Të shtunën Letërsia, kush rrezikon provimin

May 31, 2012 | 13:20
SHPËRNDAJE

Të shtunën, më shumë se 40 mijë maturantë japin provën e parë të Maturës Shtetërore. Ata do t’i nënshtrohen provimit të detyrueshëm të Letërsisë, i cili do të pasohet nga tre të tjerë. Për 4000 nxënës do të jenë katër provime, pasi ata kanë zgjedhur më shumë se dy lëndë. Kjo mundësi u është  dhënë për herë të parë këtë vit. Ministria e Arsimit u ka bërë thirrje maturantëve të zbatojnë 10 rregullat bazë për të mos u përjashtuar nga testimi. Janë 10 rregulla ku përcaktohen qartë rastet kur një maturant mund të përjashtohet nga provimi dhe të mos i njihen rezultatet. Maturantët duhet të paraqiten në shkollë një orë përpara fillimit të provimit. Në këtë kohë kryhet identifikimi i nxënësit, hyrja në mjediset e provimit (klasa), ulja e tyre në vende si dhe leximi i rregullave për kandidatët. Procesi i identifikimit të çdo maturanti gjatë hyrjes së tyre në mjediset e provimit kryhet nga përgjegjësi i administrimit të provimit. Me kërkesën e tij, ai mund të ndihmohet nga drejtori i shkollës dhe administratorët e provimit. Pas fillimit të zhvillimit të provimit nuk lejohet që drejtori i shkollës të hyjë në mjediset ku zhvillohet provimi. Hyrja dhe ndarja e çdo maturanti nëpër klasa bëhet duke ndjekur rigorozisht rendin zbritës të listës emërore të dërguar nga AKP. Ndërkohë që çdo maturant në ditën e provimit duhet të ketë me vete për identifikim certifikatën personale me fotografi ose letërnjoftimin. Sipas rregullores, lejohet hyrja në provim vetëm e nxënësit të shpallur në listë. Ndërsa sistemimi i çdo kandidati në sallat e provimit bëhet një nga një, sipas rendit të hyrjes se tyre. Madje, ndalohet ndërrimi i vendeve. Në ato shkolla apo mjedise ku provimi administrohet vetëm në një klasë, sistemimi i nxënësve bëhet sipas rendit alfabetik. “Në rast se një nxënës thyen rregulloren, ai jo vetëm që do të përjashtohet nga provimi i Letërsisë, por nuk do të ketë mundësi të japë as provimet e tjera”, thonë specialistët e MASH. Por maturantët kanë edhe të drejtat e tyre. “Në rast se maturanti vëren ndonjë shkelje të rregullores së provimit nga ana e nxënësve të tjerë, ai ka të drejtë të raportojë për parregullsi tek administratori i provimit”, thuhet në rregullore. Maturantët që dorëzojnë testin e provimit përpara kohës së përcaktuar nuk duhet të dalin nga mjedisi ku zhvillohet provimi para dy orësh nga fillimi i tij, por të grumbullohen në një sallë të përcaktuar më parë.

Testet ndahen në shtatë variante, sipas llojit të shkollës së mesme
Hartimi, për tri nivele nxënësish. Si bëhet vlerësimi

Do të hartohen 7 lloje të ndryshme testesh, përshtatur drejtimit të shkollës që ndjekin nxënësit. Provimi i Letërsisë do të zgjasë 2 orë e 30 minuta. Do të përmbajë 25 pyetje gjithsej, nga të cilat 13 me alternativa dhe 13 me zhvillim. Lloji i parë i pyetjeve do të vlerësohet me 1 pikë për secilën. Duke iu përgjigjur saktë, nxënësit mund të grumbullojnë në total 13 pikë. Pyetjet me zhvillim do të kenë peshë tri herë më të lartë. Në total, duke dhënë përgjigjen e drejtë për këtë grup, maturanti merr 37 pikë. Për të marrë notë maksimale në provimin e Letërsisë, një nxënësi do t’i duhen 50 pikë. Pasi të kryhet vlerësimi i të gjitha testeve, do të vendoset një tavan pikësh që lejon tolerancën për marrjen e notës minimale dhe maksimale. Në test do të ketë pyetje për të gjitha nivelet e nxënësve. Për të dobëtit, që përgjithësisht marrin notën 5 ose 6, do të ketë pyetje në masën 40%. Në këtë mënyrë, këta maturantë do të mund të marrin pikët e nevojshme në provim, sa për të mos rezultuar mbetës. Niveli i dytë i pyetjeve, ku hyjnë nxënësit mesatarë të notave 7 dhe 8, do të zërë në çdonjërin prej testeve po 40% të totalit. Në këtë grup pyetjesh do të ketë testim të dijeve të maturantëve jo thjesht për njohuritë bazë, por për njohuri më të thella, për të cilat mund të përgjigjen ata maturantë që përpiqen të mësojnë ose kanë qenë sistematikë. Niveli i parë, ose i nxënësve të mirë dhe shumë të mirë, do të ketë 20% hapësirë në test.

Kreativiteti
Maturantët do të testohen jo më vetëm për njohuritë që kanë marrë gjatë shkollës së mesme, por edhe për kreativitetin e tyre individual. Korrigjimi do të bëhet nga tri gupe vlerësuesish, të cilët do t’i kalojnë të gjitha testet nëpër duar dhe mbi bazën e një sistemi pikësh do të japin verdiktin e tyre.

ZIRINA LLAMBRO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura