Trafikoi të fejuarën në Itali, në pranga tutori

Mar 31, 2014 | 12:36
SHPËRNDAJE

Gjykata e Krimeve të Rënda
Arrestohet pas nëntë vitesh në kërkim një 37-vjeçar i dënuar me 17 vjet burg nga Krimet e Rënda, për trafikimin dhe shfrytëzim prostitucioni. Policia tha se i arrestuari është Hamza Karoshi, nga Dibra dhe banues në Bathore të Tiranës.
Ai akuzohet se ka trafikuar në Itali shtetasen Miranda H. nga Durrësi, me të cilën ishte fejuar 6 muaj para se ta shfrytëzonte për prostitucion në vendin fqinj. Ngjarja për të cilën akuzohet i prangosuri ka ndodhur në vitin 2004, ndërsa Karoshi dhe bashkëpunëtori i tij, Bujar Sinjari, janë dënuar nga Gjykata e Krimeve të Rënda më 23 mars të vitit 2005. Burime zyrtare t Policisë së Tiranës thanë se në sajë të një operacioni të Komisariatit Nr.5 u bë e mundur kapja e një të shumëkërkuari të dënuar me 17 vjet nga organet e drejtësisë. Operacioni për kapjen e tij u krye rreth orës 14:15, në afërsi të kryqëzimit të Bathores, ku Hamza Karoshi ishte ulur duke pirë kafe me dy miqtë e tij në një lokal. Prej disa muajsh Policia e Tiranës kishte nisur një hetim operativ për identifikimin e vendndodhjes së 37-vjeçarit, derisa paraditen e djeshme u siguruan për lëvizjet e tij dhe u krye arrestimi.
BABAI I VAJZES
Gjatë dëshmisë që ka dhënë para Gjykatës së Krimeve të Rënda, në kohën kur zhvillohej gjyqi në mungesë për Hamza Karoshin, babai i vajzës që ishte shfrytëzuar si prostitutë në Itali, ka treguar historinë e njohjes me autorin dhe fejesën false që ai kishte me të bijën. Kujtim H. ka shpjeguar para togave të zeza se autori kishte qenë i martuar, madje edhe me 2 fëmijë, në kohën që i kishte kërkuar dorën të bijës, por gjithçka e kishte mbajtur të fshehtë. “Hamza Karoshin e kam mbajtur me bukë dhe i kam besuar vajzën time, Mirandën. E fejova sipas zakoneve të vendit tim të origjinës dhe të gjithë e mësuan se vajza tashmë ishte e fejuar dhe shumë shpejt do të krijonte familje. Por askush prej nesh nuk e dinte se dhëndri ishte i rremë. Ai mbante në shtëpinë e babait gruan dhe dy fëmijët, ndërsa Mirandën ishte i detyruar ta mbante për ta trafikuar në Itali. Ka qëndruar te shtëpia jonë për gjashtë muaj. Kemi bërë të gjitha punët së bashku. Ditën largohej për në qytet, ndërsa natën vinte e flinte në shtëpinë tonë, bashkë me vajzën”, ka shpjeguar i ati i vajzës. Hamza Karoshi, sipas babait të vajzës, Kujtimit, ka bërë tregti me familjen e tij. Pasi i shiti viçin që ishte pasuria e tij e vetme, i mori vajzën me mashtrime dhe më pas e shiti për të punuar si prostitutë në Itali. Prindërit e të dëmtuarës kanë pohuar në Gjykatë “dhëndri” u mori viçin dhe e shiti me pretendimet se me paratë që do të fitonte do shkonte në Itali, bashkë me vajzën, që të blinin rroba për t’u përgatitur për dasmën.

ETLEVA DELIA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura