Tenderët, 6 mënyrat e abuzimit

Feb 26, 2011 | 13:16
SHPËRNDAJE

Në raportin vjetor të këtij institucioni thuhet se pavarësisht përmirësimit të infrastrukturës dhe kryerjes online të procedurave të prokurimeve, ka ende probleme. “Janë evidentuar kritere kualifikuese të vendosura jo në përputhje me përcaktimet e ligjit dhe të rregullave të prokurimit publik, si dhe mosrespektim i afateve kohore të ankimimit. Parregullsi janë konstatuar gjithashtu edhe në punën e komisionit të vlerësimit të ofertave, të cilët në disa raste kanë marrë vendime të nxituara dhe/ose të pasakta në lidhje me dokumentacionin e dorëzuar nga ofertuesi”, thuhet në raport. Ndërkaq, të marra më vete, Avokati i Prokurimeve ka identifikuar gjashtë problematika kryesore. E para lidhet me mosllogaritjen e saktë të fondit limit, çka ka sjellë oferta nën koston ligjore dhe rrjedhimisht është shoqëruar me probleme mes operatorëve dhe punonjësve që ata kanë. Një tjetër problem është edhe hartimi i dokumenteve të tenderit, jo në përputhje me përcaktimet ligjore, kjo e lidhur me tejkalim të kufijve monetarë dhe kohorë, apo specifikime teknike të ekzagjeruara. Nuk kanë munguar rastet kur Komisioni i Vlerësimit të Ofertave ka abuzuar, duke shpallur fitues operatorë që nuk përmbushnin kriteret e nevojshme ligjore, apo kur janë refuzuar ofertat e operatorëve që plotësonin kërkesat e nevojshme. Ashtu sikurse një vit më parë, Avokati i Prokurimeve ka kritikuar edhe për mungesën e specialistëve në Komisionin e Vlerësimit të Ofertave, çka e bën këtë proces që të ketë probleme serioze në vlerësimin e saktë të ofertave për projekte të ndryshme. Avokati i Prokurimeve si institucion, gjatë vitit 2010 ka kryer një sërë monitorimesh dhe trajtime ankesash, duke dhënë edhe rekomandimet e nevojshme për Agjencinë e Prokurimeve Publike.

 

NERTILA MAHO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura