Tërhiqet komuna: 1 euro për çdo ton mbetjesh në landfill

Oct 31, 2013 | 14:05
SHPËRNDAJE

Komuna e Bushatit i ka dhënë dritën jeshile depozitimit të mbetjeve në lanfill me një tarifë 1 euro toni, nga 7 euro që ishte vendosur më parë. Ka qenë prefekti i qarkut të Shkodrës, Paulin Radovani, i cili në rolin e negociatorit ka ndërhyrë pranë Bashkisë dhe komunës Bushat, që palët të bien dakord për hedhjen e mbetjeve urbane. Komuna Bushat kërkonte 7 euro për çdo ton mbeturina, por një tarifë e tillë nuk është përballuar dot as nga Bashkia e Shkodrës, ajo e Lezhës dhe e Shëngjinit. Tarifa prej 1 euro do të jetë e vlefshme për 2 muajt e fundit të këtij viti; Më pas, një strukturë e posaçme, Enti Rregullator i Energjisë, do të përllogarisë me saktësi se sa do të jetë tarifa e depozitimit të mbetjeve urbane pranë landfillit të Bushatit. Gjatë ditës së djeshme, prefekti Radovani inspektoi nga afër këtë landfill. Ai ka marrë miratimin e drejtuesve të komunës Bushat, por edhe të firmës kontraktuese që menaxhon këtë landfill, për të lejuar që deri në fund të vitit të gjitha njësitë vendore  të depozitojnë mbetjet me tarifën 1 euro/toni. “E mira do të ishte që deri në fund të këtij viti, njësitë vendore që janë në afërsi me këtë landfill të depozitojnë mbetjet kundrejt tarifës 1 euro/toni. Më pas, qeveria shqiptare ka përcaktuar si palë negociuese Entin Rregullator të Energjisë, i cili mbi bazën e rregullave të ekonomisë së tregut do të përcaktojë tarifën përfundimtare të depozitimit të mbetjeve urbane”, tha ai.
Tashmë nga data 1 nëntor, landfilli i Bushatit pritet të vihet në eficiencë të plotë, pas një sërë negociatash dhe shumë takimesh që ky investim prej 4.2 milionë eurosh të marrë formë dhe mbetjet e qytetit të Shkodrës por edhe të njësive të tjera vendore në afërsi të tij të depozitohen në këtë landfill rajonal të ngritur për këtë qëllim. Kostoja për depozitimin e mbetjeve në landfill 7 euro/toni që kërkonte komuna e Bushatit, u kundërshtua pothuaj nga të gjitha njësitë vendore si një shifër e lartë dhe e papërballueshme për buxhetet e njësive vendore, por edhe për xhepat e taksapaguesve.

SHKODER/ RIDVAN DIBRA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura