Topi: Berisha e Rama u janë larguar vlerave të demokracisë

Feb 28, 2013 | 11:42
SHPËRNDAJE
Kreu i FRD, Bamir Topi

Kryetari i Frymës së Re Demokratike, Bamir Topi, akuzoi krerët e partive të mëdha në vend se u janë larguar vlerave të demokracisë. Gjatë një takimi me të rinjtë, të cilët u certifikuan nga FRD-ja për çështjet themelore të politikës para zgjedhjeve të 23 qershorit, Topi u shpreh se kjo parti do t’i japë fund tranzicionit në vend. “Ne kemi akuzuar mënyrën se si dy individë, njëri sot Kryeministër, tjetri kryetar i opozitës, me vullnetin e tyre të plotë u janë larguar në mënyrë të dukshme vlerave të demokracisë, të drejtës legjitime që ka çdo qytetar shqiptar për të qenë i barabartë. Ne jemi për dhënien fund të kësaj periudhe të stërzgjatur tranzicioni, i cili ka shkuar vetëm në interes të një grupi të vogël njerëzish të lidhur me pushtetin, të lidhur me karrigen apo afër shtetit”, u shpreh Topi. Ai theksoi përparësinë që rinia zë në FRD si grupim, si moshë, si shtresë dhe si problematikë e programit të ri zgjedhor. Kreu i FRD-së tha se kjo parti nuk e sheh rininë si shtojcë, por si një pjesë vitale e pa komplekse në rrugën e tranzicionit të gjatë shqiptar. “Ajo që keni përfituar në këtë trajnim shpreh besimin se do t’ju shërbejë për të ndërtuar modelin e një bote moderne reale, dhe jo të botës virtuale. FRD do t’i ketë të rinjtë bashkëbisedues për implementimin e programit, transmetues të mesazheve që mbart ky program, si dhe përçues të ndjeshmërisë ndaj votës”, tha Topi. Sipas tij, “dita e votimit nuk është një proces mekanik dhe të rinjtë duhet të jenë shembull i shndërrimit të votës në bindje për të projektuar të ardhmen. Ndaj duhet të tregojmë respekt për votën, ta ruajmë, t’i ftojmë të gjithë qytetarët ta ushtrojnë pushtetin e saj dhe me votë t’i japim fund tranzicionit 22-vjeçar”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura