Tërhiqet edhe PR, Lezha çështja e fundit në Kolegj

Jul 31, 2013 | 9:10
SHPËRNDAJE

Republikanët s’do kërkojnë hapjen e kutive të materialeve zgjedhore. Madhi, në “Panorama”: Do kërkonim përsëritjen e zgjedhjeve në Shkodër.

Partia Republikane është tërhequr nga kërkesa e saj për të ankimuar në Kolegjin Zgjedhor qarkun e Shkodrës. Ashtu si Partia Socialiste një ditë më parë, edhe republikanët kanë vendosur që të sakrifikojnë interesat e tyre për një mandat në qarkun e Shkodrës, për të mos zvarritur certifikimin e procesit elektoral të 23 qershorit. Përfaqësuesi ligjor i PR-së, Arjan Madhi, tha dje për “Panorama” se është vendosur që të mos ankimohet pasi, në rast se do të vërtetohej pretendimi i republikanëve se në Shkodër është manipuluar rezultati, atëherë do të kërkohej pavlefshmëria në këtë qark dhe, për rrjedhojë, përsëritja e votimit.

“Ne ishim në shqyrtim të një sërë faktorësh për të bërë apo jo ankimim në Kolegjin Zgjedhor për çështjen e Shkodrës. Partia Republikane ka vendosur të mos ankimojë në Kolegj rezultatin e këtij qarku, edhe pse nuk i shmangemi bindjes se procesi zgjedhor në Shkodër ka qenë i manipuluar. Nëse do të vërtetohej pretendimi ynë, që në kuti janë më shumë fletë votimi sesa votues, atëherë Partia Republikane do të kërkonte përsëritjen e zgjedhjeve dhe shpalljen e pavlefshmërisë në qarkun e Shkodrës. Por PR-ja në këtë rast vendosi të sakrifikojë interesat e saj personalë për interesat madhorë të vendit, duke hequr dorë nga ky ankimim, në mënyrë që të përshpejtojë procedurat e shpërndarjes së mandateve dhe të certifikohet rezultati i zgjedhjeve. Me këtë vendim do i mundësohet vendit që të zgjidhet në kohë qeveria dhe të mblidhet Parlamenti i ri brenda afateve ligjore”, u shpreh Madhi.

Përfaqësuesi ligjor i PR-së tha më tej se kjo forcë mbetet e mendimit se rezultati në Shkodër është i falsifikuar nga aleatja e saj, PDja, por sipas tij KQZ nuk i mundësoi hapjen e kutive të materialeve zgjedhore. “Në KQZ na u refuzua kërkesa për të zbuluar të vërtetën e numrit të votuesve, informacion që gjendet në kutinë e materialeve zgjedhore. Me hapjen e kutive të materialeve zgjedhore do të mund të zbulohej nëse korrigjimet kanë qenë të natyrës gabime njerëzore, apo do të tregonin se nuk përputhet numri i votuesve me fletët e gjetura në kuti. Gjithsesi, me vendimin e tërheqjes, do i mundësohet vendit që të zgjidhet në kohë qeveria dhe të mblidhet Parlamenti i ri brenda afateve ligjore”, tha Madhi.

ANKIMIMI I PD
E vetmja kërkesë ankimore në Kolegjin Zgjedhor, mbetet ajo e Partisë Demokratike, që kërkon rinumërim të të gjitha qendrave të votimit në qarkun e Lezhës. Kërkesa ankimore do të shqyrtohet sot në orën 10:30 minuta nga trupa gjyqësore e Kolegjit. Në kërkesën ankimore të PD-së, thuhet se Kolegji duhet të rinumërojë të gjitha kutitë për shkak të parregullsive që kanë ndodhur në këtë zonë. Hapjen e kutive e bëri më parë edhe KQZ, ku rezultoi se PD-ja e rriti diferencën e saj nga 39 vota që ishte, në 740 vota. “Partia Demokratike kërkon rinumërimin dhe rivlerësimin e fletëve të votimit të të gjitha qendrave të votimit në Lezhë. Praktikisht, të njëjtat fletë që u panë në KQZ dhe u rinumëruan e rivlerësuan, t’i rivlerësojë e rinumërojë Kolegji e t’i fusë në rezultat”, thuhet në kërkesën e PD-së. Fation Binjaku/PANORAMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura