Thaçi-Rasmusen: Shmangie konflikteve ndëretnike në Veri

Apr 30, 2012 | 18:56
SHPËRNDAJE

Kreu i ekzekutivit kosovar Hashim Thaçi dhe sekretari i përgjithshëm i NATO-s Anders Fog Rasmusen, janë pajtuar me mendimin se duhet vendosmëri dhe angazhim për të shmangur incidentet ndëretnike në veriun e vendit.

Lajmi bëhet i ditur nga një komunikatë për media te Qeverisë së Kosovës, në të cilin thuhet se kyeministri Hashim Thaçi ka zhvilluar një bisedë telefonike me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Anders Fog Rasmusen.

“Gjatë bisedës me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, kryeministri Hashim Thaçi ka shprehur edhe njëherë vendosmërinë e Qeverisë së Republikës së Kosovës për krijimin e një ambienti të qetë dhe të sigurt, si dhe shmangien e incidenteve ndëretnike në veri të Kosovës”, thuhet në një komunikatë për media të lëshuar nga kabineti qeveritar.

Sipas njoftimit, “për të arritur këto objektiva është e domosdoshme që të rritet koordinimi dhe vendosmëria e mekanizmave ndërkombëtarë dhe vendorë të sigurisë, citohet te ketë thënë Thaçi.

Mesohet se ai e ka informuar sekretarin Rasmusen se Qeveria e Kosovës është e përkushtuar thellësisht në ndërtimin e një klime të mirëbesimit me qytetarët e saj në pjesën veriore të Kosovës, duke hapur kështu perspektivën e gjithanshme edhe në atë pjesë të vendit.

Në njoftimin për media të Qeverisë së Kosovës, thuhet se Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Anders Fog Rasmusen ka shprehur mbështetjen e NATO-s për angazhimet e Qeverisë së Kosovës për vendosjen e sundimit të rendit dhe ligjit në tërë territorin e Kosovës, me theks të veçantë në pjesën veriore të Kosovës.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura