Të majtët festojnë Çlirimin me portretin e Enverit në sfond

Nov 30, 2013 | 10:07
SHPËRNDAJE

Presidenti dhe nënkryetari i Bashkisë në ceremoni.

Rama: Aleanca jonë ka mundësitë që të
shkruajë një tjetër faqe të bukur në histori

Të majtët nderuan dje të rënët në Ditën e Çlirimit të vendit më 29 Nëntor 1944. Në homazhet e zhvilluara në Varrezat e Dëshmorëve dhe në memorialin “Nënë Shqipëri”, Protokollit të Shtetit iu përgjigjën edhe Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, por dhe Bashkia e Tiranës, me nënkryetarin e saj, Eno Bozdo.

Fillimisht Presidenti e më pas kryetari i Kuvendit Meta dhe Kryeministri Rama, prefekti e shoqata të veteranëve vendosën kurora në memorialin “Nënë Shqipëri”. Në këtë ceremoni ishin ftuar dhe aleatët e Partisë Socialiste, pjesë të koalicionit parazgjedhor të 23 qershorit. Prezenca e tyre dallohej qartë dhe në simbolet që mbanin. Portreti i Enver Hoxhës dhe flamuri i Partisë Komuniste, me drapër dhe çekanin si simbole të tij, rrinin në krah të Flamurit Kombëtar dhe atij të Ushtrisë. Në këtë koalicion morën pjesë dy parti komuniste dhe Partia e Punës e Riorganizuar.

Më pas, për nder të kësaj dite, Kryeministri kishte organizuar një pritje në sallën e kompleksit “Xibraku” pranë Varrezave të Dëshmorëve. Të pranishëm, për herë të parë që pas zgjedhjeve të 23 janarit, edhe aleatët e PS, Milo, Gjinushi e të tjerë kryetarë të partive që ishin në koalicion me PS në zgjedhjet e fundit. Madje socialdemokrati Gjinushi e Milo kanë qëndruar gjatë me Ilir Metën në momente humori të dukshëm gjatë koktejit të organizuar me këtë rast në shoqërinë dhe të disa veteranëve.

PËRSHËNDETJET
Duke iu drejtuar të pranishmëve në këtë ceremoni, Kryeministri Rama tha se mesazhi i të rënëve për çlirimin e vendit kërkon bashkim, dhe jo përçarje. “Jetët e dhëna në Luftën e Dytë Botërore na flasin çdo vit në këtë ditë. Na flasin jo për luftën, por për paqen, jo për përplasjen, por për sakrificën, jo për ndarjen, por për bashkimin, jo për vdekjen, por për jetën. Ashtu siç nënvizohet ndërkombëtarisht për jetët e të rënëve në Luftën e Dytë Botërore, ato, pa dyshim, nuk u flasin kombeve dhe popujve për epërsinë e një kombi apo një populli ndaj një tjetri, e një ushtari ndaj një civili, e një brezi ndaj një tjetri apo e një njeriu ndaj një tjetri”, tha Rama.

Për kreun e qeverisë, maxhoranca e sotme ka të gjitha mundësitë që të shkruajë një faqe të bukur të historisë sonë. “Duke ju uruar të gjithëve, të gjithë shqiptarëve: Gëzuar festën e madhe të 29 Nëntorit, por, duke dashur të sigurojmë po ashtu jo vetëm ata një milion që na votuan, por edhe të gjithë ata që nuk na votuan se Aleanca për Shqipërinë Europiane ka jo vetëm të gjitha arsyet, por edhe të gjitha mundësitë që të shkruajë një tjetër faqe të bukur në historinë bashkëkohore të këtij vendi”, tha Rama. Ndërsa kreu i Kuvendit, Ilir Meta, u shpreh se Shqipëria është në rrugën e duhur për të përmbushur ato aspirata që i bashkojnë gjithë shqiptarët për Shqipërinë Europiane, ku të gjithë ndihen të barabartë e të përfshirë.

“Jam i bindur se duke respektuar ata që ranë për vendin, lirinë, për të forcuar shtetin, ne jemi në rrugën e duhur për të përmbushur ato aspirata që na bashkojnë gjithë shqiptarët për Shqipërinë Europiane, ku të gjithë ndihen të barabartë e të përfshirë”, tha Meta. Aristir Lumezi/PANORAMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura