Të shkarkuarit, protestë para Parlamentit

Feb 28, 2014 | 11:14
SHPËRNDAJE

Dhjetëra të shkarkuar nga puna gjatë këtyre gjashtë muajve kanë protestuar dje para Parlamentin dhe kanë kërkuar zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese për rikthimin e tyre në pozicionet ku kanë qenë. Rreth orës 10:00, teksa deputetët po hynin në seancë plenare, protestuesit u kërkuan përfaqësuesve të opozitës të bojkotojnë punimet dhe të bashkohen me ata në shesh. Me pankarta ku shkruhej “Na mashtruat”; “Ku ma ke konkursin?”; “Deputet, mos shkel ligjin”, protestuesit kanë ironizuar deputetët socialistë dhe kanë kërkuar mbështetjen e atyre demokratë në kërkesat e tyre. Në dy raste gjatë seancës deputetët e PD-së, Edi Paloka, Majlinda Bregu, Aldo Bumçi, Eduard Halimi, Jorida Tabaku e Keltis Kruja lanë punimet në sallë dhe u takuan me protestuesit. Kreu i Grupit të PD-së, Edi Paloka, e ka cilësuar të drejtë protestën e ish-punonjësve të administratës të larguar nga puna. “Jemi aty për ju. Nuk do tju lëmë në rrugë. Kthehemi pas seancës me ju, ne jemi me ju”. Deputetja Majlinda Bregu u tha protestuesve se do të kenë mbështetjen e opozitës, kudo që ata do të jenë. “Ata të cilët nuk interesohen për të drejtat e qytetarëve, për jetën e qytetarit, ata nuk meritojnë që ta drejtojnë këtë vend asnjë orë. Ne do t’ju mbështesim çdo ditë, çdo orë, në çdo moment tuajin, kudo që të jeni”, u shpreh Bregu. Protestuesit janë përshëndetur nga larg edhe nga ish-kryeministri Sali Berisha, teksa ai po hynte në punimet e Kuvendit. Nga ana e saj policia kishte marrë masat për të parandaluar incidentet e mundshme dhe vendosi dy kordonë me efektivë në traun përpara se të hyhet në oborrin përpara Kuvendit. Protestuesit u shpërndanë rreth orës 12:00, duke vendosur njëkohësisht që të mblidhen sot në mesditë përpara Kryeministrisë, ku do të protestojnë sërish për rikthimin e tyre në punë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura