Të shërbesh me shpirtin e mjekut

Jan 31, 2012 | 11:32
SHPËRNDAJE

PËLLUMP PIPERO

Ndonjëherë nuk janë ilaçet që shërojnë. Një fjalë e ngrohtë, një buzëqeshje një shtrëngim duarsh, një përqafim i japin pacientit fuqinë dhe dëshirën për ta përballuar sëmundjen. Mjeku nuk duhet të jetë assesi një mekanizëm që punon brenda orarit për të risistemuar ingranazhe pajisjesh të çrregulluara. Në sytë e çdo pacienti mjeku është hyjni. Sytë, veshët dhe gjithë qenia e të sëmurit drejtohen tek ai. A mund ta merrni me mend zhgënjimin, hidhërimin, trishtimin, dhimbjen dhe lotët që derdh pacienti pas një fjale të pamenduar, pas një neglizhence të pastudiuar, pas harrimit dhe shmangies? Mjeku i ardhshëm duhet të kuptojë, duhet të besojë, duhet të krenohet se të nesërmen, për qindra njerëz, ai dhe vetëm ai do të jetë e gjithë bota. Nuk do të kenë më rëndësi prindërit, fëmijët, vëllezërit, motrat, miqtë e shokët, por vetëm Ai, Mjeku. Ai do të jetë qendra e gjithësisë brenda një studioje të vogël e të bardhë. Këtu fillon të bëhesh mjek. Kur ti nuk do t’i përkasësh më vetvetes, por pacientit. Kur ti nuk do të jetosh me nocionin e orës, por me kohën e pacientit. Kur ti nuk do të shkosh ta gëzosh jetën tënde pa luftuar totalisht për të fituar jetën e pacientit. Ky është shpirti i vërtetë i një mjeku. Këtë shpirt, këtë zemër të madhe, duhet të respektojnë dhe të kërkojnë të sëmurët, jo stetoskopin mbi bluzën e bardhë, që gjithkush mund ta mbajë, por jo që gjithkujt mund t’i japë titullin mjek. Ky duhet të jetë leksioni i parë për çdo student mjekësie.
Mjekësia sot
Është në një reformim të thellë, edhe pse ende ka problemet e saj. Ka shumë arritje, por ka ende shume sfida. Ajo ka nevojë për më shumë vëmendje, përkushtim, mbështetje, mirëkuptim, komunikim. Madje më shumë akoma. Ka nevojë për të përballuar sfidën e shekullit të ri, që është shërbim shëndetësor me më shumë cilësi, siguri, performancë, garanci etj. Dhe problemi nis atje ku nis edhe jeta, në qelizë, në shkollën e mjekësisë. Breza të tërë studentësh hyjnë e dalin sepse po bëjnë një shkollë. Dëshira dhe pasioni i tyre, dashuria për këtë profesion të madhërishëm, marrin goditje të njëpasnjëshme, të ditëpasditshme, të orëpasore, nga dhjetëra mungesa, nga qindra mangësi, nga mijëra pamundësi. Është e dhimbshme të shohësh mjekun e ardhshëm të vuajë për një libër. Është e trishtueshme të takohesh me shkencëtarin e ri që kërkon një laborator. Është e turpshme të përballesh korridoreve të plasaritura e auditorëve të pamjaftueshëm me kolegun tënd të ardhshëm. Është ulëritëse që kërkojmë shumë kur japim kaq pak. Nesër ata do të jenë përballë sfidash të reja, të pamenduara, të palexuara. A duhet t’i përballojnë me autoritetin e një mjeku mediokër, apo me kulturën e gjerë dhe të gjithanshme të një njeriu që ka titullin mjek, apo të një bluze të bardhë që ka mbaruar një shkollë? Nuk duhet të harrojmë për asnjë çast: Një libër i munguar sot, është një jetë e rrezikuar nesër. Studentët e mjekësisë nuk duhet ta njohin nocionin e “kohës së lirë”. Për çdo student tjetër kjo mund të vlejë, por jo për studentët e mjekësisë. Fakulteti i tyre duhet “të përmbytet” nga materialet më të fundit, nga eksperiencat më të çuditshme, nga rastet më të paimagjinueshme, nga arritjet më të fundit të shkencës dhe teknologjisë, nga projektet me vendet më të përparuara të botës, nga konkurrenca e ideve dhe projekteve, nga garat mes studentëve, nga diskutimet, qoftë edhe nga debatet mes tyre dhe Profesoratit. Në fund të fundit, ata do të jenë nesër kolegët tanë, bashkëpunëtorët tanë, pasardhësit tanë. Dhe për ne, mjekët “e vjetër”, nga puna e sotme do të varet krenaria e nesërme. Nëse ata studentë do të jenë nesër mjekët mediokër dhe të paaftë, edhe ne, sado hyjnorë të kemi qenë dikur, do të ndihemi së bashku me ta mediokër dhe të paaftë. Në duart tona është e ardhmja e mjekësisë shqiptare. Jo çdokush e ka këtë mundësi, por jo çdokush e ndien këtë si mundësi. Fakulteti i Mjekësisë kërkon reformim të thellë, të gjithanshëm, konceptual dhe krijues. Kërkon dëshirë, vullnet, forcë, por, mbi të gjitha, kërkon dashuri. Dashuri për profesionin, për Profesoratin dhe, mbi të gjitha, për studentët. Ata dhe vetëm ata janë, në fakt, plazma që duhet mbajtur e shëndetshme. Pa ata, pa suksesin e tyre, titujt “Doktor” e “Profesor”, gradat dhe arritjet tona nuk vlejnë.
Mjekësia shqiptare përballë mjekësisë botërore
Pse ata shqiptarë që kanë mundësi menjëherë kërkojnë të shkojnë jashtë vendit të tyre për t’u trajtuar? Madje edhe ata që s’i kanë mundësitë financiare kërkojnë rrugë, kërkojnë mjete të tjera, madje edhe kur problem i tyre është jo urgjent, të trajtohen nga mjekët grekë, turq, italianë, austriakë, gjermanë, amerikanë. A mos vallë duhet ta mbyllim syrin e kësaj ane me shprehjen e fëlliqur “kjo është Shqipëria”? Nëse është kështu, falimentimi mjekësor është i sigurt, por, mbi të gjitha, e sigurt është errësira e së ardhmes. Integrimi në Europë, të paktën për komunitetin tonë, nuk mund të arrihet me fjalë, as me lutje. Një student shqiptar që vetëm dëgjon një student europian, pa arritur asnjëherë të debatojë shkencërisht me të, pa arritur t’i tregojë një studim të tijin, është një tjetër minus mes minuseve të tjera. Studentët tanë duhet të njihen me kolegët e ardhshëm që në bankat e shkollës, duhet të dinë dy herë më shumë se ata, duhet të studiojnë tri herë më shumë se ata, duhet ta marrin vlerësimin pesë herë më vështirë se ata, duhet të mbështeten dhjetë herë më shumë se ata. Profesorati i Fakultetit të Mjekësisë duhet të trajtohen jo si mësues të rëndomtë, por si bërthama, e cila ka në dorë të krijojë mburojën e jetës për nesër. Lidhjet e tyre me kolegët europianë e amerikanë nuk duhet të jenë personale, të varen vetëm nga arritjet e secilit, por duhet të jenë të planifikuara, të shpeshta e të frytshme. Profesorati duhet të jetë në dijeni të çdo lloj metodologjie të re, të çdo shpikjeje sado e parëndësishme që ka lidhje me mjekësinë, të çdo arritjeje. Dhe kjo jo në mënyrë fakultative, por duhet të jetë fakulteti ai që duhet t’u sigurojë burimet, të dhënat, takimet, konferencat, videokonferencat, shkëmbimet e njohurive me kolegët dhe mjekët anembanë botës. Profesorati i Fakultetit të Mjekësisë është pika mbështetëse e levës së reformave. Ata duhet të jenë krahu, truri dhe zemra që kjo shkollë të marrë kuptimin e vërtetë të saj. Profesorët nuk mund të ulen në tavolinë drejtkëndëshe apo poshtë një froni. Jo. Absolutisht jo. Si dikur Arturi i madh, ata duhet të jenë të pranishëm vetëm në tavolinën e rrumbullakët. Aty ku të gjithë janë të barabartë dhe ku burokracia është e panjohur. Vetëm kështu ne mund të themi se po ecim në rrugën e duhur për të qenë më pranë Europës dhe botës në fushën tonë sa të mundimshme, aq dhe hyjnore. Vetëm kështu, duke e trajtuar “sëmundjen” nga rrënja e saj, ne do t’u kursejmë shqiptarëve shpenzimet e llahtarshme, fjalët në gjuhën e panjohur, rëndesën e vetmisë, mungesën e të dashurve të tyre, atje, jashtë kufirit tonë. Mjekësia shqiptare mund dhe duhet të ecë njësoj si simotrat e saj në botë. Mjekësia jonë duhet të jetë një poezi në gojën e çdo shqiptari. Vargu i parë është fakulteti. Aty nis gjithçka. Sepse mjekët e shkëlqyer do të kërkojnë spitale të shkëlqyera. Farmacistët brilantë nuk do të mund të pranojnë dot ilaçet e mbetura. Infermierët e përgatitur do të refuzojnë të punojnë në kushte mediokre. Këto gjenerata do të sjellin “tërmetin” e madh që presim prej kaq vitesh, dhe këtë tërmet asnjë mediokër nuk mund ta anashkalojë.
Të bëhesh mjek
Kaq e thjeshtë?! Mbaron një shkollë, bën një konkurs, mbaron sërish një shkollë, vesh një bluzë të bardhë dhe ja, ditën tjetër, pas firmës brenda një kartoni, je mjek. Nuk duhet ta mendojë kush se është kaq e thjeshtë. Aspak. Të jesh mjek nuk ke vetëm profesionin e mjekut. Ti je edhe matematicien, do të llogaritësh të gjitha mundësitë, të gjitha të njohurat dhe të panjohurat. Ti je edhe gjuhëtar, do të gjesh fjalët më të bukura, më të ëmbla, më të dashura, më të thjeshta për çdo pacient. Ti je edhe psikolog, duhet të përshtatesh, duhet ta dëgjosh me durim pacientin e frikësuar dhe duhet t’i flasësh hapur pacientit të ndrydhur. Ti je edhe inxhinier, sepse nesër do të ndërtosh, do të rregullosh, do të sistemosh. Ti je edhe avokat, mbrojtja që i siguron ti njeriut nuk ka të krahasuar me asnjë mbrojtje ligjore. Por duhet të jesh edhe koleksionist, çdo ide e hedhur në një copë letër të zhubravitur, çdo studim i lënë përgjysmë, çdo arritje, çdo sukses, çdo dështim, çdo fjalë dhe germë që ka lidhje me mjekësinë, duhet të jetë në sirtarin tënd. Ti duhet të jesh edhe specialist IT, kompjuteri do të jetë jo pak herë baza e punës tënde, biblioteka jote. Dhe, mbi të gjitha, do të duhet të studiosh fort, të dëgjosh mprehtë, të kuptosh saktë, të pyesësh shumë, të lexosh edhe kur fle, me qëllim që të synosh të bëhesh mjek. Sepse mjek i vërtetë bëhesh atëherë kur profesorët e tu zbulojnë se ti ke talent. Këto aspak nuk mund të bëhen apo të arrihen “më vonë”. Herët, shumë herët duhet të fillojë puna. Nuk është e thjeshtë, por reforma në Fakultetin e Mjekësisë duhet të synojë pikërisht më të vështirën. Mjeku i ardhshëm duhet t’i kuptojë dhe t’i njohë këto koncepte, të njohë punën sistematike, të njohë përgjegjësinë, të dijë se çfarë pritet prej tij, të dijë se çfarë duhet të japë. Studentëve të rinj u duhet injektuar ambicia edhe kur nuk kanë, edhe kur e kanë me pakicë. Ambicia për të qenë luftëtarë kundër së panjohurës dhe fitues ndaj së pamundurës. Mjeku i ardhshëm duhet të ketë mentalitetin e fituesit. Rutina e vret atë. Motoja jonë duhet të jetë një dhe e përbashkët: Të sakrifikojmë 100 burokratë, për të fituar një mjek.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura