Të gjitha rrugët të çojnë te frigoriferi

Sep 30, 2013 | 14:49
SHPËRNDAJE

Shpërthen lufta e makaronave, Barilla kundër homoseksualëve.

Gafa e menaxherit italian të kompanisë më të madhe të makaronave, themeluar që më 1877-n, po bën xhiron e botës. Së pari, intervista e Guido Barilla u bë pjesë e youtube-it e facebook-ut, e më pas u përfshi në lajmet e mediave më të mëdha si “Huffigton Post”, BBC, apo “Le Monde” dhe “Guardian”. E gjitha për një fjali që tregoi qëndrimin e Barillës ndaj personave homoseksualë. Batutat që janë shkëmbyer nëpër rrjetet sociale, kanë qenë të pafundme, por më e klikuara ka qenë ajo e vetë menaxherit të kompanisë, kur thotë “Një familje gay nuk mund të përfshihet kurrsesi në spotet tona publicitare”. Ky, kuptohet, ka qenë një moment i favorshëm për kompanitë konkurrente, të cilat nuk kanë vonuar të nxjerrin deklaratat e tyre, që thonë se makaronat e tyre janë të hapura për të gjithë njerëzit, pavarësisht orientimit seksual. Kështu, nëse “Barilla” është vetëshpallur rigorozisht heteroseksuale, makaronat e tjera kanë pasur shije më të shtrirë. Për shembull, profili në facebook i kompanisë “Buitoni”, një tjetër emër i madh ky në Itali, shkruan “Në shtëpinë Buitoni ka vend për të gjithë”. Pra, edhe për miqtë gay. “Misura” ka krijuar menjëherë një baner të realizuar me biskota në forma meshkujsh dhe femrash, që takohen mes tyre në poza tradicionale dhe homoseksuale. Natyrisht që pas të gjitha këtyre që ndodhën, “Barilla” doli për të përgënjeshtruar deklaratën e duke pohuar se e gjithë kjo ishte një lojë e rrjeteve sociale. “Të vetmit që nuk pranohen në shtëpinë tonë, janë ata që nuk duan ushqimin e mirë, makaronat e mira”,- ka thënë “Barilla”.

Sallatë radikio dhe rrush i bardhë
Përbërësit
300 gr lakër e kuqe radikio
1 verige rrush i bardhë
Erëza të freskëta
Uthull balsamike
Vaj ulliri
Kripë, piper

Përgatitja
Pastroni lakrën, duke u kujdesur që edhe ta thani pas larjes. Pasi ta keni pastruar nga ndonjë pjesë e zverdhur në lëkurën e parë, pjesën e mirë, mund ta copëtoni me duar, pa përdorur thikën në pjesë të mëdha. Kokrrat e rrushit pritini në mes dhe pastrojini nga farat përpara se t’i shërbeni në sallatë. Me gjithë përbërësit e tjerë, përgatisni një salcë me të cilën do përzieni sallatën. Djathi, ai që ju pëlqen, si shoqërues ekstra, është mendim i mirë në rastin e kësaj sallate.

Thëllëza me rrush të bardhë
Përbërësit
4 thëllëza (ose zogj të tjerë të vegjël të ngjashëm)
4 feta proshutë ose pançetë
1 verige rrush i bardhë
8 feta pancarre
Gjalpë
Kripë

Përgatitja
Lani dhe pastroni rrushin nga farat. Thëllëzat mbështillini me fetën e proshutës, në mënyrë që të mbroni pjesën e mishit të gjoksit të mos thahet, lidhini me një fije kuzhine, kripeni, vendosini në një tavë të lyer me gjalpë dhe futini në furrën e parangrohur në 180 gradë për rreth gjysmë ore. Kur zogjtë të jenë pjekur, hiqini nga furra dhe hidhni në lëngun e tavës rrushin, të cilin mund ta lini edhe për pak minuta të qëndrojë në furrë. Bukën e butë të tostit, pancarre, vendoseni për të thekur në furrë apo ku të doni, vendoseni në pjatë bashkë me thëllëzat dhe servireni me lëngun që ngeli në tavë bashkë me rrushin.

Fokaçja me rrush dhe fara pishe
Përbërësit
400 gr miell
250 gr rrush i zi
200 gr sheqer
20 gr maja
15 gr fara pishe
Vaj ulliri
Kripë

Përgatitja:
Përzieni miellin, majanë, sheqerin, kripën, 2 lugë vajë dhe shtoni ujë për aq sasi sa duhet që të formoni një masë brumi jo të hollë. Mbulojeni brumin dhe lëreni të dyfishojë përmasën për rreth një orë. Pastroni rrushin dhe priteni përgjysmë. Hapeni brumin në tavën ku do të përgatisni fokaçen me 3 lugë vaj ulliri. Sipër vendosini rrushin dhe farat e pishës e më pas futeni në furrë. Do të mjaftojnë më pak se 30 minuta pjekje për të qenë gati.

Prurjet e pashfrytëzuara të rrushit
Nuk e di ju, por mua më është dukur që sasitë e rrushit të vendit që kanë pushtuar tregjet e fruta perimeve këtë sezon të tij, janë shtuar shumë. Më duket se e shoh gjithandej, sikur shitet vetëm rrush. Për të cilin mendoj se ka aq shumë mundësi për t’u gatuar, sa ç’ka pasur edhe prodhim. Ok, e kuptoj që ju që e konsumoni, e shumta, mund t’ju shkojë mendja për t’i shtuar edhe ca djathë, jo më tepër. Por nëse mësoni, për shembull, që rrushit mund t’i shfrytëzohen veç farat për të prodhuar vaj, veç lëkurat e veç tuli, mund të zgjasni kokën deri te frigoriferi për ta përdorur verigen e fundit në një ëmbëlsirë. Më poshtë po ju japim disa receta të kripura që mund të përgatiten me rrush. Ata fanatikët e djathit le të vazhdojnë me të tyren!

Sallata alternative
Në vend të lakrës së kuqe mund të përdorni edhe sallatën jeshile apo lakrën e bardhë. Mund të shtoni qepë të grirë imët, gjizë të ëmbël (rikota) dhe t’i qëndroni besnik rrushit të bardhë. Rregulloni në kripë e piper sipas dëshirës!

[email protected]
Dërgoni recetat tuaja!

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura