Topi: Bashkëjetesa fetare, pasuri kombëtare

Sep 30, 2011 | 16:28
SHPËRNDAJE

TIRANE- Presidenti i Republikës, Bamir Topi ka organizuar sot në mesditë një pritje në Pallatin e Brigadave me Këshillin e Konferencave Ipeshkvnore të Evropës.

Në fjalën e tij, presidenti Topi vuri theksin tek bashkëjetesa fetare në vendin tonë, duke e quajtur atë një pasuri të madhe kombëtare.

“Në emër të të gjithë popullit shqiptar ju uroj mirëseardhjen në Tiranë, në vendin e Nënë Terezës, bamirëses së madhe të mbarë njerëzimit, në vendin e Gjergj Kastriotit – Skënderbeut, mbrojtësit të madh të qytetërimit perëndimor, në vendin e bashkëjetesës paqësore të besimeve fetare, të cilat së bashku i mbijetuan persekutimit komunist, me besimin e palëkundur te Zoti për ta ringjallur atë pas 50 viteve në diktaturë”.- iu drejtua presidenti Topi të pranishmëve.

Topi vlerësoi kontributin e Kishës Kalolike shqiptare, veçanërisht në vendosjen e një klime paqësore dhe bashkëjetese mes besimeve në Shqipëri, si një pasuri e madhe kombëtare, që është ruajtur dhe trashëguar në breza nga krerët e komuniteteve fetare në vendin tonë.

Ai nënvizoi se “personalisht, nuk do të resht së bëri të njohur dhe lartësuari gjithmonë dhe kudo këtë vlerë të historisë dhe bashkohësisë tonë”.

Në pritejne e presidentit, Bamir Topi merrnin pjesë Presidenti i Këshillit të Konferencave Ipeshkvnore të Evropës, Kardinal Peter Erdo, Ambasadori i Selisë së Shenjtë në Tiranë, Imzot Ramiro Moliner Ingles, Presidenti i Konferencës Ipeshkvnore të Shqipërisë, Imzot Rrok Mirdita, përfaqësues të tjerë të lartë të Këshillit të Konferencave Ipeshkvnore të Vendeve Evropiane.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura