Topi: Të përsosim modelin shtetëror

Nov 29, 2011 | 13:06
SHPËRNDAJE

Presidenti i Republikës, Bamir Topi, bëri thirrje dje për konsolidimin e shtetit të së drejtës dhe demokracisë. Këtë apel kreu i shtetit e bëri gjatë fjalës së tij në pritjen që organizoi në Pallatin e Brigadave me rastin e festave të nëntorit. “Nuk ka nderim më të madh, sesa në vitin shekullor Shqipëria të marrë ftesën e anëtarësimit për në BE, sesa të jetësojmë e forcojmë demokracinë funksionale dhe shtetin e së drejtës, sesa të konsolidojmë shtyllat themelore të shtetit: – institucionet e pavarura kushtetuese, sistemin funksional të drejtësisë, modelin e qeverisjes së mirë, të ndershme e transparente, si dhe misionin social të shtetit. Kam bindjen se ne kemi fuqinë, forcën dhe të gjithë mundësitë për t’ia arritur këtij qëllimi, – si përgjegjësi jona përpara interesave madhorë të vendit, por edhe si një kthim borxhi që politika u ka qytetarëve”, u shpreh kreu i shtetit. Të pranishëm në këtë pritje ishin dhe Kryeministri Sali Berisha me bashkëshorten dhe kryetarja e Parlamentit, Topalli me bashkëshortin e saj. Duke u bërë një analizë zhvillimeve politike në vend gjatë këtij viti, Presidenti Topi u kërkoi palëve në politikë që në dialogun e vendosur mes tyre të udhëhiqen nga arsyeja dhe përgjegjshmëria përballë çdo interesi tjetër politik. “Referuar aktualitetit politik, gjatë këtij viti u shënua progres, sidomos në rritjen e angazhimit dhe pjesëmarrjes qytetare e civile në proces zgjedhor dhe në debatet publike. Krahas tyre, u harxhuan energji të pafundme në një debat politik joproduktiv, duke vendosur pa të drejtë axhenda paralele partiake mbi ato publike e kombëtare. Ditët dhe javët e fundit, politika është kthyer përsëri në institucione dhe në tryezën e dialogut. Shpresa dhe inkurajimi im, ashtu si e shumicës qytetare në këtë vend, është që arsyeja dhe përgjegjësia të dominojë mbi çdo interes tjetër politik, për t’i dhënë shoqërisë dhe shtetit shqiptar, pa vonesë dhe me cilësinë e duhur, reformat, klimën dhe rezultatet e duhura, që sigurojnë standardet e integrimit në Bashkimin Europian”, u shpreh Presidenti. FESTIMI Duke folur për Ditën e Pavarësisë, kreu i shtetit kërkoi nga politika shqiptare që në vitin e 100-vjetorit të Pavarësisë të bëjnë një bilanc politik, që të mos përsëriten gabimet e së kaluarës. “Sot ne nisim festimet për 100-vjetorin e Pavarësisë dhe ky është një rast i mirë për të bërë brenda nesh një bilanc politik, për të mësuar nga gabimet e të kaluarës dhe për të fituar kthjelltësinë e duhur për ecje më të shpejtë përpara. Natyrisht 100-vjetori jubilar do të marrë të gjithë vëmendjen, nderimin dhe angazhimin tonë, për t’u shënuar me madhështinë që meriton. Përvjetorë të tillë mund të shoqërohen me projekte të shumta politike e qytetare apo me rivlerësime historike. Unë besoj se nderimi më i madh që mund t’i bëjmë shtetit shqiptar në 100-vjetorin e tij, është të punojnë me të gjitha energjitë për ta përsosur modelin shtetëror drejt atij niveli për të cilin janë sakrifikuar themeluesit dhe më shumë se pesë breza gjatë një shekulli”, u shpreh Presidenti i Republikës. Me fokus Ditën e Flamurit, kreu i shtetit u shpreh se: “Një plejadë mendimtarësh dhe patriotësh u bashkuan rreth idesë së shtetit të pavarur dhe europian shqiptar, krijuan institucionet e para shtetërore, miratuan Kushtetutën dhe ligjet e para, aplikuan për herë të parë pluralizmin politik dhe zhvilluan zgjedhjet e para parlamentare. Këto përpjekje titanike u mishëruan edhe në arritjet pozitive në modernizimin e shtetit dhe shoqërisë shqiptare gjatë periudhës së republikës së parë dhe monarkisë shqiptare”. Pas fjalës së kreut të shtetit, të ftuarit tokën gotat mes tyre dhe uruan njëritjetrin për festat e nëntorit, Shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë dhe Çlirimin e vendit nga pushtuesit nazistë.

Presidenti feston në Vlorë, lule në varrin e Ismail Qemalit

Kreu i shtetit, Bamir Topi, zgjodhi qytetin ku u ngrit flamuri 99 vjet më parë për të festuar Shpalljen e Pavarësisë. Në nder të kësaj dite, në qytetin e Vlorës u grumbulluan shumë qytetarë, një pjesë e të cilëve të ardhur edhe nga vende të tjera ku jetojnë shqiptarët. Në ceremoninë e organizuar nga Bashkia, Presidenti i Republikës vendosi një kurorë me lule në varrin e Ismail Qemalit. Ndërkohë në ceremoni kanë marrë pjesë edhe të zgjedhur lokalë, deputetë dhe përfaqësues të komuniteteve fetare. Nga maxhoranca, të pranishëm në këtë aktivitet ishte vetëm deputeti demokrat Kreshnik Çipi dhe deputeti i PDIU-së, Dashamir Tahiri, deputetë të qytetit të Vlorës, ndërsa ishte i pranishëm dhe kreu i Grupit Parlamentar socialist, Gramoz Ruçi dhe deputetët socialistë. “Të gjithë duhet ta dinë dhe të jenë të ndërgjegjshëm se Pavarësia e Shqipërisë, në ato rrethana historike, u realizua nëpërmjet luftërave dhe përpjekjeve të mëdha e të gjithanshme, por ajo u mundësua sidomos nga idealizmi, toleranca, dashuria dhe vetëmohimi për këtë truall. Duke marrë shembull nga akti, nga vepra dhe nga modeli që rilindësit dhe atdhetarët tanë krijuan duke na i lënë si trashëgimi të vyer, gjithsecili prej nesh dhe mbi të gjitha udhëheqësit duhet të punojnë me mish e me shpirt, pa u kursyer që të realizojnë dëshirën për ta bërë Shqipërinë më të mirë e më të begatë për ne dhe fëmijët tanë, për sot, për nesër e përgjithmonë”, tha Topi. Më tej, Presidenti, kryetari i Bashkisë, Gjika dhe deputetët të tjerë zhvilluan një vizitë në Muzeun e Pavarësisë.

GJIKA: ASKUSH NUK ZBEH FESTËN E VLORËS

VLORE – Kryebashkiaku Shpëtim Gjika deklaroi dje se që nga ky moment qyteti i Vlorës nis përgatitjet e festës madhështore të 100-vjetorit të Pavarësisë. “Ftojmë të gjithë shqiptarët e mbarë Shqipërisë, Kosovës, Çamërisë, diasporës, intelektualë, artistë, shkencëtarë, qytetarë të thjeshtë të jenë kontribuues në këtë jubile madhështor”, deklaroi Gjika. Në fund të fjalimit të tij, Gjika u shpreh se: “As ata që janë në pushtet nuk do t’i zbehin shkëlqimin ndritshmërisë së 28 Nëntorit, Sheshit të Flamurit, Vlorës sonë heroike, simbolit të të gjithë shqiptarëve”.

RAMA

Kreu socialist mungoi dje në pritjen e organizuar nga Presidenti i Republikës me rastin e Ditës së Pavarësisë dhe Çlirimit të vendit nga pushtuesit nazistë. Rama ishte nga të vetmit kryetarë partish që mungonin dje për shkak të turit të tij treditor në Kosovë, me rastin e festës së Pavarësisë. Të pranishëm dje ishin deputetë, ambasadorë, gazetarë, analistë, akademikë, përfaqësues të shoqërisë civile, të cilët uruan njëri-tjetrin për festat e nëntorit.

NATO

Kreu i shtetit tha dje se vendi tashmë është anëtar i NATO-s dhe aspiron për në BE. “Atdheu i Gjergj Kastriotit dhe Nënë Terezës nuk mund të kishte destinacion tjetër përveç ribashkimit të plotë me Europën dhe qytetërimin e saj. Njëzet vjet më parë, ëndrra europiane ishte vetëm aspiratë, sot ajo është realitet. Shqipëria është anëtare në NATO, është një vend me mbështetjen më të lartë qytetare për aspiratat integruese në Bashkimin Europian dhe një partner serioz i bashkësisë ndërkombëtare në përpjekjet e saj për përhapjen e demokracisë dhe të paqes”, u shpreh Topi.

Idrizi: Një panteon të rilindësve në Tiranë

Kryetari i PDIU-së, Shpëtim Idrizi, gjatë festimeve për Ditën e Flamurit tha se kemi nevojë të ndërtojmë një panteon shqiptar, për t’iu përulur dhe për të nderuar njerëzit e mëdhenj që kanë kontribuar për Shqipërinë. “Nuk mund të kemi vëllezërit Frashëri nga liqeni, Skënderbeun në Lezhë, Ismail Qemalin në Vlorë. Sot është një ditë ku duhet të vlerësojmë dhe të nderojmë ata burra dhe gra që e bënë Shqipërinë të lirë siç është sot. Unë u bëj thirrje forcave politike dhe qeverisë shqiptare të ngrejë memorialin e të gjithë shqiptarëve, të mos lejojmë që rilindësit të jenë të shpërndarë. Në zemër të Tiranës të qëndrojë panteoni i shqiptarëve dhe ne të respektojmë të gjithë shqiptarët. Prandaj, në emër të Partisë Drejtësi, Integrim dhe Unitet, propozoj ngritjen e panteonit ku të vendosen eshtrat e të gjithë rilindësve tanë në qendër të kryeqytetit, në një vend pelegrinazhi nga të gjithë ne”, u shpreh Idrizi.

ARISTIR LUMEZI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura