Tentoi të vrasë ish-dhëndrin, 16 vjet burg vjehrrit

Jan 31, 2014 | 13:47
SHPËRNDAJE

TIRANE – Gjykata e Tiranës shpalli të fajshëm një 62-vjeçar, të akuzuar për tentativën e vrasjes së ish-dhëndrit të tij. Tentativa e vrasjes kishte për motiv hakmarrjen ndaj ish-dhëndrit, i cili kishte lënë vajzën e tij pas 17 vitesh martesë për të bashkëjetuar me një femër tjetër. I pandehuri Bajram Çejku u dënua me 16 vjet burg për akuzën e “vrasjes me paramendim për hakmarrje” dhe “mbajtje pa leje të armëve luftarake”. Për shkak të gjykimit të shkurtuar, ai përfitoi uljen e një të tretës së dënimit. Sipas vendimit të shpallur pak ditë më parë, më 27 prill 2013, në rrugën dytësore në krah të superstradës Tiranë-Durrës, i pandehuri Çejku ka qëlluar me armë në drejtim të ish-dhëndrit të tij, Xhevahir B. Nga plumbat është plagosur dhëndri, si edhe një person tjetër që ndodhej pranë tij. Referuar vendimit, i pandehuri Çejku do të merrte hak për vajzën e tij. Kjo e fundit kishte qenë për 17 vjet e martuar me Xhevahir B. me të cilin kishte tre fëmijë. Për shkak disa problemeve të saj shëndetësore, marrëdhëniet në çift janë acaruar së tepërmi. Me pretendimin se ajo nuk kujdesej dot për familjen, Xhevahir B. ka marrë në shtëpi një grua tjetër, pa lidhur martesë me të. Kështu, sipas gjykatës, për gati 4 vjet bashkëshortja e tij jetonte në katin e parë të banesës, ndërsa ai me bashkëjetuesen në katin e dytë. Pas vdekjes së babait të Xhevahir B., marrëdhëniet mes familjarëve të tij dhe bashkëshortes janë acaruar deri në pikën që e bija e të pandehurit është kthyer në shtëpinë e prindërve. Kjo situatë ka bërë që babai i saj, i pandehuri, të ndërmerrte aktin e hakmarrjes. “I pandehuri Bajram Çejku ka marre makinën furgon të familjes. Ka siguruar armë zjarri, pushkë automatike e modelit 1963, me të cilën do të qëllonte kundër dhëndrit të tij, shtetasit Xhevahir B., për padrejtësitë që i kishte bërë vajzës së tij dhe fëmijëve të saj, duke e larguar nga shtëpia pa asnjë shkak gruan e tij të ligjshme dhe duke marrë në shtëpi një grua të dytë”, thuhej në vendimin e gjykatës. Pasi ka shkuar te vendi ku ndodhej Xhevahir B., i pandehuri ka pritur për 20 minuta dhe kur e ka parë atë, ka qëlluar me breshëri, duke përdorur një dritare të vogël të furgonit. Nga ky veprim Xhevahir B. mori disa plagë të parrezikshme për jetën. Plumbat lënduan dhe një person tjetër. Çejku nuk u akuzua për plagosjen e tij, pasi ai hoqi dorë nga e drejta e ankimit. Pas ngjarjes, Çejku është vetëdorëzuar në Polici.                                      ar.ba

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura