Tendencat e pranverë-verë 2014, në modë femrat e shkujdesura

Mar 31, 2014 | 14:02
SHPËRNDAJE

Stina e re i fton femrat të ndryshojnë “lëkurën”, për t’u shfaqur sa më të hijshme në punë apo edhe për të dalë mbrëmjeve me parterin apo edhe shoqet. Këshillat kësaj herë vijnë për modën e re që duhet të ndiqni gjatë sezonit pranverë-verë 2014, nga maja e flokut deri te këpucët. Për të gjitha ju femra që keni flokë të gjatë, duhet të fusni në lojë dhe aksesorët, për të plotësuar pamjen tuaj. Por edhe ju vajza që jeni lodhur nga flokët “extention”, mund t’i hiqni fare, pasi këtë vit është moda e flokut të prerë shkurt. Fustanet e gjata me ngjyra dhe këpucët apo sandalet e sheshta janë moda e re e veshjes në favor të ju femrave që jeni lodhur nga takat. Më poshtë disa këshilla të modës së re për flokët, fustanet dhe këpucët e stinës së ngrohtë.

Modelimi i flokëve

Floku i gjatë, rikthehen gërshetat
Nëse keni flokë të gjatë, këtë sezon pranverë/verë 2014 mund të jeni shumë krijuese me modelin e flokëve. Flokët do të mbahen në mënyrë të çrregullt, me gërsheta dhe mund të zbukurohen me kapëse, apo aksesorë flokësh nga më të ndryshmet. Ngjyra e sugjeruar për flokët këtë vit është e verdha platin, e natyrisht me shkëlqim.
Floku i shkurtër, në modë prerja “bob”
Prerja e stilit “bob” është kthyer në modë për femra këtë vit. Një prerje e hijshme dhe trendi do t’i përshtatej çdo portreti. Stili “bob” është një prerje shume praktike, dhe ka favorin tjetër që mund të stilohet në mënyrë të çrregullt. Këtë pranverë/verë 2014 as krehri nuk do t’ju duhet më, pasi sa më i çrregullt të jetë stilimi i flokëve, aq më trendi dhe moderne do dukeni.
Fustanet, këtë vit “mini” ia lë vendin “maxit”
Më në fund këtë sezon janë shumë në trend fustanet e gjatë, ose ndryshe të quajtur “maxi”. Fustanet e gjatë janë shumë praktikë dhe kombinohen në mënyrë perfekte me sandale të sheshta. Ky stil veshjeje ju bën të ndiheni më të rehatshme dhe më të lirshme në të përditshmen tuaj. Mos harroni që veshja e duhur dhe komode u jep mundësinë të shfaqeni më të lirshme dhe interesante në sytë e të tjerëve.
Këpucët, u thuaj jo takave!
Takat e këpucëve vitet e kaluara çdo vit e më shume zgjateshin, duke arritur e madje kaluar 10 centimetrat. Por këtë vit moda kërkon të ecësh sa më pranë tokës. Në sezonin pranverë/verë 2014 po ndodh e kundërta. Këpucët e sheshta janë përsëri në modë, duke e bërë mjaft të kërkuar femrën sportive. Kur Victoria Bekham ka filluar të dalë nga shtëpia pa “high heels”, kjo ka një domethënie apo jo, përderisa për vite të tëra ishte femra e vetme VIP që nuk i hiqte takat as në shtëpi.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura