“Të kujtojmë viktimat, që vrasësit të mos bëhen heronj”

Feb 28, 2013 | 13:07
SHPËRNDAJE
Nga përkujtimorja e 22 intelektualëve të pushkatuar

“Të kujtojmë viktimat, që vrasësit të mos kthehen në heronj”. Kjo është një nga arsyet pse Instituti i Studimit të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit ka vendosur që 27 shkurtin ta kthejë në një ditë kujtese, për të gjithë viktimat e regjimit komunist. Në 62-vjetorin e pushkatimit dhe 20-vjetorin e gjetjes së eshtrave, u zhvillua dje një aktivitet përkujtimor për 22 intelektualët e pushkatuar pa gjyq në shkurt të vitit 1951, për të ashtuquajturin “incident në Ambasadën Sovjetike”. Me këtë rast u shfaq edhe dokumentari “Në emër të pafajësisë”, përgatitur nga gazetarja Beti Njuma.
Përgjegjësit, para drejtësisë
Ajo çka pasardhësit e viktimave kërkuan dje ishte drejtësia, dalja e përgjegjësve para përgjegjësisë. “Ashtu si viktimat kanë një emër, ashtu duhet të kenë edhe vrasësit. Një ligj i lustracionit është më se i nevojshëm dhe të hapen dosjet, të njihen. Ky rast përmban gjithë elementet e një krimi kundër njerëzimit, për të mos thënë që ky ishte një gjenocid i pastër. Mjaft t’ju përmend që në formulimin e një liste nga Edip Çuçi në atë kohë, ai kërkonte që të pushkatoheshin njerëz që ishin të lirë, duke u nisur nga shtresa shoqërore dhe rrezikshmëria si persona. Ky është gjenocid i pastër, sepse drejtohet ndaj një shtrese të caktuar”, tha Gëzim Peshkëpia, ish-i dënuar, i biri i Manush Peshkëpisë, një ndër 22 intelektualët e pushkatuar. Sipas tij, fajtorët duhet të vihen para përgjegjësisë. Sipas drejtorit të ISKK, Agron Tufa, pushkatimi i 22 intelektualëve ishte “një flijim për të treguar një besnikëri prej skllavi padronit të tyre, Stalinit”. Sipas tij përgjegjësit njihen. Çdo gjë është e shkruar dhe ndodhet nëpër arkiva. “Një nga personat qendrorë, sipas dokumentacionit, është Mehmet Shehu, i cili thotë se ne kemi vepruar edhe në raste të tjera të vrasjeve pa gjyq, si në rastin e Bardhok Bibës. Listat janë hartuar nga Komiteti Qendror, janë kontrolluar nga vetë Enver Hoxha, janë hequr disa. P.sh, në listë ka qenë edhe profesor Eqerem Çabej, i cili është hequr dhe është futur e fejuara e tij, Sabiha Kasimati, që nuk ka qenë në listën e parë. Pra, ecuria e listave, dosjeve, dokumentacionit, hap pas hapi tregon një krim të vetëdijshëm dhe tepër të studiuar, thjesht për të treguar besnikëri ndaj Stalinit”, tha Tufa.
Pse duhet kujtuar
Historia erdhi në gjithë përmasat e saj gjakësore përmes dokumentarit, ku pasardhësit e intelektualëve të pushkatuar, Pjerin Guraziu, Gjon Temali, Anton Delhysa, Reiz Selfo, Osman Kaceli, Qemal Kasoruho etj. tregonin atë ditë tmerri, kur baballarët u morën nga shtëpitë në mesnatë dhe ata nuk i panë më kurrë, tmerret në kampet e përqendrimit; erdhi përmes dokumenteve, propozimeve të Mehmet Shehut dhe letër-faljes së Enver Hoxhës drejtuar Stalinit. E çdo fakt ishte një arsye për të kujtuar viktimat e pafajshme, por edhe ata që firmosnin vendime. Duke iu referuar përkujtimores së 100-vjetorit të Mehmet Shehut, Tufa u shpreh se “Nëse ne nuk kujtojmë krimet që kanë bërë këta drejtues të kupolës komuniste, nëse ne nuk publikojmë dhe të ndikojmë në sistemin shkollor për njohjen e së vërtetës, atëherë do kemi anën e përkundërt, do t’i trajtojmë ata si heronj, kur dëshmitë e krimeve të tyre janë e zezë mbi të bardhë në arkiva dhe është shumë e thjeshtë t’i dëshmosh. Këtu kemi një qëndrim të njëanshëm dhe të qëllimshëm për restaurimin e lavdisë së dikurshme që na ktheu dhe na shkëputi nga Europa, na bëri vendin më të tmerrshëm, pa asnjë të drejtë njerëzore dhe civile”.

