Tassinari, shefi i botës “tjetër”

Oct 13, 2014 | 14:09
SHPËRNDAJE

Histori nga ato që nuk i keni dëgjuar ndonjëherë. Mani kulinare përtej imagjinatës. Stilisti Ralph Lauren porosiste mishin t’i vinte me helikopter nga Teksasi, tek rrinte në diellin e anijes së tij në Mesdhe. E po aty i shkrepej për vezë turtulli. Edhe ato me helikopter. Pastaj edhe një ndalesë në Londër për t’u furnizuar edhe me verë në kantinën e tij. Nuk është roman, është jeta e tyre e përditshme. Shef Giuliano Tassinari i tregon në një intervistë që ka dhënë për “VanityFair”.

Giuliano Tassinari është shefi i ri i restorantit “Carracci” të Grand Hotel Majestic, i vetmi me 5 yje. Por, për të mbërritur deri këtu, të drejtonte kuzhinën më të lakmuar, ky shef, ambasador i kuzhinës italiane në botë, ka shëtitur 5 kontinente. Ka hapur restorante në Kanada, në Kinë, në Indi, në Arabinë Saudite dhe ka punuar si kuzhinier personal për emra mjaft të rëndësishëm. E kanë paguar të ishte aty, në jahtin e tyre për t’ua bërë udhëtimin më të bukur. Princër, sulltanë, emrat më të mëdhenj të modës, të gjithë e kanë shijuar. Emrat më të njohur të Hollivudit gjithashtu, Nikolson, Kostner, MacDowell… Ja çfarë tregon ai vetë në këtë intervistë:
Si mbërritët në Savarona?
U njoha me Ralph Lauren në Kanada dhe më kërkoi të nisesha me të. Kishte marrë me qira një anije për një pushim disaditor në Mesdhe dhe donte një kuzhinier italian. Më donte mua. E vendosa menjëherë.
Çfarë gatuanit për të?
Çdo ditë diçka ndryshe. Çdo mëngjes shkoja në tregun më të afërt dhe blija më të mirat nga më të mirët. Kur kthehesha në anije, bashkë me gruan e Ralph, bëja menynë që sigurisht ndryshonte edhe sipas të ftuarve, pra llojit të darkës.
Ndonjë pjesë të menysë?
Shpesh ushqimet ishin të darkave gala, por edhe mish zgare. Ralph Lauren e porosiste mishin direkt nga Teksasi, ja sillnin me helikopter bashkë me verërat nga një kantinë në Londër. Në këto raste, mund të them se ishin mbrëmje relaksuese. Kujtoj që Naomi Campell ishte asokohe në anije.
Ju kanë bërë ndonjëherë kërkesa tepër ekstravagante për ushqimin?
Rregulli i përditshëm ishte të përgatisja 4 lloje perimesh të ndryshme për darkë dhe drekë, si dhe darkë të veçantë për fëmijët, të cilëve duhet t’u shpikja përditë diçka të re e joshëse. E paharruar ka për të qenë një natë me vezët e turtullit. Një darkë propozova të bëja haviar, por Ralph më thotë se do ta hante vetëm nëse e shoqëroja me vezët e turtullit. Po ku mund t’i gjeja në mes të detit?! Si përfundim u nisëm me helikopter për të gjetur 24 vezë që do të shoqëronin haviarin rus.
Kush ka qenë i ftuari më simpatik në tryezë?
Kevin Kostren që dinte të vlerësonte gjithçka e madje vinte të bënte pazarin me mua. I pëlqente shumë të shëtiste në merkatat e peshkut dhe të erëzave. Donte receta italiane. Një ditë kalova shumë kohë me të duke i treguar për llojet e ndryshme të vajrave në kuzhinë. Një kënaqësi e madhe të ndaje këto biseda me të.
Çfarë përmban aktualisht menyja e restorantit ku sapo jeni bërë pjesë?
Menyja ndryshon vazhdimisht, por tani jemi në kohën e pjatave me bazë kërpudhash, sepse është stina e tyre.

Hamburgeri më i shtrenjtë në botë
Është krijuar në Londër, në zemër të Chelsea, restoranti që e ktheu të ngrënit e një hamburgeri në një rit shik (klasiku kushton 11 sterlina). Por, këtë herë e ka ekzagjeruar…Për të thyer të gjitha rekordet ka krijuar Glamburgerin, hamburgerin që me një kafshatë të vetme, përtyp përbërësit më të kushtueshëm.

220 gr mish viçi Kobe Wagyu i grirë me 60 gramë mish çakalli nga Zelanda e Re me një zemër të butë tartufi të zi.
Kjo është baza e hamburgerit, i cili shoqërohet me kripë të tymosur nga Himalajet me të cilën gatitet edhe tuli i arragostës shoqëruar me shafran iranian.

Përbërësi tjetër është pançeta, lakra të Brukselit dhe një vezë thëllëze e veshur me fletë ari. Paninja, në
fund, përgatitet me pudër çaji jeshil e majonezë. Ari është sërish i pranishëm edhe në finale. Disa pika shampanje dhe mangoje, si dhe pak tartuf të bardhë të ngrirë.  Pra, nuk keni ç’shtoni më tepër. Ende nuk ju kemi thënë çmimin. Jo se mund të niseni pa pasur informacion të saktë! 1.100 paund. Tani priteni biletën!
Kaloritë: 2.618
Çmimi 1.100 paund
12.5% e çmimit kushton shërbimi
Totali: 1.237.50 paund (1.577 euro)
Ju bëftë mirë!

[email protected]
Dërgoni recetat tuaja!

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura