Topi takon Pacollin,Kurtin e Shalën:Vlerëson ‘VV’

Jun 30, 2012 | 10:32
SHPËRNDAJE

PRISHTINE- Zëvendëskryeministri i parë i Qeverisë së Kosovës, Behgjet Pacolli, ka takuar në një drekë zyrtare, presidentin e Shqipërisë, Bamir Topi.

Zëvendëskryeministri Pacolli, i shoqëruar edhe nga ministra të Qeverisë së Kosovës, ka shprehur edhe njëherë falënderimin e tij dhe të Qeverisë së Kosovës për presidentin Topi dhe gjithë shtetin shqiptar, për ndihmën që në vazhdimësi i kanë dhënë Kosovës.

“Veçanërisht në fushën e lobimit, shteti shqiptar na ka dhënë një mbështetje shumë të madhe dhe për këtë ju falënderoj zoti president”, ka thënë Pacolli.

Pacolli gjithashtu, ka njoftuar presidentin Topi me zhvillimet politike në Kosovë, me theks të veçantë angazhimet e Qeverisë për fillimin dhe zhvillimin e reformave shumë të nevojshme ekonomike.

Në anën tjetër, presidenti Topi ka shprehur kënaqësinë e tij, që pikërisht vizitën e fundit si president i Shqipërisë, ka nderin ta bëjë në Kosovë.

Topi gjithashtu, ka theksuar se Qeveria dhe populli i Kosovës, duhet të vazhdojnë angazhimet, në mënyrë që Republika e Kosovës të ecë hapave drejt standardeve evropiane.

Ndërkaq, në orët e pasdites, edhe një delegacion i Lëvizjes Vetëvendosje, i kryesuar nga Kryetari i Lëvizjes, Albin Kurti, është takuar me Presidentin e Shqipërisë, Bamir Topi.

Kurti në fjalën e tij, falënderoi Topin për vizitën që ai po i bën Kosovës dhe tha se ai gëzon respekt si figurë e bashkimit dhe e urtësisë në Kosovë.

Nga ana e tij, Topi vlerësoi lart punën e Lëvizjes Vetëvendosje duke e cilësuar atë si një forcë politike e cila ka dhënë dhe po jep kontribut në skenën politike të Kosovës por edhe për kombin shqiptar në përgjithësi, thuhet në një komunikatë të kësaj lëvizjeje.

Në takim, siç raportohet, u diskutua për çështjen shqiptare, jo vetëm të shqiptarëve brenda Shqipërisë dhe Kosovës, si dhe për nevojën e bashkëpunimit të shteteve tona, në shërbim të faktorizimit të kombit shqiptar.

Topi është takuar edhe me një delegacion të lartë të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), të udhëhequr nga nënkryetarët, Blerim Shala dhe Ahmet Isufi.

Shala e ka njoftuar atë me zhvillimet në Kosovë, me theks të veçantë për rolin e AAK-së në kuadër të këtyre zhvillimeve, si parti me ndikim në jetën parlamentare dhe në opozitën kosovare.

Shala e ka falënderuar presidentin shqiptar për mbështetjen e vazhdueshme që ai dhe diplomacia shqiptare, në veçanti, e kanë dhënë dhe po e japin në afirmimin e mëtejmë ndërkombëtar të Kosovës, si shteti më i ri në Evropë, në funksion të sa më shumë njohjeve dhe të pranimit të shtetit tonë në mekanizmat ndërkombëtarë, thuhet në kumtesën e AAK-së.

Topi i ka përgëzuar zyrtarët e lartë të AAK-së për rolin e rëndësishëm në skenën politike të Kosovës dhe për bashkëpunimin e mirë të deritashëm me Presidencën dhe institucionet tjera të Shqipërisë.

Përfaqësuesit e AAK-së dhe Bamir Topi, u dakorduan për bashkëpunim të mëtejmë edhe në të ardhmen. /Zëri/

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura