Teatri/ Limos Dizdari thirrje thirrje akademive dhe ambasadave: Mbështesni artistët

Jun 25, 2018 | 15:45
SHPËRNDAJE

Kompozitori Limos Dizdari u bën thirrje të gjithë akademikëve shqiptarë të rreshtohen në krah të artistëve për mbrojtjen e të drejtave të tyre. Përmes një letre të hapur, ai u drejtohet të gjithë anëtarëve të dy akademive shqiptare dhe përfaqësive diplomatike, asaj të Bashkimit Europian dhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

limos-dizdari

Dizdari sjell në kujtesë atë çka ka ndodhur rreth 17 vjet më parë, kur ai në krye të Komisionit për Çështjet e Edukimit dhe Kulturës, mbrojti kauzën e Teatrit Kombëtar, kundër shembjes së tij. Por, sot, sipas tij, situata është edhe më e rëndë.

“Atëherë këpushat ishin shumë të dobëta, sot janë shumë të shëndetshme e të frikshme. Nuk vrasin, por kanë fuqinë të porosisin vdekje”, thotë ai. Kompozitori u bën thirrje të vrasin heshtjen dhe të reagojnë. “Kërkoni në mënyrë insistuese që artistët të jetojnë të lirë në fukarallëkun e tyre, pjesë e së njëjtës situatë të dhimbshme jam edhe unë”, bën thirrje ai.

LETËR E HAPUR

Të nderuar miq, anëtarë të Akademisë së Arteve dhe Shkencave Shqiptare! Ju uroj shëndet dhe suksese në punën tuaj krijuese e shkencore! Kujtoj me respekt e mirënjohje të thellë protestën tuaj të vitit 2016, si shprehje solidariteti të lartë në luftën e përbashkët të mbrojtjes së vlerave kulturore e shpirtërore.

Akti juaj ishte jo vetëm një respektim i moralit dhe statusit, me anë të të cilit kjo Akademi udhëhiqet, por edhe si një përgjegjësi e lartë për çdo anëtar që firmosi një dokument në mbrojtje të një dëmi të pariparueshëm. E vërteta e madhe është fakti se, si rezultat i protestës suaj të fortë e pa kompromis, efekti ishte i menjëhershëm: kishte mençuri, qartësi, bindje, përgjegjësi morale dhe guxim civil.

Një arsye tjetër ishte fakti se ishit të gjithë në një mendje dhe kjo bëri që fjala juaj të shprehte forcën e njerëzve me vlera dhe kontribute. Më lejoni të kujtoj, të nderuar njerëz të shquar, se e keqja ndonjëherë është më e keqe se vetë e keqja. Unë akoma nuk mendoj se kam bërë gabim që kërkoj të respektohen ligjet e shtetit dhe të përleshem pa hezitim me të ligën, edhe pse dominuese, por ata që e bartin gjenden të tromaksur, për shkak të korrupsionit të lartë të tyre.

“Shkatërrova jetën nga shthurja e moralshme për qoshen time…”, thoshte Dostojevski. …Për mua nuk ka qeveri të keqe, por qeveri që nuk do popullin e saj. Edhe sot, pas 16-17 vitesh, kujtoj përpjekjet e mia të mëdha t’i kundërvihesha të ligës e të mos lejoja të prishej godina e Teatrit Popullor dhe të bëja të mundur të bindja Parlamentin e Shqipërisë të votonte pro mendimin e argumentuar të Komisionit që unë kryesoja, përballë atij propozimi të drunjtë të një grupi të vogël, që edhe sot hesht…

Atëherë këpushat ishin shumë të dobëta, sot janë shumë të shëndetshme e të frikshme. Nuk vrasin, por kanë fuqinë të porosisin vdekje. Ju lutem, të nderuar miq. Kërkoni në mënyrë insistuese që artistët të jetojnë të lirë në fukarallëkun e tyre, pjesë e së njëjtës situatë të dhimbshme jam edhe unë.

Asgjë më shumë nuk duam, veçse të respektohet ligji. Me këtë thirrje ju drejtohem jo vetëm juve, por edhe Akademisë së Shkencave, Ambasadës Europiane e asaj Amerikane, si dhe institucioneve të larta juridike të riformatuara. Me po të njëjtën thirrje, por më me forcë, i drejtohem popullit tim.

Në emër të dashurisë dhe respektit tonë për të, t’i kujtoj edhe një herë se e keqja është ndonjëherë edhe më e keqe se vetë e keqja. Vetëm kështu mund të kemi një emërues të përbashkët, që na bën më të fortë dhe të mos vetëm shajmë drejtues apo individë të ndryshëm. Me një vlerësim të sinqertë, pranoni falënderimet dhe urimet e mia më të përzemërta:

Njëri prej jush

LIMOS DIZDARI

Qendra e Artit “Dea”

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura