Thaçi e Jahjaga: Ndërhyni menjëherë në Siri

Aug 31, 2013 | 16:01
SHPËRNDAJE

“Lufta në Siri, ku vetëm ditëve të fundit mijëra persona humbën jetën, në mesin e të cilëve qindra fëmijë, tregon më së miri nevojën e një nderhyrjeje ndërkombëtare në këtë shtet”, thuhet në një deklaratë për media të kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi.

“Ndonëse janë dy raste të ndryshme Kosova dhe Siria,nderhyrjet në raste të tilla humanitare tregohen të jenë zgjidhje e vetme, e drejtë, humane, në mbështetje të demokracisë botërore”, thotë Thaçi.

Në deklaratën e kryeministrit të Kosovës, më tej theksohet se nderhyrja për t’i ndalur sulmet e regjimit  të Bashar al-Assadit, ndaj popullatës së tij, është i domosdoshëm, në mënyrë që të mbështetet populli sirian në përpjekjet e tyre për liri, për rend demokratik, për sundim të ligjit, për të drejtat e njeriut.

Mesazhi i Jahjages

Me here edhe Presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga është pozicionuar në favor të sulmit ushtarak në Siri, nderkohe qe ka dënuar një sulm ndaj popullsisë civile atje.

“Presidentja e Kosovës e fton bashkësinë ndërkombëtare duke i dhënë mbështetje nismës së vendeve demokratike në krye me SHBA-të për nderhyrje  të menjëhershme dhe efikase për të ndalë dhunën që forcat e regjimit po e bëjnë ndaj popullit të Sirisë” thuhet në njoftim për media të lëshuar nga Zyra e Presidentes të premten.

Me këtë rast, Jahjaga ka thënë se përvojat e nderhyrjes në Kosovë mund ti shërbejnë bashkësisë ndërkombëtare.

“Duke marrë parasysh përvojat e nderhyrjes humanitare në Kosovë, Presidentja Jahjaga konsideron se vetëm intervenimi ndërkombëtar në Siri mund të ndalë gjakderdhjen dhe mund të shpëtojë jetën e qytetarëve duke krijuar kushtet që populli i Sirisë nëpërmjet zgjedhjeve të lira dhe demokratike të përcaktojë qeverisjen e vendit. Është parim i përgjithshëm që të mbrohen liritë dhe të drejtat e qytetarëve nga dhuna ushtarake e sistemeve diktatoriale” thuhet më tej në kumtesë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura