Tirana Bank, fitimi i interesit neto 5.9 milionë euro

May 31, 2011 | 12:49
SHPËRNDAJE

Tirana Bank në tremujorin e parë të këtij viti ka arritur të sigurojë një fitim të interesit neto 5.97 milionë euro. Ndërkaq, fitimi neto nga komisionet arriti në shifrat e 0.7 milionë euro, me një rritje pozitive krahasuar me një vit më parë. Në një njoftim për shtyp të kësaj banke, detajohet se shpenzimet operative kanë arritur shumën 3.5 milionë euro, me një rënie prej 0.7 për qind, krahasuar me 2010-n. Tirana Bank bën me dije se raporti për shpenzimet e ardhura është ulur me 46.2%, krahasuar me 47% në 2010-n, duke reflektuar më së miri administrimin e shpenzimeve operacionale. Një tjetër pikë e rëndësishme është ajo që lidhet me fitimin neto pas taksave, i cili në tremujor ka shënuar 2.1 milionë euro. Në fund të tremujorit, Tirana Bank konfirmon se totali i aseteve shënoi 655 milionë euro me një rritje prej 6.4 për qind, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. “Totali i kredisë, shënon 449 milionë euro me një rritje 2.7 për qind, kurse depozitat shënojnë 502 milionë euro në fund të tremujorit të parë të 2011, me një rritje 20.2% nga viti në vit”, thuhet në njoftimin e Tirana Bank. Më me detaje, të dhënat e Tirana Bank tregojnë për një raport Kredi/Depozita, në shifrën 90%, me një rritje prej 14% krahasuar me fundin e Mars 2010, duke treguar kështu aftësinë auto financuese të Bankës. Kreditë me Probleme shënojnë nivelin 9.7%, një nivel ky shumë më i ulët sesa 14.7 për qind e sistemit bankar shqiptar. Totali i provigjioneve, shënon 19.9 milionë euro me një rritje prej 24 për qind, krahasuar me një vit më parë. Lidhur me mjaftueshmërinë e kapitalit, Tirana Bank në rezultatet e 3 mujorit të parë të këtij viti, bën me dije se totali i kapitalit shënon 96.1 milionë euro. “Totali i kapitalit rregullator ishte 78.3% dhe raporti i mjaftueshmërisë së kapitalit ishte 13.65% pa përfshirë llogaritjet e fitimit të vitit 2010. Nëse kjo do të llogaritej, raporti i mjaftueshmërisë së kapitalit do të shënonte 15%”, thuhet në njoftimin e Tirana Bank.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura