“Të dënuarve të Qafës së Barit pas pushkatimit iu morën sytë”

May 31, 2011 | 12:41
SHPËRNDAJE
Vendi ku u gjeten eshtrat e sokol sokolit dhe tom ndojes

Djalli paska qenë më i zi sa dukej! Argumentin në invers të sentencës së moçme, Kastriot Dervishi, drejtor i Arkivit të Ministrisë së Brendshme, e vlerëson si qasjen më kuptimplote, kur flet për një dokument të zbuluar së fundi, nga dosja e dy të pushkatuarave më 9 qershor 1984.I qetësuar disi me përmbushjen e sfidës disavjeçare për gjetjen e vendvarrimit të Sokol Sokolit dhe Tom Ndojës, dy të dënuarve me pushkatim për revoltën antikomuniste në burgun e Qafës së Barit, kreu i institucionit të memories të ish-Policisë Sekrete, është tronditur rishtas kur ka marrë në dorë urdhrin makabër të ish-ministrit të Brendshëm, me të cilin përmbyllet historia tragjike e dy martirëve. “Është një dokument zyrtar, ku është hedhur e zeza në të bardhë”, shprehet Dervishi, duke zgjatur shkresën që mban datën 9 qershor 1984, me anën e së cilës urdhërohet skuadra e pushkatimit që t’u marrë sytë dy të dënuarve për t’ia adresuar Ministrisë së Shëndetësisë, për punë shkencore. Përtej këtij detaji rrëqethës, drejtori i Arkivit të Ministrisë së Brendshme, bën një përshkrim të zgjeruar të tragjedisë së majit ’84 në kampin e të burgosurve politik, në Qafë-Bari…
Zoti Kastriot! Sokol Sokoli dhe Tom Ndoja janë dy të dënuarit me pushkatim për revoltën e Qafës së Barit. Çfarë përfaqëson në vetvete ky demonstrim antikomunist në kulmin e diktaturës?

Prej kohësh jam marrë me zbardhjen e revoltës së Qafës së Barit. Kam studiuar me vëmendje procesin hetimor dhe praktikën e ekzekutimit të dy martirëve. Para dy vjetësh gjeta fotografitë e të gjithë pjesëtarëve të kësaj revolte (që janë bërë të njohura tashmë), si dhe praktikën e ekzekutimit të dy personave të ndjerë. Nuk më hiqeshin nga mendja ato pamje të grupit të akuzuar për revoltë. Ishin përgjithësisht të torturuar rëndë. Sokol Sokolit për shembull u dallohej qartë në foto që njëri sy nuk i hapej nga ënjtja. Ata ishin përballuar me një prej diktaturave më kriminale që ka parë ndonjëherë Europa. Përveç kësaj kisha lexuar mbi çështjen, procesverbalin e diskutimeve në Ministrinë e Punëve të Brendshme, procesin, vullnetin e fundit të të ekzekutuarve etj. Dosja e tyre hetimore-gjyqësore në ngarkim të tyre dhe grupit që u dënua, nuk ka praktikë ekzekutimi me skemë varrimi (siç janë përgjithësisht këto dosje). Po para dy vitesh kemi lidhur të gjitha praktikat ekzistuese brenda fondit të Drejtorisë së Zbatim-Vendimeve Penale (Paraardhësja e Drejtorisë së sotme të Përgjithshme të Burgjeve). Praktika për ekzekutimin e S. Sokolit dhe T. Ndojës ishte e plotë, por pa skicë varrimi. Për këtë arsye kam qenë i prirë për të kërkuar çdo dokument që do të mund të çonte në drejtim të plotësimit të të dhënave, duke e ndjerë si detyrim që shoqëria ka ndaj familjarëve të të ndjerëve. Po ashtu kam qenë në dijeni të interesimit të familjarëve nëpër të gjitha dyert e shtetit.
Si ratë në gjurmë të skicës së ekzekutimit?

Me porosi të shokut ministër, dy të dënuarve që do të pushkatohen, sytë e tyre t'u jepen Ministrisë së Shëndetësisë për punë shkencore. Drejtor i Zbatimit të vendimeve penale Dhimitër...

Kur flitet për arkiva, përgjithësisht duhet të jemi të kujdesshëm që të mos flasim për “zbulime”, por ky rast, si rrallë herë, ishte me të vërtetë një zbulim. Nisur nga kjo, dua të sqaroj të interesuarit se skema që kemi në dorë u bë e njohur vetëm në prill të këtij viti. Nga e kaluara ne trashëgojmë probleme në inventarizimin e fondeve arkivore. Disa të tilla që i përkasin degëve të Punëve të Brendshme të rretheve që i takojnë viteve 1983-1990, nuk kanë pasur inventarizimin e dosjeve përkatëse. E thënë shkurt, nëse do të duhej të kërkohej për shembull më parë rasti në fjalë, ai nuk mund të gjendej sepse nuk ishte i pasqyruar gjëkundi. Kjo punë duhej të ishte bërë që në vitin 1990, në momentin që fondi ishte shpallur i përhershëm. Për mungesë kapacitetesh njerëzore, por edhe për ngarkesat e tjera të karakterit të shërbimeve që ka përballuar gjatë këtyre 20 viteve, shpeshherë jashtë profilit të tij të punës, nuk ishte i mundur të bëhej inventarizimi. Duke e pasur shqetësim të përhershëm këtë problem të trashëguar nga e kaluara, para disa muajve kam vendosur që një pjesë e kohës së Drejtorisë së Arkivit, të shkojë në inventarizimin e plotë të fondeve arkivore të degëve në fjalë.
Vonesa në rastin e skemës së varrimin ka qenë vetëm për këtë arsye dhe jo për çështje “sekreti”, mungesë dëshire apo qëllim negativ. Gjithmonë nga Arkivi i Ministrisë së Brendshme ka qenë gatishmëria që çdo e dhënë në lidhje me ekzekutimet të vihet të dispozicion të të interesuarve. Kështu ndodhi edhe këtë radhë. Kështu do të ndodhë me çdo të

Skema e vendvarrimit të dy martirëve

dhënë të mundshme që ne disponojmë. Fondi i Degës së Punëve të Brendshme Shkodër, i viteve 1983-1990, iu nënshtrua një “filtrimi” të plotë, prej nga dolën të gjitha praktikat e ekzekutimeve të kryera në këtë rreth, pjesërisht edhe me

Procesverbal me fjalët e fundit të Sokolit dhe Ndojës

skema varrimi. Fletë për fletë i kam kontrolluar dosjet e këtij fondi. Kur filloi viti 1984, fillimisht na doli skema e një ekzekutimi kryer në datën 11 prill 1984. Ajo i takonte të dënuarit jo politik E. P. Pastaj na doli rasti që po flasim. Skicat e gjendura ishin me letër kalku. Ne dimë me saktësi të gjithë personat që janë marrë me këtë ekzekutim.
Drejtimet e kërkimit për një rast ekzekutimi janë vetëm në drejtim të fondeve arkivore të degëve të punëve të brendshme, Hetuesisë së Përgjithshme dhe Drejtorisë së Zbatim-Vendimeve Penale. Në vitin 1984, Hetuesia e Përgjithshme nuk ishte më organ varësie i Ministrisë së Punëve të Brendshme, por i Kuvendit Popullor.
Ekzekutimi i një dënimi me vdekje bëhej gjithnjë nga Policia (Dega e Punëve të Brendshme e rrethit përkatës) në bashkëpunim me Hetuesinë dhe Prokurorinë.
Rasti i dy të ndjerëve nuk është i njëllojtë me ekzekutimet, p.sh në vitet ’40, ’50, ’60, ’70, në lidhje me skemat e varrimit. Të paktat skema varrimi që trashëgojmë u përkasin vetëm viteve ’80. Edhe këto kanë qenë të kufizuara.
Tashmë eshtrat e të ndjerëve janë gjetur dhe unë jam shumë i gëzuar që u krijua një ndjenjë lehtësimi për familjarët e tyre, të cilët ishin lodhur shumë gjithë këto vite. Me këtë rast dua të kujtoj edhe gatishmërinë për t’u gjendur pranë këtij rasti të zëvendësministrit të Brendshëm, z. Avenir Peka, zëvendësdrejtorit të Institutit të Mjekësisë Ligjore, z. Admir Sinamati, përfaqësuesit të të përndjekurve politikë z. Simon Miraka etj.
Pra, ju keni ndjekur nga afër tërë procedurën dhe keni studiuar me kujdes dokumentacionin që ka të bëjë me historinë e martirëve të Qafës së Barit. Çfarë ju ka bërë përshtypje këtë rast?
Është diçka e rëndë në fakt, por që duhet thënë për hir të së vërtetës. Shkresa që urdhëronte ekzekutimin e dy personave është nënshkruar nga ministri Hekuran Isai, më 8 qershor 1984. Përbri saj ka një shënim të drejtorit të Drejtorisë së Zbatim-Vendimeve Penale që shkruante: “Me porosi të shokut ministër, dy të dënuarve që do të pushkatohen, sytë e tyre t’u jepen Ministrisë së Shëndetësisë për punë shkencore”. Ekzekutimi është bërë më 9 qershor ora 24:00. Atë e kanë kryer dy persona. Nuk është përdorur togë-pushkatimi. Pas këtij akti, është kryer skena horror e nxjerrjes së syve.
A ka pasur ekzekutime të tjera në zonën e Antenës ku u gjetën eshtrat e Sokol Sokolit dhe Tom Ndojës?
Përveç rastit në fjalë kanë dalë edhe disa skema të tjera për raste jo politike, brenda të njëjtit vend. Sipas asaj që kam parë në këto skema, i gjithë rrethi perimetrik i zonës së antenës, duhet të jetë me eshtra të ekzekutuarish. Vendi i antenës së Radio Shkodrës afër fshatit Kuç, kishte disa rrethana lehtësuese që nuk rezultojnë në vende të tjera. Së pari, bëhet fjalë për një vend rrethor, të ruajtur e të paprekur nga dëmtimet etj. Duke marrë parasysh faktin se ekzekutimet bëheshin në periferi të rrethit, kjo është edhe zona e mundshme e kërkimit.

fjalet e fundit para pushkatimit

Dy “rebelët e pabindur të Qafës së Barit”, sipas zbulimeve më të fundit nuk janë ekzekutuar me skuadër pushkatimi, por nga zyrtarë të Policisë së Shkodrës, në prani të prokurorit dhe mjekut. Gazeta ka mundur të sigurojë dokumentin e aktit të nënshkruar nga ekzekutorët. Në të thuhet se më 9 qershor 1984, ora 24:00, Dega e Punëve të Brendshme Shkodër, ekzekutoi vendimin ndaj dy të dënuarve me vdekje. Në fjalën e fundit, i dënuari Sokol Sokoli u shpreh: “Mos më vrisni pas shpine. Gropën e hap vetë. Presidiumi i Kuvendit mirë ka bërë (që nuk i fali jetën, shën. red.). Nuk i kam borxh gjë kujt”. Ndërsa Tom Ndoja tha: “Të rrojë drejtësia!”

te denuarit

1. Sokol Sokoli,
me vdekje, pushkatim.

2. Tom Ndoja,
me vdekje, pushkatim.

3. Sokol Progri,
me 25 vjet burg.

4. Vllasi Koçi,
me 25 vjet burg.

5. Martin Leka,
me 16 vjet burg.

6. Haxhi Baxhonovci, me 21 vjet burg.

7. Bajram Vuthi,
me 15 vjet burg.

8. Ndue Pisha,
me 25 vjet burg.

9. Lush Bushgjoka,
me 12 vjet burg.

10. Kostandin Gjordeni, me 10 vjet burg.

11. Lazër Shkëmbi,
me 12 vjet burg.

12. Hysen Tabaku,
me 11 vjet burg

Raporti sekret: Si u rebeluan të dënuarit e Qafës së Barit

Dokumenti sekret “Mbi ngjarjen e ndodhur në datën 22 maj 1984, në regjimin e të dënuarve të repartit 311 Qafë-Bari”, mban datën 27 maj 1984 dhe është nënshkruar nga drejtuesit e lartë të burgut. Plotë pesë ditë pas revoltës tronditëse, autoritet e repartit Nr. 311, ringrenë versionin zyrtar të ngjarjes. Pa dyshim krerët e Policisë Sekrete, por jo vetëm ata, kanë qenë në kontakt çast pas çasti me atë që ndodhte në burgun e Qafës së Barit. Raporti i datës 27 maj, saktësonte përfundimisht rrethanat e revoltës pas analizave të hollësishme të bëra në të gjitha hallkat e institucionit të Riedukimit. Pjesa kryesore e tij fokusohej në përshkrimin e ngjarjes, duke bërë një përmbledhje kronologjike të saj. Gjithçka, zbulohet në dokument, nis me njoftimin e orës 07:30, datë 22.05.1984, sipas të cilit dy të burgosur të turnit të tretë, Ndue Pisha dhe Ndrek Nikolla, nuk kishin realizuar normën në galeri dhe sipas rregullores së kampit, duhej të riktheheshin me turnin në vijim. Kundërshtimi i prerë i dy të burgosurve të tjerë , Sokol Sokoli e Sokol Progri, për t’i kthyer mbrapa dy bashkëvuajtësit e tyre që sa kishin përfunduar turnin e tretë, u bë shkak i përplasjes së pazakontë. Mjaftoi kaq dhe menjëherë policët e shërbimit, lajmëruan oficerin e rojës. Vetëm në pak çaste mbërritën aty 5 policë me shkopinj gome. Përballë tyre këtë radhë nuk ishin vetëm dy të burgosurit që refuzojnë për t’u rifutur në galeri, por një masë e madhe të dënuarish që protestojnë energjikisht, në mbrojtje të shokëve të tyre. Reagimi është i menjëhershëm. Ndërhyrja e forcave të policisë për të çuar në dhomat e izolimit të pabindurit, ndezi protestën e pjesës tjetër. Sakaq, të dënuarit Sokol Sokoli, Sokol Progni, Tom Ndoja, Martin Leka, Dedë Nimani, Bajram Vuthaj, Ndue Kola, Haxhi Baxhinovsi, Lush Bushgjoka e Kostandin Gjordeni, aty për aty vendosen në pozicione mbrojtëse dhe fillojnë t’u bëjnë thirrje policëve për të lëshuar shokët e tyre. Shpërfillja e palës tjetër ndaj këtij apeli e bëri dhe më agresive turmën, e cila tanimë e papërmbajtur filloi të gjuajë me gurë e tulla mbi forcat e Policisë. Në raport thuhet se përballë kësaj gjendje të nderë, oficeri i rojës vendosi anulimin e urdhrit dhe marrjen e masave për stabilizimin e situatës. Komandanti i togës u bëri thirrje të dënuarve që të futeshin në mensë për të bërë apelin. Në vazhdim, dokumenti sekret përshkruan tensionin e krijuar aty pas thirrjes së oficerit të shërbimit, për të nxjerrë jashtë të dënuarit që kishin nisur përplasjen. Kostandin Gjordeni ishte i pari që refuzoi t’i bindet urdhrit. Të njëjtën gjë bëri dhe i dënuari tjetër Sokol Sokoli. Kundërshtimi i tyre i dha zemër turmës dhe sakaq një pjesë e saj shpërtheu derën e mensës dhe doli jashtë. Në pak sekonda, gati të tërë të dënuarit u grumbulluan te sheshi dhe filluan të protestojnë energjikisht.
U njoftua menjëherë kryetari i Degës së Punëve të Brendshme të Pukës dhe komandanti i repartit që ishte me shërbim në Fushë-Arrëz. Nga çasti në çast dueli bëhej më agresiv. Të dënuarit shpërthejnë mbi forcat e Sigurisë dhe me çfarë të mundin qëllojnë mbi ta. Tensionit në rritje iu shtuan krismat e armëve. Ushtarët e shërbimit hapën zjarr të pandërprerë. Për një moment policët tërheqin me forcë për në birucë Kostandin Gjordenin. Të burgosurit e tjerë shpërthejnë dhe më vrullshëm mbi personelin e armatosur. Për të zbutur gjendjen, urdhërohet lirimi i Gjordenit, po tashmë situata ka dalë jashtë kontrollit. Në panik e sipër rojet fillojnë të tërhiqen nën goditjen e gurëve dhe tullave me të cilat i sulmojnë të dënuarit. Përforcimet e ardhura rishtazi hapin zjarr nga larg. Plumbat e parë ranë mbi supet e Kostandin Gjordenit. Të tjerë të dënuar u plagosën e përgjakën. Kaosi vazhdoi disa orë. Mbërritja me helikopter nga Tirana e zëvendësministrit të Brendshëm dhe drejtorit të Drejtorisë së Zbatim-Vendimeve Penale, e futi përballjen në një hulli të re. Me urdhrin e tyre u bë arrestimi i organizatorëve të protestës, të cilët u izoluan në Degën e Brendshme të Pukës. Pjesa tjetër u fut në mensë me forcën e shkopinjve të gomës dhe sulmit me armët e zjarrit…

 

AFRIM IMAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura