Topi pret Albin Kurtin: Dialogu, përpjekje serioze

Sep 30, 2011 | 11:41
SHPËRNDAJE

TIRANË- Përpjekje pozitive e serioze i ka quajtur kreu i shtetit shqiptar, punën e bërë nga qeveria kosovare gjatë procesit të bisedimeve me Serbinë. Gjatë takimit të sotëm mes tij dhe delegacionit te Komisionit të Punëve të Jashtme të Kuvendit të Kosovës, të kryesuar nga Kryetari i këtij Komisioni dhe drejtuesi i Lëvizjes “Vetëvendosje”, Albin Kurti, Topi ka vlerësuar punën që bëhet në kuadër të konsolodimit të shtetit.

Topi ka vlerësuar institucionet e Kosovës për pjekurinë dhe vizionin largpamës, edhe të udhëheqjes politike dhe të të gjithë shoqërisë, që kanë inkurajuar frymën e tolerancës dhe të vullnetit për bashkëpunim,

Në këtë drejtim, Kryetari i Shtetit nënvizoi rolin e rëndësishëm të Kuvendit të Kosovës e të partive politike parlamentare, maturinë dhe bashkëpunimin mes palëve, pavarësisht mendimeve apo orientimeve të ndryshme politike, çka vlen si shembull për të forcuar bashkëpunimin ndërinstitucional e ndërparlamentar për të realizuar synimin e dy vendeve tona ndaj vlerave dhe aspiratave të përbashkëta euroatlantike.

Nga ana e tij, Kreu i Lëvizjes “Vetëvendosje”, Albin Kurti dhe anëtarët e tjerë të Komisionit të Punëve të Jashtme që përfaqësonin Partinë Demokratike të Kosovës, Aleanca për Ardhshmërinë e Kosovës, Lidhjen Demokratike të Kosovës si dhe Koalicionin për Kosovën e Re nëpërmjet Partisë për Drejtësi, vlerësuan lart kontributin personal e të efektshëm të Presidentit Topi dhe të institucioneve të Shqipërisë për mbështetjen e pakursyer dhe përpjekjet e vazhdueshme për rritjen e numrit të njohjeve të shtetit të ri të Kosovës në arenën ndërkombëtare.

Ai theksoi se Kosova ka ende nevojë për ndihmën e Shqipërisë në ecurinë e reformave të saj për forcimin e shtetit, nëpërmjet rritjes së bashkëpunimit të ngushtë mes institucioneve të Prishtinës dhe atyre të Tiranës në funksion të aspiratave të përbashkëta integruese evropiane.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura