Tiranë, mbahet peng e grabitet 21-vjeçari

Apr 30, 2012 | 14:10
SHPËRNDAJE

TIRANE – Një 21-vjeçar është mbajtur peng për disa minuta nga dy persona të maskuar dhe të armatosur, të cilët besohet se kanë pasur si qëllim grabitjen e tij. Ngjarja ka ndodhur pas mesnatës të së shtunës, në rrugën që lidh fshatin Vishnjë me Arbanën, në periferi të Tiranës. I dëmtuari është Indrit Sefa, i punësuar në një servis në periferi të Tiranës, ndërsa grabitësit nuk janë identifikuar ende nga policia. Sipas burimeve nga Policia e kryeqytetit, autorët dyshohet se i kishin zënë pritë të riut dhe kur e kanë parë që po afrohej me makinë drejt tyre, kanë qëlluar disa herë më pistoletë në ajër, me qëllim që Sefa të ndalonte makinën. Në atë kohë, 21-vjeçari po kthehej nga një servis në fshatin Vishnje, ku edhe punonte. I dëmtuari po udhëtonte drejt shtëpisë në fshatin Arbanë. I frikësuar nga të shtënat me armë, i riu ka ndaluar makinën në mes të rrugës dhe dy autorët e maskuar kanë hipur në makinë, duke e detyruar nën kërcënimin e armës që të vazhdonte rrugën, në të kundërt, do ta vrisnin. Për të mos rënë në sy, grabitësit e kanë detyruar Sefën që të futej në një rrugë dytësore, përgjatë të cilës kanë udhëtuar rreth 300-400 metra. Për shkak se rruga ka qenë e prishur dhe me baltë, makina ka ngecur dhe nuk kanë mundur që të dalin nga aty. Duke e kërcënuar me armë, autorët i kanë kërkuar 21-vjeçarit që t’u jepte 100 mijë lekë të rinj, ndryshe do ta qëllonin me armë zjarri. Policia tha se Sefa u ka thënë që të merrnin të gjitha paratë dhe sendet që ai kishte me vete, pasi aq para sa kërkonin ata, nuk i kishte me vete. Në këtë mënyrë, grabitësit i kanë marrë të riut portofolin, me rreth 4 mijë lekë të rinj që kishte brenda, si dhe celularin e disa sende të tjera personale. Më pas e kanë goditur me tytën e pistoletës në kokë, duke e lënë pa ndjenja për disa minuta. Autorët, sipas kallëzimit, janë larguar nga vendi i ngjarjes, në pamundësi për të grabitur edhe automjetin tip “Benz” të Sefës, pasi nuk kanë arritur ta nxjerrin dot nga balta ku kishte ngecur. I riu i plagosur, pasi është përmendur, ka njoftuar familjarët e më pas ka depozituar një kallëzim në Komisariatin Nr.6, në Kombinat, duke shpjeguar se çfarë i kishte ndodhur. Policia ka nisur hetimet për zbardhjen e ngjarjes, duke sekuestruar në cilësinë e provës materiale edhe makinën e të dëmtuarit, në mënyrë që të gjejë ndonjë gjurmë të mundshme të autorëve.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura