Thaçi: Presidenti, në fillim të javës

Mar 31, 2011 | 12:01
SHPËRNDAJE

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, ka organizuar një mbledhje qeverie pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese mbi zgjedhjen e Behgjet Pacollit president, ku u vendos se Ekzekutivi i vendit do ta respektojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese dhe do të sillet konform këtij vendimi. Sipas Thaçit, në fillim të javës së ardhshme do të ketë një zgjidhje kushtetuese për Presidentin. Ai ka ftuar edhe opozitën për bashkëpunim. Ndërsa ofroi garanci për një zgjidhje të shpejtë, Thaçi tha se pavarësisht situatës politike të krijuar, koalicioni vazhdon punën normalisht. Kryeministri tha se e gëzon fakti që edhe Presidenca, edhe Kuvendi janë shprehur se do të respektojnë një vendim të tillë. Ndërkohë kanë nisur të qarkullojnë zëra se pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, sipas të cilit Behgjet Pacolli është president jo-kushtetues, Thaçi i ka drejtuar sërish sytë nga AAK-ja për koalicion. Analistët flasin për koalicione të mundshme të reja dhe për zhvillime pas kulimave. Gazeta “Zëri” ka shkruar dje se PDK-ja ka rikthyer shikimin nga AAK-ja, te e cila po kërkon shpëtimin e mandatit qeverisës. Sipas “Zërit” (bazuar në burime të besueshme, të afërta me AAK-në), Kryeministri ka nisur të shfaqë interesim për negociata të fshehta, për të bindur AAK-në që të bëhet aleat në qeverisje, duke i ofruar asaj postin e presidentit të vendit. Por, zyrtarë të lartë të AAK-së i mohojnë këto negociata. Sipas anëtarit të Kryesisë së AAK-së, Avni Arifi, nuk ka informata se është duke ndodhur diçka e tillë, ndërsa theksoi se kjo parti nuk hyn në koalicion me PDK-në, përveç nëse kryeministri aktual, Hashim Thaçi, vendos të tërhiqet nga qeveria.

Agim Çeku “president”

Agim Çeku mund të jetë presidenti i ardhshëm i Republikës së Kosovës. Ky është njëri prej skenarëve, nëse Behgjet Pacolli vendos të mos kandidojë më për postin që donte aq shumë. Sipas “KosovaOnline”, kandidatura e Agim Çekut për president ka mbështetje edhe brenda koalicionit qeveritar dhe gëzon një mbështetje të madhe edhe nga shefi i Zyrës Civile Ndërkombëtare, Piter Feith. Çeku mbështetet edhe nga të gjithë deputetët e PDK-së.

Sërish Pacolli

Këshilltari i parë i Behgjet Pacollit, Ibrahim Gashi, tha dje se çështja e Pacollit do të kthehet në “pikën zero”. Sipas Gashit, Behgjet Pacolli do të jetë përsëri kandidat, pasi ai personalisht, në bazë të vendimit të Gjykatës Kushtetuese, nuk e ka shkelur Kushtetutën.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura