Të fshehtat e arkivave italiane, si abuzohej me fondet në kohën e Zogut

Aug 4, 2016 | 7:30
SHPËRNDAJE

Ata që punojnë me arkivat e dinë që shumicën e rasteve, materialet më të vlefshme janë ato që nuk ishe duke kërkuar. “Nëse mendon se ke gjetur gjithçka dhe heq dorë, puna jote nuk do të jetë asnjëherë e plotë”. Është kjo motoja që profesorët përpiqen të ngulisin në përqendrimin e arkivistëve të rinj që, megjithatë, nuk u mungon as durimi e as dëshira për t’i plotësuar studimet me materialet “e befasishme” Rovena Sakja, nuk u hyri nga hiçi arkivave.

Rovena Skaja
Rovena Sakja

Gërmimet e para, sigurisht, të një tjetër lloji, i pati bërë që kur studioi për Letërsi. E gjendur më pas në Itali, pa një projekt të qartë në kokë, kërkoi informacione në “La Sapienza”, universitetin e vendit ku banonte, Romë. Më shumë se çdo gjë, vëmendjen e tërhoqi broshura e Shkollës Speciale për Arkiviste e Bibliotekare, shkollë specializimi pasuniversitare.

Fillimisht e interesuar në profilin bibliotekonomik, pas frekuentimit të disa leksioneve, zgjedhja përfundimtare ishte për kurrikulumin që do t’i siguronte përgatitjen si arkiviste/palografe. Diploma e saj e Shqipërisë u konsiderua e vlefshme nga kolegji akademik i shkollës, kështu që Rovena ishte e gatshme të ndiqte specializimin pasuniversitar 2-vjeçar, që do ta fuste në një fushë të mirëfilltë kërkimore.

“Mënyra se si shkolla arkivistike italiane e koncepton disiplinën, duke i njohur dinjitet shkencor dhe një rol kyç në ruajtjen dhe promovimin e pasurisë dokumentare, si dhe përgatitja tekniko-profesionale që finalizohet me dhënien e titullit arkivist paleograf, përcaktuan zgjedhjen time. Për më tepër që ky lloj formimi në një vend si Italia supozohet të të ofrojë shumë mundësi.

Pas temës së diplomës, për të cilën hartova inventarin e një fondi të Ministrisë së Tregtisë me Jashtë, dhe pjesëmarrjes në disa projekte, pasoi një periudhë ndalese për shkak të angazhimeve familjare, deri në rikthimin në arkiv për përgatitjen e projektit të doktoraturës. Aktualisht, edhe Italia po kalon një periudhë të vështirë, rezultat i krizës ekonomike globale.

Faksimile e një prej dokumenteve që tregon për një prej investimeve italiane në Shqipëri
Faksimile e një prej dokumenteve që tregon për një prej investimeve italiane në Shqipëri

Fatkeqësisht, në periudhë krizash ekonomike, sektori i parë që preket nga shkurtimet në buxhet është ai i kulturës, kështu që edhe atje situata nuk lë vend për optimizëm. Teorikisht në këtë sektor duhej të kishte punë për breza të tërë arkivistësh, sepse është një vend me pasuri të pafundme dokumentare, por, për fat keq, arkivat nuk kanë impakt imediat dhe vizibilitet politik e social, siç mund të ketë financimi i një rruge apo një spitali, kështu që financimet janë gjithmonë e më të pakta.

Megjithatë, Rovena po shpreson në një ndikim afatgjatë. Ajo e shumë të tjerë i kanë parë mangësitë në studimin e historisë së Shqipërisë. Nuk është e rastësishme! Së pari, puna kërkimore kërkon kohë e pastaj para! Është një punë studimore e mirëfilltë, që mund të bëhet vetëm nëse ka vullnet për të investuar në këtë drejtim. Vetëm me mundësitë e saj, Rovena është e bindur se nuk do t’ia kishte dalë.

“Shumë detaje nga historia jonë nuk njihen ende, sepse studiuesit nuk kanë fonde të bëjnë kërkime jashtë. Unë jam në vitin e dytë të kërkimeve në Shqipëri dhe e provoj vetë sa shumë duhet të kërkoj për të arritur rezultate modeste. Të mos isha me bursën e universitetit, nuk do të kisha mundësi për të realizuar projektin. Me sa kam mësuar nga kolegë doktorandë këtu, universitetet shqiptare nuk parashikojnë bursa për studimet doktorale, madje kandidatët duhet të paguajnë taksa shumë të kripura. Janë vërtet për t’u admiruar për sakrificën intelektuale dhe ekonomike!”.

12920281_10208239934467766_3775892376183013286_n

-Pra, në fund, kupton se siç dikur italianët (në këtë rast) financonin projekte ekonomike, urbanistike, sot po financojnë (me gjithë krizën e tyre) studime që t’u zbulojnë shqiptarëve historinë e tyre.

“Tema që zgjodha është tipike arkivistike; Guidë ose udhërrëfyes i fondeve të pranishme në arkivat italiane dhe shqiptare për studimin e marrëdhënieve italo-shqiptare në fushën energjetike (miniera, naftë, elektricitet), në vitet 1900-1939. Guidat janë instrument arkivistik, i cili u shërben studiuesve për t’u orientuar në kërkimet e tyre. Në fillim, projekti i prezantuar në konkurs parashikonte hartimin e një guide të fondeve për studimin e marrëdhënieve ekonomike.

Por më pas, duke qenë se tema përcaktohet edhe duke analizuar situatën e studimeve në një fushë të caktuar, së bashku me relatorët u arrit në konkluzionin se aspekti politik e financiar ishte studiuar mjaftueshëm. Kështu që u vendos që të përqendrohej vëmendja në një sektor që ka pasur dhe vazhdon të ketë një rol kyç në politikat e brendshme e të jashtme të shtetit shqiptar e jo vetëm.

Një tjetër nxitje për hartimin e këtij projekti ishte vërejtja se përgjithësisht studiuesit italianë që shkruajnë për çështjet shqiptare bazohen kryesisht në burimet e tyre dokumentare, për faktin objektiv se për shumë kohë (gjatë regjimit komunist), arkivat shqiptare nuk kanë qenë të konsultueshëm, por edhe sepse gjuha shqipe është perceptuar si pengesë.

Këto janë foto marrë nga arkivi i ENI “Ente Nazionale Idrocarburi”. Janë vula dylli të kuq, që siglonin kontratën origjinale mes A.Zogut dhe hekurudhave italiane për shitjen e disa pyjeve
Këto janë foto marrë nga arkivi i ENI “Ente Nazionale Idrocarburi”. Janë vula dylli të kuq, që siglonin kontratën origjinale mes A.Zogut dhe hekurudhave italiane për shitjen e disa pyjeve

Ndërsa në të vërtetë, shumë prej dokumentacionit të periudhës 1925/1944 është në gjuhë të huaj, anglisht, gjermanisht, italisht apo frëngjisht. Guida synon të integrojë gjithë burimet arkivore italiane e shqiptare për këtë temë e t’u prezantojë edhe studiuesve të huaj burimet dokumentare shqiptare. Synon sepse nuk mund të kesh kurrë sigurinë që ke gjetur gjithçka, edhe pse, siç na mësojnë, parimi i një studiuesi të mirë është që siguria është armike e së vërtetës”.

ÇFARË KANË NXJERRË NË DRITË KËRKIMET

Puna është ende në fazën kërkimore. Janë marrë në shqyrtim deri më tani Arkivi Qendror i Shtetit në Romë, Arkivi Historik i Ministrisë së Jashtme Italiane, Arkivi Historik i ENI, Arkivi Historik i Marinës Ushtarake dhe aktualisht po kryhen kërkime në Arkivin Qendror të Shtetit në Tiranë. Nga dokumentet dalin në pah detaje interesante të historisë sonë dhe personazheve që e kanë shkruar atë. Është gjithnjë emocionuese të gjesh dokumentacion origjinal, edhe të dorëshkruar që zbulon një copëz të asaj historie të pashkruar që na përket të gjithëve ne.

Një nga gjërat më interesante e herë-herë dëfryese, që të bie në sy duke shfletuar dokumentet, janë prapaskenat e marrëveshjeve ndërqeveritare për të pasur avantazhe e përfitime në kurriz të palës tjetër. Ne ankohemi vazhdimisht për politikanët e tanishëm, por pastaj zbulon të dhëna që tregojnë se në fund të fundit nuk ka asgjë të re nën diell. Të krijohet ndjesia se koncepti dhe respekti që ne kemi për shtetin dhe pasurinë publike ka rrënjë më të thella nga ç’mund të mendojmë.

pulla 3

Ndien herë-herë edhe keqardhje, sidomos kur lexon relacione mbi gjendjen e Shqipërisë dhe shqiptarëve, p.sh., në vitet ’20. Në një relacion të një tekniku italian ka ankesa për personelin shqiptar të Portit të Durrësit, sepse, sipas tij, punëtorët mund të bënin 10 ngarkesa në ditë, por kur ata siguronin të ardhurat e ditës vetëm me 2 ngarkesa, kaq u mjaftonte e nuk punonin më. Por ka dhe dokumentacion që tregon për projekte të mëdha infrastrukturore si ato të hekurudhave transballkanike që do të kalonin nëpër Shqipëri, apo për një linjë trami që parashikohej të ndërtohej në Vlorë me kërkesë të Ismail Qemalit. Projekte që fatkeqësisht mbeten në letër.

Shpresoj që kjo guidë t’u shërbejë studiuesve shqiptarë e italianë në punën e tyre studimore, duke u dhënë atyre një panoramikë integrale të fondeve e institucioneve konservuese ku ata mund të gjejnë dokumentacionin e nevojshëm për studimin e këtij sektori, e pse jo të pasohet nga instrumente të tjera që të hedhin dritë mbi burimet dokumentare për studimin e historisë sonë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura