‘Kodi të miratohet në kohë, jo emocione partiake’

Nov 30, 2011 | 12:47
SHPËRNDAJE
Presidenti Bamir Topi

TIRANË- Kreu i shtetit, Bamir Topi, duke i uruar punë të mbarë Komisionit për Reformën Zgjedhore ka kërkuar nga palët miratimin në kohë të kodit zgjedhor, një punë me standarde evropiane, në të mirë të vendit e që të sjellë zgjedhje të pakontestueshme.

Gjatë një prononcimi për mediat pas vizitës në panairin “Klik Ekspo Group”, Topi ka vlerësuar si një hap shumë pozitiv mbledhjen e komisionit për reformën zgjedhore. “E shikoj si sinjal të mirë se nga deklaratat njerëzit janë në punë dhe ku konkretizohet puna është komisioni. Uroj që ndryshe nga herët e tjera komisioni t’i mbyllë punët në kohë, se eksperiencat jo të këndshme nga e kaluara kanë treguar që kodi miratohet ditën e fundit. Duke e miratuar në kohë, palët do e  kenë më të thjeshtë për infrastrukturën, zgjedhjet nuk janë për partitë, por për popullin dhe duhet që ai të njihet me ligjin e të shkojmë në zgjedhje që të mos kontestohen më”- tha Topi.

Sipas tij, ky është një moment i mirë i nisjes së punës. “I uroj sukses dhe uroj që në themel të kenë jo emocionet dhe pozicionet partiake, por të dalin me kod në standardet evropiane”- theksoi ai.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura