Tirana me 11 degë, Basha: Anëtarët, aksionerë në PD

Jul 31, 2014 | 11:31
SHPËRNDAJE

Basha duke votuar për zgjedhjet në PD
Dega e PD-së në Tiranë, për herë të parë në 24 vite të krijimit të kësaj force politike, nuk do të jetë më e vetme, por do të ndahet.
Me një udhëzim të kryetarit të PD-së, Lulzim Basha, dega më e madhe e demokratëve do të funksionojë tashmë me 11 degë, që përkojnë edhe me njësitë bashkiake të kryeqytetit, ndërkohë që katër degë të tjera që plotësojnë rrethin e Tiranës do t’u përkasin rrethinave. Në ditën e dytë të zgjedhjeve në Tiranë, kreu i demokratëve, Lulzim Basha, mori pjesë në procesin e grupseksionit nr. 3 të degës nr. 8, ku edhe është i regjistruar për të votuar. Në fjalën e mbajtur pak përpara se të niste procesi i votimit ai u shpreh se Partia Demokratike ka vënë votën e lirë në themel të organizimit dhe sistemit të karrierës. Basha ka kujtuar se në këtë proces, të gjithë anëtarët e PD janë aksionerë të barabartë në këtë parti, të gjithë kanë vetëm një votë dhe vendimmarrja në PD do të jetë përmes votës. “Duke bërë këtë riorganizim të Partisë Demokratike në Tiranë në 11 degë, ka për qëllim për të qenë më afër anëtarëve dhe simpatizantëve të PD-së, për të qenë më afër qytetarëve, për t’i marrë vendimet tona të brendshme politike sa më afër anëtarësisë sonë, me sa më shumë përfshirje të anëtarësisë sonë, se pushtetin për vendimmarrje në Partinë Demokratike dita-ditës po e afrojmë dhe po ua delegojmë anëtarëve të PD-së”, theksoi Basha. Në fjalën e tij kreu i demokratëve tha se PD ka vendosur standarde të reja përsa i përket organizimit dhe funksionimit të partive politike, jo vetëm në Shqipëri. Ai kujtoi regjistrin dixhital të anëtarësisë me të cilin po zhvillohen edhe zgjedhjet për kryetar nëpër degë. Duke u ndalur në 300 ditët e qeverisë së koalicionit të majtë, kreu i demokratëve u shpreh se “Rilindja” e Ramës rezultoi një parullë propagandistike që nuk solli asnjë të mirë për qytetarët. “Sot, asnjë premtim i tyre, asnjë i vetëm, jo vetëm që nuk është mbajtur, por nuk është as në rrugën e mbajtjes. I plasi një tullumbace elektorale, i mashtrimeve për legalizim falas e për shëndetësi falas, për 300 mijë vende pune e për ulje çmimesh përmes heqjes së taksave e përmes heqjes së TVSH-së për energjinë”, tha Basha.

ADI SHKEMBI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura