Topi takon Arvizu: Të mbyllet sa më shpejt procesi zgjedhor

Jun 30, 2011 | 9:45
SHPËRNDAJE

Një ditë pas vendimit të KQZ-së për të rrëzuar ankimimin e fundit të PS-së për rezultatin e Tiranës, Shtetet e Bashkuara të Amerikës bëjnë thirrje për mbylljen sa më shpejt të këtij procesi. Pasditen e djeshme, kreu i shtetit, Bamir Topi, u takua me kryediplomatin amerikan në Tiranë, në rezidencën e këtij të fundit, ku u diskutua për situatën politike në vend. Ambasadori amerikan Arvizu rikthehet në detyrë pas një mungese disa javore për shkak të një ndërhyrje mjekësore. Sipas njoftimit për shtyp të zyrës së Presidencës, bëhet e ditur se “gjatë këtij takimi, presidenti Topi dhe ambasadori Arvizu diskutuan edhe për situatën aktuale paszgjedhore, duke theksuar nevojën e përmbylljes sa më të shpejtë të procesit zgjedhor, të kapërcimin e ngërçit të stërzgjatur politik nëpërmjet rivendosjes së dialogut politik ndërinstitucional e respektimit të ligjit dhe institucioneve të pavarura kushtetuese në shërbim të interesave madhore të vendit dhe aspiratave integruese europiane të popullit shqiptar”. Takimi u zhvillua përpara se presidenti Bamir Topi të nisej për në Mal të Zi, ku do të marrë pjesë në Samitin e krerëve të shteteve të rajonit në kuadër të Procesit të Bashkëpunimit të Vendeve të Europës Juglindore. Në njoftimin për shtyp bëhet e ditur se Topi “i dorëzoi përfaqësuesit të vendit më mik dhe aleatit të ngushtë të Shqipërisë, mesazhin drejtuar homologut të tij, Presidentit amerikan Barak Obama, me rastin e përvjetorit të 235-të të Pavarësisë së SHBA, duke i shprehur njëkohësisht ambasadorit amerikan urimet më të përzemërta edhe në emër të mbarë popullit shqiptar për këtë ngjarje historike”. Mesazhe për bashkëpunim mes partive dhe rivendosjes së dialogut politik ka lëshuar dje edhe ambasadori i Bashkimit Europian në Tiranë, Etore Sekui. Duke folur në një takim me studentë të Universitetit të Tiranës, të organizuar nga Instituti Shqiptar për Studime Ndërkombëtare, Sekui tha se BE-ja është e angazhuar për ta ndihmuar Shqipërinë, por gjithçka mbetet në duart e saj. “Pa vullnet politik, pa dialog politik, procesi i integrimit është si një biçikletë pa timon që nuk mund të shkojë shumë larg. BE nuk e detyron dot Shqipërinë që të ketë vullnet të mirë. Ky është vendi juaj, përgjegjësia juaj. BE mund të japë disa arsye bindëse se përse integrimi është i nevojshëm, por më në fund përsëri është vendimi juaj”, tha ambasadori Sekui gjatë këtij takimi.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura