Tërhiqet “dëshmitari okular” i vrasjes së kryekomisarit Lamaj

Mar 31, 2013 | 11:20
SHPËRNDAJE
Lulet në vendin ku vra kryekomisari

TIRANE – Dëshmitari okular dhe kryesor i vrasjes së kryekomisarit Dritan Lamaj është tërhequr nga dhënia e çdo shpjegimi në lidhje me ngjarjen e rëndë të 24 shkurtit 2013 në Tiranë. Burime nga hetimi i atentatit ndaj zyrtarit të Policisë kanë thënë se publikimi i të dhënave në lidhje me personin që u ndodh rastësisht në skenën e krimit, e ka ekspozuar së tepërmi personin në fjalë. Ekspozimi ka qenë i tillë, saqë përfaqësues të biznesmenit të dyshuar për vrasjen e Lamajt, e kanë kontaktuar dëshmitarin pak ditë pas ngjarjes dhe e kanë pyetur “çfarë ke parë ti atë natë”. Burimet nga hetimi thanë se publikimi i të dhënave në lidhje me dëshmitarin është përcjellë më shqetësim nga Prokuroria e Krimeve të Rënda dhe Prokuroria e Përgjithshme. Burimet e gazetës kanë thënë se vetë personi që rastësisht është ndodhur në vendin e ngjarjes, ishte paraqitur në Prokurori dhe kishte pohuar se nuk kishte parë asnjë gjë dhe nuk dëshironte të jepte shpjegime në lidhje me ngjarjen. Një qëndrim të tillë personi në fjalë mësohet se e ka shfaqur që në momentin e parë kur të dhënat e tij u bënë publike pjesërisht në media. Qëndrimi refuzues për të dhënë shpjegime u përforcua te dëshmitari pasi përfaqësues të mbrojtjes ligjore të biznesmenit Arben Frroku dhe të afërm të tij, dyshohet se e kanë kontaktuar “dëshmitarin” duke kërkuar të mësonin nëse ai kishte parë diçka natën e ngjarjes apo jo. “Nuk kam parë asgjë” mësohet të ketë pohuar personi që pretendohej se ka qenë në vendngjarje. Një pohim të tillë ai e ka dhënë në Prokurori, por edhe për “të dërguarit” e biznesmenit. Nuk dihet nëse këta të fundit e kanë kontaktuar dëshmitarin për të mësuar prej tij nëse kishte parë diçka apo jo, apo për ta shfrytëzuar atë si provë për alibinë, sipas së cilës Arben Frroku nuk ka qenë në vendin e ngjarjes. Menjëherë pas atentatit të kryer ndaj kryekomisarit Dritan Lamaj, policia bëri publik faktin se një i ri kishte qenë duke kaluar në rrugë në momentin e ngjarjes. U pretendua se ky person kishte parë fytyrat e vrasësve në makinën tip BMVV me targa të Durrësit, ndërkohë që nga pamjet e kamerave të sigurisë në zonë është konfirmuar se autorët e krimit kanë pasur maska në fytyrë. Përkundër këtyre fakteve, mësohet se dëshmitari i pretenduar është tërhequr përfundimisht nga dhënia e shpjegimeve lidhur me ngjarjen e rëndë. tr.so

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura