Të divorcuar si bashkëshortë, por si prindër …kurrë

Nov 25, 2021 | 8:30
SHPËRNDAJE

gezimtushi

GËZIM TUSHI

Pa dyshim, në kushtet e reja të jetës sociale modern dhe gati postmoderne është  lehtësisht e vërtetuar se divorci është bërë gati si minë për ekzistencën dhe funksionimin e familjes tradicionale, të lidhjes midis bashkëshortëve dhe raportet e tyre me fëmijët e përbashkët. Nga analiza sociologjike e pasojave të divorceve, përveç prishjes së bashkëjetesës martesore kjo epidemik po shton në shoqëri “viktimat sociale” sikurse janë fëmijët, gratë dhe të moshuarit, situate shpirtërore e material përkeqësohet së tepërmi pas divorcit të çiftit. Sidomos kur është fjala për raportin e ri të të divorcuarve me fëmijët e tyre. Kjo do të thotë që edhe në këtë drejtim na duhet një kulturë e re e komportimit social të prindërve të divorcuar me fëmijët e tyre. Kjo do të thotë se divorci është një akt civil që “pushon” të qenurit çift, por asnjëherë edhe të qenit prind për fëmijët e përbashkët.

Një nga plagët e mahisura në shoqërinë tonë është pikërisht kontradikta pas divorcit lidhur me kujdesin dhe përgjegjësinë prindërore. Qoftë emocionale, edukative apo financiare. Gjyqe pa fund për këtë sferë post divorcit, ngaqë shumë shpesh (zakonisht burrat, por nuk përjashtohen edhe gratë në raste të veçanta) pasi bëjnë divorcin, heqin dorë edhe nga përgjegjësia dhe detyrimet e prindërimit për fëmijët e përbashkët. Doemos divorci është një akt që ka pasoja dhe prek cilësinë e prindërimit bashkëshortor si zgjidhje komplementare bashkëshortore për të ndikuar pozitivisht në rritjen e shëndetshme dhe edukativisht normale të fëmijës në fazat e rritjes së tij. Pa dyshim sikurse shkruan psikologu dhe psikiatri amerikan Scott Peck “Divorci është kanosje për ndjenjat e sigurisë së fëmijëve dhe tingëllon aq frikësues, as që ata nuk mund të parashohin asnjë perspektivë për veten e tyre”. S. Peck, “Rruga nëpër të cilën rrallë shkohet”, vëll. I, f 53. Fëmijët nuk mund të kthehen në “trofe” për prindërit e divorcuar dhe as si lojë ping-pongu në fushën e helmatisur të divorcit bashkëshortor. Gjithë problem është që në situatën postdivorcit, ish-bashkëshortët që janë edhe prind të fëmijës, në emër të dashurisë për të duhet të gjejnë gjuhën e përbashkët dhe me tolerancë dhe komunikim reciprok të bëjnë “rindërtimin” e stilit të jetës dhe rimarrjes në një platformë të re të “kuotave të prindërimit. Tashmë si bashkëshortë të divorcuar, por kurrë si prindër të ndarë. Pavarësisht vuajtjeve emocionale që sjell divorci apo edhe urrejtjes reciproke të bashkëshortëve, kjo nuk mund të përdoret si argument për të cenuar “unitetin e prindërimit”. Skizma e martesës nuk ka pse të shoqërohet me prishjen e “unitetit të prindërimit” apo braktisjen e njëanshme të saj, e cila ka pasoja të pallogaritshme në prishjen e busullës së orientimit dhe bazat e rritjes së shëndetshme të personalitetit të fëmijëve të përbashkët. Nëse prindërimi i fëmijëve bëhet në situata të shfaqura konfliktuale të çiftit të divorcuar pasojat për fëmijët dhe zhvillimin e tyre “invalid” dhe me cene psikologjike e morale është pothuaj i pashmangshëm.

Dhe në të gjitha rastet për këtë situatë nuk është përgjegjës fëmija, por prindërit e tij të divorcuar, që nuk duan apo nuk janë të aftë të rindërtojnë një stil të ri prindërimi, bazuar në kushtet e reja sociale dhe kontekstet e ndërlikuara të periudhës së postdivorcit. Është evidente, ka tregues dhe statistika që vijnë nga shkolla, gjykatat dhe organet e Policisë se shpesh fëmijët që janë me statusin e ndryshuar, për shkak të divorcit të prindërve, marrin rrugëtim individual problematik.

Ata bëhen agresivë, asocial, përfshihen nga veset e bullizmit, alkoolit, drogës, jetës së parakohshme seksuale, futen më lehtë në rrugën e krimit minor, rekrutohen në struktura e banda kriminale. Shpesh situate e fëmijëve me prindër të divorcuar dhe pa kujdesin e duhur dhe vigjilencën prindërore bëhen preh dhe viktima të abuzimit fizik, emocional dhe sidomos seksual. Gjahtarët, maniakët e seksit dhe pedofilët e rafinuar i kanë në objektivin e tyre pervers e kriminal fëmijët e pambrojtur apo me kujdes të paktë prindëror. Ideja e zëvendësimit të prindërve biologjikë me “prindër social” apo edhe me gjyshër kujdestarë alternativë nuk është mjeti adekuat që garanton rritjen e shëndetshme dhe kujdesin nga rreziqet eventuale.

Unë besoj se nuk është mirë që dukuria e prishjes së “bashkësisë prindërore” dhe e aleancës së prindërimit reciprok të fëmijës në situate postdivorci, është një kulturë e re që duhet zhvilluar dhe përsosur. Jo vetëm pse kjo është rruga e prindërimit të sigurt edukativ, por kjo bëhet akoma më imperative nga ana social-psikologjike dhe edukativo-morale, për shkak se jemi në kushtet kur në shoqërinë shqiptare të ditëve tona, numri i divorceve është në rritje dhe sasia e fëmijëve të mbetur me kujdesin e njëanshëm të një prindi apo në rastin më të keq nën “suzerentietin” e njerëzve të tjerë biologjik apo socialë qofshin po bëhet problematikë. Nuk ka rrugë tjetër përveç konceptimit me humanizëm dhe devocion prindëror të përgjegjësisë së përbashkët për edukimin dhe rritjes e shëndetshme biologjike, sociale e kulturore të fëmijëve që kanë status të veçantë dhe fatin të jenë dhe të rriten me prindër të divorcuar. Mbajtja pranë fëmijës dhe kujdesi komplementar nga dy figurat prindërore është konditë sine qua non e pazëvendësueshme, e pandryshueshme dhe pa alternativë të ngjashme. Vazhdimësia e marrëdhënies së prindërve të divorcuar me fëmijët e tyre është investim “historik” me dimension moral dhe edukativ. Kjo nuk zgjidhjet me mënyra e forma pragmatiste apo monitariste, në të cilën njëri nga prindërit, përgjithësisht babai e konsideron të kryer detyrën e prindit vetëm duke qenë korrekt me plotësimin e “detyrimit ushqimor” dhe pastaj i “lan duart nga përgjegjësia komplekse prindërore për fëmijën dhe nevojat e tij të vazhduara, të përshkallëzuara e të integruara. Sociologët e familjes dhe martesës kanë vërtetuar se fëmija nuk ka nevojë për “baba çek” apo për “baba të fund javës”, por për prind që mban lidhje emocionale dhe tregon kujdes permanent. Ca më pak fëmijët që mbeten nën kujdestarinë e gjyshërve, nuk mund të ndihen të kënaqur edhe kur ata janë “gjyshat financiarë” për nevojat e fëmijëve.

Të gjitha këto perceptime, forma e metoda janë mënyra më mendjengushtë e prindërimit me fëmijët nga bashkëshortët e divorcuar. Nuk besoj se është ndonjë “martirizim” apo sakrificë ekstreme nëse bashkëshortët e divorcuar nuk harrojnë që pavarësisht statusit të “ri” të tyre, mbetet i pandryshuar “statusi i vjetër” i prindit dhe detyrimi absolut i prindërimit me çdo kusht dhe në mënyrë të pakushtëzuar. Lindja e fëmijëve nuk është kurrë i barabartë me një “akt të thjeshtë biologjik”. Ajo është së pari një lidhje sentimentale, që është e pandërprerë edhe në se divorci ndodh. Familja shqiptare e ka pasur në AND e vet, sintagmën morale, sipas së cilës kujdesi për fëmijët edhe kur prindërit janë të divorcuar mbetet detyrë parësore e tyre. Investimi dhe kujdesi për ta nuk është kurrë i tepërt. Përkundrazi, prindërit e divorcuar duhet ta kuptojnë deficitin edukativ që sjellin si boshllëk në formimin me defekte të fëmijëve. Pikërisht në momentin kur janë ata që duhet jo vetëm t’i edukojnë, por dhe t’u mësojnë që në këtë jetë të vështirë të kenë mënyrën e tyre të “rezistencës” si kusht që edhe ata kurrë të rriten të jenë në gjendje t’i bëjnë ballë me forcat e tyre të pavarura “lotarisë së jetës”.

© Panorama.al

Te lidhura