Letër pas incidentit në Ambasadën Sovjetike
Enveri Stalinit: S’kemi qenë vigjilentë, do ta shlyejmë

Shoku Josif Visaronioviç STALIN
Kremlin Moskë
Atentati i poshtër që armiku i egër i popullit tonë dhe i Bashkimit Sovjetik na bëri kundër Legatës Sovjetike në Tiranë më 19 shkurt, ora 19:47, duke hedhur dinamit në oborrin e Legatës, na ka goditur mu në zemër të Partisë dhe të popullit tonë. Ky akt politik terrorist i armikut na ka prekur jashtëzakonisht, pse ai u drejtua karshi çka është më i dashur, më i shtrenjtë dhe më i shenjtë i popullit tonë, Bashkimit Sovjetik, që është gjithçka për ne, që pa atë s’kish dhe s’mund të ketë jetë për popullin dhe Partinë tonë. Shoku Stalin, ne s’kemi qenë vigjilentë sa duhet, pse mund ta kishim evituar këtë gjë të tmerrshme që na ngjau ne. Këtë mungesë vigjilence, që ne e konsiderojmë një nga gabimet më të rënda tonat, s’duhet të na i fali lehtë populli dhe Partia jonë. Ne, shoku Stalin, ju zotohemi dhe ju betohemi, Juve dhe Partisë Bolshevike të Lavdishme, se do t’ia lajmë Partisë dhe popullit tonë këtë gjë kaq të rëndë që ju shkaktua nga mungesa e vigjilencës sonë. Ky akt i poshtër i armikut na ka egërsuar pa masë dhe na ka bërë të dhjetëfishojmë luftën dhe vigjilencën tonë karshi imperialistëve gjakatarë luftënxitës amerikano-inglezë, karshi tradhtarëve fashista të Beogradit, të Athinës dhe të Romës dhe të reaksionit të brendshëm vegël e tyre. Shoku Stalin, Partia e jonë do të jetë e pamëshirshme kundër armiqve të Bashkimit Sovjetik, të popullit tonë dhe të paqes. Partia jonë, si kurdoherë, do të verë të gjitha forcat e saj për të çelikosur dashurinë e popullit tonë karshi shpëtimtarëve të tij, Bashkimit Sovjetik, Partisë Bolshevike dhe juve shoku Stalin. Armiqtë e brendshëm dhe të jashtëm, kurrë nuk do të harrinë të gërvishtin dashurinë dhe besnikërinë e pakufishme që ka populli jonë për ju dhe Bashkimin Sovjetik. Shoku Stalin, në emër të gjithë shokëve të Komitetit Qendror të Partisë së Punës, të mbledhur në Plenum, ju kërkojmë ndjesë, Juve, Partisë Bolshevike dhe Qeverisë Sovjetike dhe ju betohemi se do ta lajmë këtë fatkeqësi që na ngjau ne, ne do të jemi të pamëshirshëm, do ta forcojmë dhe çelikosim Partinë tonë, do ta bolshevizojmë atë dhe do ta forcojmë çdo ditë e më shumë mbrojtjen e vendit tonë. Duke ju shprehur dashurinë dhe besnikërinë më të madhe që ne kemi për Partinë Bolshevike dhe për Ju, mësues gjenial dhe i shtrenjti i joni, pranoni të falat tona revolucionare!

Fjala e Mehmet Shehut më 20 shkurt 1951 në Byronë Politike
“Të arrestojmë 150, të pushkatojmë 15”
Mbrëmë, në orën 7 e 47, nga rrugica që është mbrapa Legatës Sovjetike është hedhur një dinamit i mbështjellë në letër dhe i lidhur me një fitil. Dinamiti u hodh brenda në oborr dhe ka plasur e ka thyer derën, dritaret dhe ka bërë një zhurmë të fortë. Menjëherë kanë vajtur forcat për ndjekje, po nuk kanë gjetur gjë. Pastaj kanë rënë pas shenjave dhe kanë kapur disa njerëz që ishin atje…
Duke marrë parasysh se ky nuk është një aksion i thjeshtë, po një ngjarje politike e kalibrit të madh, bile më e madhe se një atentat që mund të bëhej kundër ndonjërit nga ne, është e nevojshme politikisht që ne të marrim masa represive të jashtëzakonshme, pa marrë parasysh ligjet në fuqi. Një masë të tillë ne e kemi marrë edhe kur u vra Bardhok Biba dhe kemi pushkatuar edhe jashtë ligjeve në fuqi. Unë mendoj se kjo masë që do të marrim duhet të jetë në një shkallë të tillë, te elementi që përpunohet, elementi reaksionar i tipit Kacaruho etj. Sonte t’i arrestojmë. Të arrestojmë rreth 100 ose 150 veta nga këta, nga të cilët nja 10 ose 15 prej tyre t’i pushkatojmë, duke zgjedhur sigurisht nga ata më kryesorët, mbasi kanë dashur të organizojnë atentate të tjera. Kjo masë do të procedohet edhe me një masë tjetër spastrimi nga Tirana të familjeve reaksionare brenda një muaji. Ne duhet terrorit t’i përgjigjemi me terror dhe këtë mund ta bëjmë me plot ndërgjegje dhe me gjakftohtësi. Ne i kemi përgatitur listat e arrestimeve dhe po të jeni edhe ju dakord, veprojmë që sonte…

ALMA MILE

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura