Topi: ‘Presidenti’, proces i hapur e transparent

May 31, 2012 | 14:44
SHPËRNDAJE

TIRANË- Presidenti aktual, Bamir Topi ka vlerësuar sot se procesi i zgjedhjes së kreut të ri të shtetit duhet të jetë i hapur e transparent dhe të finalizohet me gjetjen e garantuesit të ekuilibrave dhe pavarësisë së institucioneve kushtetuese.

Deklarata është bërë gjatë një takimi mes tij dhe Grupit Parlamentar për Marrëdhëniet e Gjermanisë me shtetet e Evropës Juglindore të kryesuar nga Peter Vajs dhe anëtarët Kristel Apah-Kasan dhe Andreas Lamel.

Gjatë takimit, Topi bëri një përshkrim të detajuar të zhvillimeve e të reformave të ndërmarra në Shqipëri, në drejtim të forcimit të demokracisë e shtetit ligjor, sidomos aktualisht, gjatë procesit të përmbushjes së kritereve të kërkuara integruese për në Bashkimin Evropian. “Një rol kyç gjatë gjithë këtij procesi luan edhe institucioni legjislativ dhe veprimtaria e tij parlamentare, sidomos aktualisht gjatë synimeve për realizimin e reformës zgjedhore, reformës parlamentare dhe zgjedhjes së Kreut të ri të Shtetit nëpërmjet një procesi të hapur dhe transparent për t’i dhënë vendit garantuesin e ekuilibrave dhe të pavarësisë së institucioneve kushtetuese”-theksoi Topi.

Topi ka theksuar vendosmërinë e madhe dhe seriozitetin që shteti shqiptar do të tregojë në rrugën drejt integrimit në Bashkimit Evropian, për të fituar sa më parë statusin kandidat për anëtarësim.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura