“Tërmet” te Flamurtari, shkarkime dhe pezullime

Oct 31, 2014 | 13:50
SHPËRNDAJE

“Tërmet” te Flamurtari, shkarkohet stafi teknik dhe pezullohen pesë futbollistë titullarë.
Rezultatet e dobëta në këto 10 javë kampionat i kanë kushtuar shtrenjtë trajnerit Ernest Gjoka, ndërsa shkarkimit nga ana e drejtuesve të klubit nuk i ka shpëtuar as zv.trajneri Johan Driza e përgatitësi atletik Gjergji Poloska. Nga stafi, ata që kanë shpëtuar, janë trajneri i portierëve Luan Birçe, si dhe fizioterapistët e skuadrës: Ardian Lluka e Klejdi Shinko. Mirëpo, klubi nuk është mjaftuar me kaq, teksa për shkak të rendimentit të ulët në ndeshjet e fundit, ka pezulluar për një afat të pacaktuar kapitenin Franc Veliu, zv.kapitenin Gjergji Muzaka, mesfushorin Nijaz Lena dhe dy mbrojtësit e krahut: Polizoi Arbri e Gledi Mici. Masat drastike janë konfirmuar dje paradite për “Panorama Sport” nga administratori i klubit vlonjat, Sinan Idrizi, ndërkohë që më pas janë publikuar edhe nëpërmjet një komunikate zyrtare për shtyp. Në krye të ekipit është komanduar trajneri i portierëve, Luan Birçe, ndërsa si ndihmës i tij, Gentian Mezani, i cili është në krye të skuadrës U-17 të Flamurtarit. Në fakt, masat drastike ishin paralajmëruar nga drejtuesit e klubit dhe shansi i fundit për trajnerin Gjoka dhe lojtarët ishte ndeshja ndaj Teutës. Humbja në Durrës dhe për më tepër e dyta radhazi, bëri që administratori Idrizi të mos toleronte më. E ndërsa për lojtarët vendimi mund të ketë kthim pas, për stafin teknik largimi është i formës së prerë. Kësisoj, pas afro dy vitesh nën drejtimin e kuqezinjve, Gjoka shkarkohet nga drejtuesit. Debutimi i tij në pankinën vlonjate ka qenë më 16 dhjetor të vitit 2012 në Durrës, teksa e nisi me një fitore 3-2 ndaj Teutës, një takim i vlefshëm për Kupën e Shqipërisë. Ndërsa dy ditë më parë, si për koincidencë, sërish në Durrës, drejtoi për herë të fundit skuadrën në humbjen ndaj Teutës 1-0, këtë herë të vlefshme për kampionatin. Në prononcimin e dhënë dje për gazetën, administratori Sinan Idrizi theksoi se masat ndëshkuese u morën për shkak të mosreagimit të ekipit. “Bordi drejtues i klubit të futbollit Flamurtari ka marrë si vendim të shkarkojë nga detyra të gjithë stafin teknik dhe të pezullojë pesë futbollistë. Ky vendim është marrë nga ana jonë për shkak të paraqitjes jo të mirë të ekipit në ndeshjet e fundit. I paralajmëruam lojtarët dhe stafin, por nuk pati reagim pozitiv. Në këto kushte u detyruam që të ndërmarrim këtë vendim. Stafi teknik është i shkarkuar, ndërsa pesë futbollistët janë të pezulluar deri në një periudhë të pacaktuar. Për momentin ekipi do të drejtohet nga trajneri i portierëve, Luan Birçe”, konfirmoi administratori Idrizi. Vetëm një javë më parë ky i fundit bëri një mbledhje urgjente me stafin dhe lojtarët, por skuadra nuk reagoi as në Kukës e as në Durrës.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura