela. Ekspertët përcaktuan se në pjesën ku ndodhi aksidenti, shpejtësia nuk duhej të ishte mbi 20 km/orë. Vetë familjarët e 56-vjeçarit këmbëngulin se njeriu i tyre ishte ekspert në drejtimin e mjetit, duke ia lënë përgjegjësinë për aksidentin anës teknike të mjetit. Por, nga të dhënat e para, bazuar në ekspertizat specifike në vendin e ngjarjes, dyshohet se humbja e kontrollit nga shoferi të ketë çuar në daljen nga rruga. Drejtuesit e Prokurorisë së Vlorës i kanë kërkuar Drejtorisë së Policisë të Vlorës që të vazhdojnë ruajtjen në vendin e ngjarjes të autobusit të tragjedisë. Pas përfundimit të ekspertizave të vendit të ngjarjes, Prokuroria i ka kërkuar Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë Rrugore, nëse është e mundur, të nxirret autobusi nga gremina për të kryer hetimet përfundimtare. Ky moment pritet të jetë shumë i vështirë, për shkak të dëmtimit thuajse të gjithë mjetit.

Studentet: Familjarët udhëtojnë drejt Vjenës
Familjarët e dy vajzave që po trajtohen në spitalet e Vjenës në Austri, mbërrijnë sot pranë tyre. Mjekët që po kujdesen për 21-vjeçaret Eriselda Gubere dhe Florije Peçi kanë kërkuar praninë e të afërmve të tyre në spital. Në momentin që do të kenë një reagim nga ana e dy studenteve që qëndrojnë në koma prej 10 ditësh, sipas mjekëve është me rëndësi që kontakti i parë të jetë me persona të familjes. Me gjithë tentativat për zgjim dhe heqjen e frymëmarrjes artificiale për dy vajzat, ato kanë dështuar dhe gjendja e tyre vazhdon të paraqitet kritike. Ndërsa jashtë çdo rreziku janë studentet që po mbahen në Spitalin Ushtarak, të cilat nga dita në ditë pritet të lënë ambientet spitalore.

Vlorë, një studente ende në spital
Adjola Musaku, e reja nga Fieri, është studentja e vetme e mbetur në Spitalin e Vlorës, ku po trajtohet që prej ditës së aksidentit. Mjekët thonë se pacientja, si pasojë e ngjarjes së rëndë ka pasur probleme në mushkëri, mpiksje gjaku në disa vende, dëmtime në kokë dhe thyerje të brinjëve. Musaku po mbahet në sallën e reanimacionit dhe vetëm pas disa ditësh mund të realizohet përcjellja e saj drejt Spitalit Ushtarak, ku ndodhet dhe një pjesë e shoqeve të saj të fakultetit.

DURRES
Ngjarjet e fundit, ajo e Himarës, si dhe skandali në pikën e kontrollit të mjeteve, kanë bërë që Drejtoria e Qarkullimit Rrugor në Durrës të përforcojë shërbimet e saj. Në pikat kyçe të qytetit ka nisur kontrolli në masë, ndërsa sipas efektivëve të qarkullimit më shumë përparësi i është dhënë gjendjes fizike të mjetit, por pa nënvlerësuar shkeljet e tjera. Në kryqëzime, por sidomos në rrugët hyrëse dhe dalëse të qytetit janë ngritur grupe kontrolli për evidentimin e shkeljeve të kodit rrugor. Pjesa më e madhe e mjeteve që ndalohen të kontrollohen, e zënë ato të transportit dhe në veçanti atij publik. Furgonët, autobusët, por edhe taksitë janë bërë objekt kontrolli i policisë së qarkullimit, që kanë edhe mbështetjen e asaj të rendit.

VLORE/ QEMAL BIRAKU

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura