Emiri i Katarit pret Topin: Investime në turizëm dhe miniera

Feb 29, 2012 | 11:37
SHPËRNDAJE

Topi me Emirin e shtetit të Katarit

Presidenti i Republikës takon krerët e shtetit të Katarit.

Emiri i Katarit: Projekte në turizëm, miniera, agroindustri.

Presidenti i Republikës, Bamir Topi dhe delegacioni zyrtar u prit dje nga Emiri i Shtetit të Katarit, sheik Hamad Bin Khalifa Al Thani, në Pallatin Mbretëror. Gjatë takimit, të dy krerët e shteteve vlerësuan pozitivisht klimën shumë të mirë të marrëdhënieve e të dialogut të shkëlqyer politik që ekziston midis dy vendeve tona, të konkretizuar në shkëmbimin e vizitave të fundit bilaterale të nivelit të lartë, si dhe shprehën vullnetin për zhvillimin dhe fuqizimin akoma më tej të marrëdhënieve miqësore e të gjithanshme midis Shqipërisë dhe Katarit. Presidenti Topi shprehu “interesimin e shtetit shqiptar për rritjen e fuqizimin e mëtejshëm të bashkëpunimit dypalësh në të gjitha fushat me interes të ndërsjellë, kryesisht për shtimin e investimeve të shtetit të Katarit në Shqipëri, zgjerimin dhe intensifikimin e marrëdhënieve dhe projekteve konkrete në fushën ekonomike, energjetike, infrastrukturore, në bujqësi, agro-industri, sektorin minerar dhe atë të gazit, por dhe në atë të turizmit, në shërbim të zhvillimit të mëtejshëm të këtyre marrëdhënieve”. Emiri i Shtetit të Katarit, Hamad Bin Khalifa Al Thani, pasi e falënderoi Presidentin Topi për pranimin e ftesës dhe këtë vizitë të dytë brenda një periudhe të shkurtër në Shtetin e Katarit, vuri edhe një herë në pah marrëdhëniet e mira mes dy vendeve tona, duke shprehur bindjen në intensifikimin e mëtejshëm të tyre, përmes shtimit të bashkëpunimit e konkretizimit me marrëveshje e projekte të rëndësishme, të zbatueshme në fusha me interes të ndërsjellë si turizmi, bujqësia me prodhimet e saj organike, agro-industria, industria minerare etj. Dje pasdite, kreu i shtetit zhvilloi një takim me kryetarin e Këshillit Konsultativ të shtetit të Katarit, Mohamed Bin Mubarak Al Kholaifi, i cili premtoi se do të vizitojë Shqipërinë në maj të këtij viti. Presidenti i Republikës, i cili shoqërohet edhe nga një grup sipërmarrësish të rëndësishëm shqiptarë, zhvilloi dje një takim të veçantë edhe me kryetarin e Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë, sheik Khalifa bin Jasim Al Thani. Kryetari i Dhomës së Tregtisë së Katarit e vlerësoi vizitën e Presidentit Topi, të shoqëruar edhe nga sipërmarrës shqiptarë, si një hap konkret për zgjerimin e shkëmbimeve ekonomiko-tregtare, duke theksuar se kontakte të tilla të drejtpërdrejta mes përfaqësuesve të biznesit krijojnë mundësi të reja për sipërmarrje të përbashkëta dhe investime me interes të përbashkët.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura