Topi: Institucionet e ligjit ta thonë fjalën në mënyrë të drejtë

May 31, 2011 | 11:58
SHPËRNDAJE

Presidenti i Republikës, Bamir Topi, bëri dje thirrje që institucionet e Drejtësisë, të përfshira në procesin zgjedhor, të japin përgjigje sa më ligjore, por edhe morale. Gjatë ndjekjes së manovrës ushtarake të NATO-s në Vlorë, Topi tha se përgjigjja e institucioneve duhet të ketë kredibilitet. “Jemi në pritje pikërisht të këtij momenti ku institucionet e ligjit duhet të thonë fjalën e tyre. Pra, nuk jemi në atë situatë kur një institucion i konsideruar epror do të gjykojë dhe do të flasë në emër të tyre. Jo, ata duhet të flasin dhe duhet të flasin duke pasur në konsideratë statusin e tyre. Statusi i tyre është shumë i rëndësishëm, është status ligjor, por është edhe status moral, sepse duhet të ketë një kompatibilitet midis integritetit moral, profesional dhe ligjor. Të gjitha këto japin standardin e arrirë”, tha Topi. Kreu i shtetit tha më tej se “patjetër që kjo është një sfidë. Në radhë të parë duhet thënë që është një sfidë e institucioneve dhe institucionet në një vend demokratik, siç është Shqipëria, prodhohen nga politika. Dhe institucioni i parë është institucioni i zgjedhjeve. Institucioni i zgjedhjeve formon institucione demokratike. Ju e dini që në zgjedhjet e përgjithshme prodhohet Parlamenti, në zgjedhjet e pushteti vendor prodhohen institucionet e administrimit vendor. Kjo, e thënë në një gjuhë të përgjithshme, patjetër që imponon zbatim të rregullave dhe të shtetit ligjor, sepse Shqipëria nuk është një shtet pa ligje. Ligjet janë prodhuar, por problemi është te zbatimi i ligjeve”.

“Luani i Albionit”

“Luani i Albionit” ishte emri i koduar i stërvitjes ushtarake detare të NATO-s, bërë dje në Vlorë, ku kreu i shtetit u shoqërua nga disa ambasadorë, por dhe nga personalitete të tjera. Presidenti Topi vizitoi “Mount Bay”, i shoqëruar nga komodori i Flotës Mbretërore Britanike, Simon Ankona dhe nga komandanti Piter Farmer.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura